Lajmi për caktimin e paraburgimit për dy deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka marrë edhe vëmendjen e mediave botërore.
Prestigjiozja amerikane ‘The New York Times’, ka raportuar sot për arrestimin e deputetit të AAK-së, Shkumbin Demalijaj, pasi sipas Prokurorit i njëjti ka kërcënuar ish-prokurorin Elez Blakaj, i cili ishte duke hetuar skandalin e fryrjes së listave të veteranëve.
Gjithashtu edhe deputeti i NISMA-së, Milaim Zeka, gjendet në paraburgim , për kërcënimet e drejtuara ndaj Prokurorit Special, Afrim Shefkiu.
“Ligjvënësi i dytë i Kuvendit të Kosovës ndalohet për kërcënime ndaj prokurorit”, është titulli i NYT.
Siç shkruan gazeta, ky është rasti i dytë i arrestimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës brenda pak ditësh.
Shkumbin Demalijaj akuzohet edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e listave të fryra të veteranëve, ndërsa Milaim Zeka akuzohet për mashtrim me viza të mbi 900 personave.
Pas këtyre rasteve të kërcënimeve ndaj prokurorëve ka reaguar sot edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili ka thënë se politikanët duhet të ndalin presionet mbi organet e drejtësisë.