Sherifi për Nurellarin: Pedagogu universitar që konkluzionet e veta i bazon në komentet e individëve në rrjetet sociale

Aktuale

Sherifi për Nurellarin: Pedagogu universitar që konkluzionet e veta i bazon në komentet e individëve në rrjetet sociale

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 13:44
Bilall Sherifi

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi në një shkrim autorial ka vazhduar edhe sot polemiken me Adri Nurellarin, ish këshilltar i presidentit Thaçi.

Ky reagim i Sherifit vjen pas shkrimit të Nurellarit me titull “Sherifi sërish nuk qëllon në shenjë”.

Shkrimi i radhës i shefit Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate mban titullin: Pedagogu universitar që konkluzionet e veta i bazon në komentet e individëve në rrjetet sociale!

Në këtë shkrim, Sherifi shkruan se Nurellari përpiqet që në kuadër të polemikes të marrë monopolin e përcaktimit se çka është e drejtë dhe cka nuk është e drejtë të citohet.

“Z. Nurellari përpiqet që në kuadër të polemikës të marrë monopolin e përcaktimit se cka është e drejtë dhe cka nuk është e drejtë të citohet. Këtë të drejtë ia jep vetes sepse ai na paska “një përvojë të madhe ekspertizash, qëndrimesh, angazhimesh, bindjesh ideologjike të formësuara gjatë procesit të rritjes në kushtet e lirisë dhe demokracisë, i shkolluar në perëndim, i profilizuar në shkencat sociale, pedagog në Universitetin e Tiranës” ku ai shkruan: “jepja e mërzitshme lëndën e Shkrimit Akademik dhe Mendimit Kritik…” e kështu me radhë.

“Z. Nurellari duhet ta dijë se thurja e lavdeve për veten e tij është shembull par excellence i strategjisë që të imponohet si autoritet. Kjo formë e argumenteve të rreme mund të ketë pasur ndikim te ndonjëri nga studentët e tij, që ta përdorin si “argumentum ad verecundiam”, por jo në konfrontimin publik të qasjeve tonë diametralisht të kundërta”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e Sherifit:

Shkrimi i plotë i Bilall Sherifit:

Prita që në reagimin e ri të z. Nurellari të shihja diçka më përmbajtësore në krahasim me dy shkrimet e tij të fundit, në të cilat villej vrer kundër atyre që kritikojnë HashimThaçin, por fatkeqësisht nuk ka asgjë të re. Në vend të reflektimit dhe të tërheqjes nga akuzat, ai vazhdon me logorrenë e tij tanimë të dëshmuar.

Pa u përgjigjur dhe pa u sqaruar dilemat që dalin nga dy shkrimet e tija të para, z. Nurellari pa fije turpi deklaron se gjoja në reagimin tim nuk paska gjetur “argumente”, por vetëm “insinuata dhe sulme personale”.

Përveç atyre që zbatojnë akrobacionet e logorresë, çdo lexues i vëmendshëm ka pritur që ai të sqarojë nëse qëndron prapa trajtimit të kundërshtarëve të idhullit të tij si “njerëz që vuajnë nga psikoza” dhe nëse ka përdorur z. Nurellari argumentet e rreme (“argumentum ad personam”) kur i dha vetes të drejtë, si “promovues i liberalizmit”, t’i cilësojë ata që nuk ndajnë mendimin me të si “njerëz të pavlerë, që janë të nxitur nga mëria, xhelozia, zilia, lakmia etj.”.

Kush mund t’i mohojë argumentet që solla në shkrimet e mija e që dëshmojnë në mënyrë bindëse se në shkrimet që mbajnë emrin Adri Nurellari zbatohet strategjia e sulmeve kundër personave, strategji që në të njëjtën kohë ai e denoncon në “replikat” e mëvonshme.

Nëse vërtetë Adri Nurellari është “ithtarë dhe promovues i liberalizmit” dhe nuk vë emrin e vet në diçka të shkruar nga dikush tjetër, atëherë i mbetet të ndërpresë logorrenë dhe të sqarojë këtë kundërthënie.

Nuk ka më qesharake se sa në rastin kur dikush që në shkrimet e veta u referohet vazhdimisht autoriteteve nga fusha të ndryshme të njohjes akuzon të tjerët për përdorim të formës së gabuar të argumentimit që bazohet tek autoriteti (argumentum ad verecundiam).

Z.Nurellari i jep të drejtë vetes që të fillojë shkrimin e tij me Eleonor Rusveltin, të vijojë me Isak Njutonin dhe Konfucin për të ardhur te Daniel Colmani, David Dunningu dhe Justin Krugeri.

Nëse të tjerët marrin guximin që pa lejen e tij të përmendim qoftë edhe një autor, “promovuesi i liberalizmit” akuzon se “citati është pa vend dhe se është bërë për të kamufluar cektesinë e shkrimit”.

Nurellari përpiqet që në kuadër të polemikës të marrë monopolin e përcaktimit se cka është e drejtë dhe cka nuk është e drejtë të citohet. Këtë të drejtë ia jep vetes sepse ai na paska “një përvojë të madhe ekspertizash, qëndrimesh, angazhimesh, bindjesh ideologjike të formësuara gjatë procesit të rritjes në kushtet e lirisë dhe demokracisë, i shkolluar në perëndim, i profilizuar në shkencat sociale, pedagog në Universitetin e Tiranës” ku ai shkruan: “jepja e mërzitshme lëndën e Shkrimit Akademik dhe Mendimit Kritik…” e kështu me radhë.

Nurellari duhet ta dijë se thurja e lavdeve për veten e tij është shembull par excellence i strategjisë që të imponohet si autoritet. Kjo formë e argumenteve të rreme mund të ketë pasur ndikim te ndonjëri nga studentët e tij, që ta përdorin si “argumentum ad verecundiam”, por jo në konfrontimin publik të qasjeve tonë diametralisht të kundërta.

Meqenëse pretendon se është me kaq “përvojë”, “ekspertiza” dhe “ligjërues iShkrimit Akademik dhe Mendimit Kritik” në krahasim me “cektësinë e shkrimeve të të tjerëve” do të kishte qenë mirë të na sqaronte thellësinë e shprehjes së tij të shkrimit të fundit ku thotë: “(…) pedagog i ri që isha në Universitetin e Tiranës më kanë pas caktuar për vite me radhë që të jepja e mërzitshme lëndën e Shkrimit Akademik dhe Mendimit Kritik dhe ndër gjërat që trajtohet më dendur në të janë pa dyshim argumentet e rreme”.

Nëse vërtetë qëndron pas kësaj fjalie, e cila nuk ka sintaksë shqipe, atëherë do të kishte qenë mirë që ndonjë nga kolegët e tij gjuhëtar t’ia sqaronte rregullat elementare të sintaksës shqipe. Përndryshe, kjo formë e formulimit nga ‘pedagogë të rinj” është dëshmi e gjendjes së mjerueshme që mbretëron te një numër studentësh që ndjekin verbërisht profesorët e tyre.

Nëse ai nuk e vë emrin e vet në asnjë shkrim që nuk është i shkruar prej tij, atëherë si të shpjegohet fakti se në shkrimin e parë z. Nurellari e cilëson “thaçizmin si ideologji”, në shkrimin e dytë mohon një gjë të tillë ndërsa në shkrimin e tretë i shmanget kësaj teme. Z. Nurellari duhet të sqarojë nëse janë shembuj të ligjërimeve të “Shkrimit Akademik” apo “Mendimit Kritik” ose kemi të bëjmë me dilemat që kam ngritur rreth autorësisë. Prandaj ai duhet të ndërpresë të gjuaj qorras dhe të tregojë hapur se cili është mendimi i tij lidhur me pohimet “thaçizmi është ideologji”/ “thaçizmi nuk është ideologji”.

Nurellari duhet ta kuptojë se hapja e temave të reja nuk mund ta zhvendosë vëmendjen dhe të hiqen nga “rendi i ditës” akuzat dhe kundërthëniet në shkrimet e tij që nxitën reagimin tim. Sa më përket mua, kërkoj që z. Nurellari të sqarohet publikisht nëse “gënjeshtra” është njësi mësimore në ligjëratat e “Shkrimit Akademik që ka mbajtur si pedagog i ri në Universitetin e Tiranës”.

Si mund të arsyetohet një pedagog universitar kur deklaron: “në replikë z. Sherifi bën një tjetër gabim trashanik duke mu referuar si këshilltar i presidentit ndërkohë që po bëhet viti i dytë që nuk jam më në kabinet të tij. Madje ka më shumë se një vit që përveç ndonjë përshëndetje rastësore nuk më ka rastisur të ulem shtruar e të bisedoj me presidentin. Ky gabim i tij dëshmon sesa pak e njeh ai personin me të cilin bën ‘polemikë’ por edhe tregon vetëbesimin e tepruar dhe lehtësinë me të cilën flet për gjërat që nuk i di”.

Çdo kush që ka lexuar shkrimet e mia e ka të qartë se në asnjë rast të vetëm nuk kam përmendur faktin nëse z. Nurellari ka qenë apo vazhdon të jetë këshilltar i Hashim Thaçit. Është insinuatë e kulluar të pohohet se gjoja unë i jam referuar një gjëje të tillë.

Nuk ka gabim më trashanik se sa kur pretendohet që në rastin konkret unë nuk e paskësha njohur sa duhet personin me të cilin polemizoj! Sa për dijeni të lexuesit, unë e kam ditur edhe rolin që ka pasur në të kaluarën e afërt edhe atë që ka tash. Mirëpo këtë çështje nuk e kam trajtuar në reagimet e mia, sepse jo vetëm që nuk kam dashur të lëshohem në formën e “argumentum ad hominem”, por e konsideroj si të drejtë të pacenueshme të çdo individi që t’i shërbejë kurdo qoftë dhe kujtdo qoftë.

Nëse dikush bazohet në shkrimet e Adri Nurellarit për të nxjerrë mësime se çka është ligjëruar në lëndën “Shkrimi Akademik”, atëherë mund të vijmë në konkluzionin se vaj halli për metodat dhe teknikat që u janë transmetuar studentëve.

Teknika që t’i vishet kundërshtarit ajo që zihet në brendinë e vet është teknikë e njohur që nga antikiteti. Edhe pse z. Nurellari nuk është në kabinetin e Hashim Thaçit qe dy vite, ai bën çmos për të ranë sytë e tij. Ky është shembull që ilustron shprehjen e njohur popullore “Mos e vet, se kallxon vet”.

Dëshira e madhe e z. Nurellari që të prezantohet si njeri që “nuk rrëshqet në idhujtari”, tradhtohet nga pasioni për t’i rikujtuar Hashim Thaçit se “mendon akoma vetëm për të”.

Duke u përpjekur që të përfshijë në debat periudhën kur unë kam qenë njëri nga ata që nuk pajtoheshin me mënyrën e funksionimit të PDK-së gjatë periudhës kur kryetar i saj ishte Hashim Thaçi, z. Nurellari nxjerr në shesh qëndrimin ndaj idhullit të tij.

Ai deklaron se gjoja unë qenkam në “siklet dhe në ngarkesë të madhe emocionale” për shkak se, siç thotë, “jam në koalicion me partinë e tij”.

Meqenëse ka ndërruar detyrë dhe nuk është më kryetarë i PDK-së, madje as anëtarë partie sepse Kushtetuta e Kosovës nuk ia lejon një gjë të tillë presidentit të vendit, z. Nurellari shkon deri në absurditet sa që Hashim Thaçin e shpall PRONAR TË PDK-SË! Dhe pas gjithë kësaj, ai pretendon se gjoja është kundër idhujtarisë dhe kinse promovon liberalizmin!

I ballafaquar me kërkesat që publikisht të sqarojë dilemat që ngrita në dy shkrimet e mia, dhe atë se kush ka aplikuar format e gabuara të argumentimit, z. Nurellari bën një “tërheqje taktike”. Përderisa në shkrimin e parë ai akuzon “individët e shumtë të politikës, mediave, shoqërisë civile”, në reagimin e fundit, ai si argument përmend “komentet banale, ekstremiste, kanosëse e harbute që bëhen në rrjetet sociale të portaleve për lajmet që përmendin Thaçin për ta vërtetuar se çfarë niveli të skajshëm të përmasave psikotike ka marrë tek disa njerëz përbuzja e urrejtja ndaj tij.

Nuk kam çka të shtoj pos konstatimit se e shoh të tmerrshme kur një “pedagog i ri i universitetit”, “i shkolluar në perëndim”, ligjërues i “Shkrimit Akademik dhe Mendimit Kritik” merr si referencë për të argumentuar shkrimin e vet “komentet banale, ekstremiste, kanosëse e harbute që bëhen në rrjetet sociale të portaleve”! Përderisa në gabimet trashanike të trajtuara më lartë z. Nurellari është tragjik, në përpjekjet e tij që të zhvendosë debatin në të kaluarën time në kuadër të LPK-së dhe UÇK-së, ai del komik. Asaj pjese të rrugëtimit tim jetësor dhe politik nuk i heq asgjë. As kur bëhet fjalë për relacionet e mia me punëdhënësit e tij, me të cilët kemi ndarë bashkë jetën organizative dhe ideologjike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat