Gucati: Veteranët janë të lirë të vendosin nëse duan të dalin në protestën e nesërme kundër Thaçit

Aktuale

Gucati: Veteranët janë të lirë të vendosin nëse duan të dalin në protestën e nesërme kundër Thaçit

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 13:41
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së Hysni Gucati

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së thotë se nuk e përkrahë protestën që do organizohet të shtunën në orën 14:00 nga Lëvizja Vetëvendosje kundër idesë së presidentit të Republikës Hashim Thaçi për lëvizje të kufijve. Megjithatë Gucati thotë se është kundër ndarjes së Republikës së Kosovës dhe nëse Thaçi tenton të bëjë diçka të tillë do të reagojnë.

Kreu i OVL-së së UÇK-së thotë se nuk i fton veteranët as që të dalin në protestë e as që të mos dalin, duke shtuar se kjo gjë  mbetet në vullnetin e tyre.

 “Në fakt na protestat e partive nuk i përkrahim, të asnjë partie, e as të Lëvizjes Vetëvendosje. Të gjithë ato parti që thirrin protesta, ne nuk e kemi ndërmend që t’i përkrahim. Arsyeja është shumë e thjeshtë sepse ne nuk merremi me politikë. Për ne protestën kanë të drejtë ta organizojnë qytetarët. Unë personalisht nuk marrë pjesë. Por edhe si kryetar i Veteranëve nuk i ftoj veteranët që të marrin pjesë se nuk është e drejtë e imja, unë nuk iu them edhe mos dilni. Sepse nuk përzihem në jetën e tyre individuale se çfarë bëjnë ata” ka thënë Gucati.

Ai ka thënë se janë kundër ndarjes së Republikës së Kosovës, megjithatë shton se e përkrahin Thaçin në rast se e merr Luginën e Preshevës pa dhënë asgjë në këmbim.

“Për mua protesta është e pa pranueshme sepse nuk e dimë se çka. Nëse kryetari i Shtetit tenton me e nda Kosovën ne jemi kundër sajna. Nëse e merr Preshevën Medvegjën dhe Bujanovcin pa dhanë kurrgjë hiq, ne jemi me të”, ka shtuar tutje kreu i OVL-së.

I pyetur nëse  do të organizojnë ndonjë protestë në rast se tentohet ndarja e Kosovës, Gucati ka thënë se do të reagojnë për një gjë të tillë.

“Nëse tentohet me u nda Kosova ne sigurisht që do të reagojmë” ka përfunduar Gucati.

Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje e thirrur për nesër, ka ardhur pasi presidentit Hashim Thaçi ka propozuar personalisht lëvizjen e kufijve të Kosovës, si zgjidhje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në prag të kësaj proteste Kurti është takuar edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën, megjithatë LDK-ja nuk e ka përkrahur këtë protestë. Moto e kësaj proteste do të jetë “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”.

Kundër idesë së Thaçit për lëvizje të kufijve kanë dalë edhe shtetet të cilat e kanë përkrahur Kosovën në rrugëtimin drejt shtet ndërtimit. Angela Merkel ka dalë kundër një ideje të tillë. Kjo gjë ka bërë që presidenti Thaçi të mos e zë në gojë idënë për lëvizje të kufijve gjatë takimeve që ka zhvilluar në New York me rastin e sesioneve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat