Sejdiu e dërgon Thaçin në Kushtetuese

Aktuale

Sejdiu e dërgon Thaçin në Kushtetuese

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 14:36
Deputeti i pavarur Korab Sejdiu

Deputeti i pavarur Korab Sejdiu sot ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës një kundërshtim ndaj kërkesës së presidentit Hashim Thaçi për interpretim të Nenit 18 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Media kishte raportuar para një jave pyetjen djallëzore të Thaçit drejtuar Kushtetueses.

Këtë Sejdiu e ka bërë të ditur përmes rrjetit të tij social Facebook.

“Në cilësinë e Deputetit, sot më 28 shtator 2018, parashtrova në Gjykatën Kushtetuese një kundërshtim ndaj Kërkesës së Presidentit Hashim Thaçi për interpretim të Nenit 18 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Pavarësisht vendimeve nga e kaluara, mbesim me shpresë për një vendim të drejtë nga kjo Gjykatë që tani ka një përbërje të re”, ka shkruar ai.

Përndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po tenton që t’i ndryshojë kufijtë me Serbinë në kuadër të fazës finale të dialogut, duke anashkaluar plotësisht Kuvendin e Kosovës.

Në një dokument që e kishte siguruar media, Presidenti Thaçi i ka dërguar një pyetje Gjykatës Kushtetuese, me anë të së cilës i ka kërkuar këtij institucioni që t’ia heqë qafe Kuvendin për marrëveshjet që ai mund t’i arrijë në të ardhmen me faktorët e jashtëm: qoftë me Brukselin, qoftë me Serbinë. 

Në këtë mënyrë, Presidenti po përpiqet t’i hapë rrugë projektit të tij famëkeq për ndarjen e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat