Mijëra qytetarë kundërshtojnë shkëmbimin e territoreve

Aktuale

Mijëra qytetarë kundërshtojnë shkëmbimin e territoreve

Më: 29 shtator 2018 Në ora: 08:04

(E plotësuar) -Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur protestë për të kundërshtuar idenë e presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh, ku u tha se aq shumë e duan Kosovën Republikë, Kosovën Lindore, dhe bashkimin me Shqipërinë, saqë për asnjë kusht dhe në as një rrethanë nuk i nënshtrohemi një njeriu.

Protesta me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, nisi para Bibliotekës Kombëtare për të vazhduar në sheshin ‘Skënderbeu”, ku u mblodhën me mijëra protestues.

Lideri i VV, Albin Kurti ka thënë para protestuesve se nuk do të lejojnë që të ketë korrigjim të kufijve me Serbinë dhe as ndarje të Kosovës, ide kjo sipas tij e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Image

Kurti ka thënë se kjo protestë nuk është për elektorat, por për Republikën e Kosovës që sot është në rrezik të sovranitetit. Ai shto se nuk duhet lejuar që për 85 kilometra katrorë të Luginës së Preshevës të jepen mbi një mijë kilometra katror në veri të Ibrit, e ku janë Ujmani, Trepça dhe maja e lartë të Panqiqit.

Kurti: Ne nuk pranojmë kthim në kohën e Rankoviqit

“Kjo protestë nuk është as për elektorat, e as për vota. Në zgjedhje është pushteti në pyetje, por sot e kemi shtetin në pikëpyetje. Përmes Thaçit po na teston Vuçiqi, andaj le t’iu përgjigjemi të dyve. As Kosova nuk ndahet, as Kosova Lindore nuk ndahet. Pavarësinë nuk e negociojmë, Serbisë borxh nuk i kemi, dhimbje të reja e kompromise tjera nuk pranojmë. Thaçi si president duke i lëkundur e tundur kufijtë e Kosovës, duke thënë se Kosova i ka kufijtë e gabueshëm. Ne nuk pranojmë kthim në kohën e Rankoviqit, nuk pranojmë që për katër fshatrat e Bujanocit dhe shtatë fshatra të Preshevës që së bashku bëjnë 85 kilometra katrorë më së shumti, të japim mbi një mijë kilometra katror në veri të Ibrit, e ku i kemi Ujmanin, Trepçën dhe majën e lartë të Panqiqit”, ka thënë Kurti.

Ai para protestuesve ka thënë se qeveria po rritet e shteti po zvogëlohet, prandaj, populli duhet të ngritët dhe populli nuk duhet të nënshtrohet.

Lideri i VV-së shtoi se Republika e Kosovës është në rrezik, pasi në Kosovë ka ligj por drejtësi nuk ka.

Sipas Kurtit, prej adoleshentëve e deri te prokurorët po përpiqen të ikin nga vendi.

Image

Kurti: Kjo është protestë e shqetësimit

“E sikur skamja e korrupsioni, e zhgënjimi të mos mjaftonin, na u shfaq ky Presidenti me kërkesën për kompromis të dhimbshëm. Jo kompromis të dhimbshëm për Serbinë, por për Kosovën. E nëse kufijtë korrigjohen dhe dhimbje për neve, atëherë ky nuk është korrigjim, por gabim shtesë. Edhe korrigjim edhe dhimbje nuk ka. Duket që presidenti po mundohet t’i mbaj dy kunguj në një sqetull, mirëpo kjo do të thotë se ai e ka edhe një kungull të tretë që e mbanë mbi qafë. Kjo nuk është protestë e inatit tonë a e urrejtjes ndaj dikujt, kjo është protestë e shqetësimit qytetarë, e brengosjes kombëtare dhe e dashurisë njerëzore për vendin tonë. Aq shumë e duam Kosovën Republikë, aq shumë e duam Kosovën Lindore, aq shumë e duam bashkimin me Shqipërinë saqë për asnjë kusht dhe në as një rrethanë nuk I nënshtrohemi një njeriu”, theksoi Kurti.   

Ai në fund tha se Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja të parakohshme, sepse Kosova është vonuar.

Saranda Bogujevci e mbijetuara e masakrës në familjen Bogujevci, njëherësh edhe deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, në protestë ka kujtuar fëmijërinë e saj, ku ka thënë se prej që ka qenë fëmijë ka përjetuar padrejtësi.

Ajo ka thënë se Serbia ia mori familjen, por jo edhe kujtesën. Bogujevci ka shtuar se e kaluara kurrë nuk do të harrohet dhe se çdo ditë duhet të dokumentohet, pasi sipas saj kjo jep të ardhme.

Bogujevci: Ky njeri e ka dëshmuar se punon vetëm për interesa të tij personale

“Ky njeri e ka dëshmuar që nga përfundimi i luftës së punon vetëm për interesa të tij personale, për pushtetin e tij. I jep të drejt të vetës që në emrin tonë të negocioj shkëmbim të territorit në mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia ka marrë shumë nga ky vend dhe për mua është më e dhimbshme se si presidenti Thaçi sillet sikur ne i kemi borxh Serbisë. Po duhet të ecim përpara por jo ta bëjmë këtë me kompromise me vendim dhe popullin tonë, mjaftë më kemi duruar. Ky njeri duhet të shkoj, sepse që nga përfundimi i luftës as edhe një herë nuk e ka dëshmuar se është duke punuar për vendin e vet dhe popullin e vet. E ka dëshmuar se e do vetën dhe pushtetin”, tha ajo.

Kurse, minatori Isuf Boletini, ka folur në emër të punëtoreve të Minierës së Trepçës, ku ka thënë se minatorët gjithmonë kanë ditur ta mbrojnë territorin e Kosovës dhe dinë ta mbrojnë edhe tash.

Boletini: Minatorët kanë ditur ta mbrojnë Kosovën atëherë dhe dinë ta mbrojnë edhe tash

“Minatorët kanë ditur ta mbrojnë Kosovën atëherë dhe dinë ta mbrojnë edhe tash. Ne nuk jemi për trazira, duam një shtet ligjor e të drejtë për të gjithë, por ne nuk do të kursehemi për të realizuar të drejtat e këtij populli. Prandaj jemi sot në këtë protestë. Trepça është e jona, e popullit të Kosovës, ajo është e ardhmja e zhvillimit të këtij vendi, ne nuk mund të japim të ardhmen tonë”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i VV-së me origjinë nga Presheva, Liburn Aliu, ka thënë Hashim Thaçi është ai i cili pati rastin të fliste në Vjenë, ku pranojë ndarjen e Kosovës.

Aliu: Në Vjenë, Thaçi pranoj ndarjen e Mitrovicës

“Është Hashim Thaçi ai që e pati rastin të fliste në Vjenë për të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Kërkonte reciprocitet në raport me serbët e Kosovës, e në vend të kësaj ai e pranoj ndarjen e Mitrovicës. Është Hashim Thaçi ai i cili e organoni sulmimin e 26 korrikut 2011 në veri, ku u vra heroi Enver Zymberi dhe për pasojë sot e kemi veriun edhe më të ndarë”, ka thënë Aliu.

Kritika për presidentin Thaçi, ka pasur edhe shoqata “Thirrjet e nënave”, ku në emër të tyre ka folur Luljeta Sharani.

Sharani e cila në luftë ka humbur bashkëshortin dhe dy djemtë e saj, ka kritikuar presidentin se asnjëherë në bisedimet me Serbinë nuk e ka ngritur çështjen e personave të pagjetur.

Sharani: Thaçit i kurrë nuk e hapi çështjen e të pagjeturve në bisedime

“Shoqata “Thirrjet e nënave” përmes kësaj proteste i kujton Hashim Thaçit se ai kurrë nuk e hapi çështjen e të pagjeturve në bisedimet me Serbinë. Prandaj, ne i themi atij sot, se ai nuk mund të flas më kurrë në emër të nënave, ai nuk mund të flas më kurrë në emër të familjarëve që kanë të vrarë, të rrëmbyer, e të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë nga kriminelët e Serbisë. Ky president i çakorduar e ka humbur rrugën në bisedime me Vuciqin për interesat e veta personale, duke injoruar me mijëra shqiptarë që ende vuajnë nga padrejtësitë e luftës. Regjimi i Serbisë nuk kurseu nga krimet e veta as moshë as gjini, sikur të mos mjaftonin krimet e Serbisë, pushteti në Kosovë e ka lënë vendin në gjendje të mjerueshme sociale dhe ekonomike. Na mohon të drejtat dhe na trajton si të huaj në vendin tonë”, është shprehur ajo.

Ajo ka thënë se familjarët që kanë humbur më të dashurit e tyre kundërshtojnë idenë e presidentit, të cilin e ka quajtur të çakorduar.

Sharani ka pyetur presidentin Hashim Thaçi se ku e merr guximin që t’i zgjasë dorën e pajtimit Vuciqit, i cili nuk ka kërkuar kurrë falje. Ndërkohë që ka thënë se nënat këmbëngulin që pushteti i Serbisë të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë.

Protestës së VV-së, iu bashkuan tre deputet të opozitës nga LDK-së, Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli dhe Korab Sejsiu, ndërsa nga PSD nuk u pa askush.

Në protestë valuan famujt e shteteve të cilat e njohin Kosovën shtet, ndërsa, përveç flamujve kombëtar dhe të Trepçës u panë vetëm dy flamuj të Kosovës.

***

 Ka përfunduar protesta në mbrojte të kufijve të Kosovës e organizuar nga Lëvizja Vetvëndosje. Protesta ka përfunduar e qetë dhe me një koncert në fund, që po mbahet nga këngëtari Bim Bima.

Gjatë fjalimit të tij në protestë, lideri i VV-së, Albin Kurti, theksoi se kjo protestë paqësore dhe madhështore është për Thaçin dhe Vuçiqin, andaj presidenti Thaçi duhet ti mbetet vetëm i së kaluarës.

“Thaçi as një cent sa ishte kryeministër nuk i dha luginës. Ne nuk pranojnë kthim të kohës së Rankovicit. Nuk pranojmë të japim Ujmanin dhe Trepçës dhe maja e Pancicit. Nuk mund të bëjmë marrëveshje i cili ka shpërfillur arritjet e këtij vendit. Thaçit nuk i beson askush. Aventura e Thaçit duhet të ngelet ashtu siç është... Ky president po e mban një kryeministër vetëm në një këmbë, sikur vet që është me një këmbë”, tha ai.

Ai shtoj se Populli i Kosovës nuk e meriton një president si Thaçin.

“Ne kemi nevojë po ashtu edhe për një Qeveri të drejtë dhe të dinjitetshme. Ne kemi nevojë për zgjedhje për mirëqenie më të mirë”, tha ai.

Image

***

Albin Kurti e ka krahasuar pushtetin aktual me atë të Serbisë. Ka thënë se uzuptartori është zëvendësuar me një uzurpator të ri që ka kapur Shtetin. Ka thënë se ndodhen në shesh sepse ata nuk duhet të jenë në pushtet. Kurti ka thënë se Thaçin po e mbanë në pushtet një Qeveri e pakicës. Në fund të protestës, Kurti ka paralajmëruar edhe protesta të tjera kundër Thaçit.

“Kosova është shtet i kapur. Çlirimi i okupatorit të huaj, na u zëvendësua nga okupatori i jonë i cili po bashkëpunon ngushtë me atë okupatorin e huaj. Republika është në rrezik. Ne qytetrët jemi në shesh për Republikën. Në jemi këtu në shesh sepse ata nuk duhet të jenë atje në pushtet”, ka thënë Kurti në protestë.

Kurti ka folur edhe për deklarimet e Thaçit se Kosova duhet të bëjë kompromise të dhimbshme në raport me Serbinë.

“Na u shfaqë presidenti me kërkesë për kompromis të dhunshëm, sikur skamja e të tjerat të mos mjaftonin. Jo për kompromis të dhimbshëm për Serbinë, por për Kosovën. E nëse korrigjimi ndodh me dhimbje, atëherë ky nuk është vetëm korrigjim por edhe dhimbje” , është shprehur lideri i VV’së.

Image

****

Lideri i VV Albin Kurti është duke iu drejtuar masës në prosteqën që po mbahet në sheshin “Skënderbeu”.

Ai ka thënë se kanë dalë në shesh sepse qeveria aktuale nuk duhet të jetë në pushtet.

Kurti para masës në protestë duke i nderuar depuetët e LDK-së Vjosa Osmanin, Haxhi Avdyli dhe Korab Sejdiu ka thënë se është i zemëruar pavarësia e Kosovës është dashur të jetë e shtetit e jo e pushtetarët.

“Qeveria po na rritet e Kosova po zvogëlohet andaj ne jemi këtu dhe bashkë. Kosova është shtet i kapur prej uzurpatorit tonë që po bashkëpunon ngushtë me atë të huajin. Nuk ka perspektivë të gjithë po populli po përpiqen të ikin. republika është në rrezik, në jemi në shesh, sepse ata nuk duhet të jenë në pushtet. Me hajna nuk ka shtet”, tha Kurti.

Kurti ka shtuar presidenti është shfaqur për kompromis të dhimbshëm për Kosovën. “Kjo nuk është protestë e inatit, por e dashurisë njerëzorë për vendin tonë. Aq shumë e duam republikën, aq shumë e duam Luginën që për asnjë kusht dhe rrethanë nuk i nënshtrohem një njeriu”, tha ai.

Nënat gjakovare: Thaçi nuk e ka të drejtën që të flas në emrin e nënave tona në Serbi

Luljeta Sharani e cila ka të rënë familjarë të rënë në luftë dhe përfaqësoj sot shoqatën “nënat Gjakovare”, ka thënë se Hashim Thaçi as një herë nuk e diskutoj në dialog me Serbinë çështjen e të zhdukurve.

“Prandaj ne i themi atij sot se ai nuk mund të flas më kurrë në emër të familjeve që kanë të zhdukur nga lufta e fundit”, tha ajo.

Ajo ka thënë se me çdo kusht kundërshtojnë idenë e Thaçit për negociata.

“Si është e mundur ti zgjatet dora Vuçiqit i cili nuk kërkoj falje asnjë herë, sepse na mungojnë 1600 persona. Të gjithë kriminelët të dalin para drejtësisë”, tha ajo gjatë protestës sot.

Image

Aliu: Thaçi e pranoi ndarjen e Kosovës në Vjenë

Deputeti i VV Liburn Aliu ka thënë se sot Hashim Thaçi është ai i cili pati rastin të fliste në Vjenë, ku pranoj ndarjen e Kosovës.

“Është Thaçi ai i cili organizoj sulmin në korrik në veri, ku humbi jetën Enver Zymberi, dhe nga atëherë veriu është edhe më keq. Ne kemi kërkuar që të ketë një marrëveshje të qartë me përfaqësues politik të luginës, por asnjë herë nuk ka ndonjë marrëveshje të qartë. Në fakt me këtë njeri Thaçin do të kishim edhe Bosnjën edhe ndarjen, se do të ketë njerëz që do të mbrojnë këtë vend me ketë masë kaq të madhe”, tha Aliu gjatë protestës sot.

Bogujevci: Derdhëm gjak për territorin, s’do lejojmë që një njeri të vendosë për Kosovën

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, para protestuesve ka thënë se protesta e sotme është tejet e rëndësishme pasi bëhet fjalë për fatin e Kosovës.

“Si popull kemi dhënë shumë për lirinë që e kemi sot, sepse kemi besuar që do të kemi një jetë më të mirë”, ka thënë ajo, duke kujtuar momentet kur ishte e vogël e si u ballafaquan me serbët.

Mes lotësh, “më morën familjen”, tha ajo.

“Duam që qytetarët të trajtohen me dinjitet sepse s’po trajtohen. Është derdhur gjak me dekada për t’’u mbrojtur ky territor, s’do të lejojmë që një njeri të vendos për të ardhmen e këtij vendi”, tha ajo.

***

Protestuesit janë mbledhur tashmë të gjithë para skenës së vendosur në sheshin “Skënderbeu”. Në nisje të protestës është intonuar himni kombëtarë shqiptar.

Image

Protestë me flamuj që kanë njohur shtetin e Kosovës, por jo edhe me atë të Kosovës

Protestuesit në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kanë shfaqur flamujt e 105 shteteve që kanë njohur Kosovën si Republikë.

Megjithatë asnjë flamur i shtetit të Kosovës nuk shihet në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në vend të kësaj flamuri me ngjyrat kuq e zi, i shtetit shqiptar, po dominon në protestën që është thirrur në mbrojtje të territorit të Kosovës dhe kundër idesë së korrigjimit të kufijve të Kosovës me Serbinë. 

Ide kjo e proklamuar nga presidenti, njëherësh kryesuesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi.

“Jo ndarje të Kosovës por bashkim me Shqipërinë” është një ndër parullat që po përdoret në protestë. 

Image

***

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti po mirëpritet me duartrokitje e brohoritje në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, që është paralajmëruar si pika e fundit e takimit e protestuesve që po kundërshtojnë idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë të propozuar nga presidenti Hashim Thaçi.

Protestuesit tashmë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” ku është paralajmëruar se do të ketë edhe muzikë.

“Me hajna nuk ka shtet”, “Albin Kurti”, “Luginën e duam sa Prishtinën”, ”Demokraci”, janë vetëm disa nga parullat e protestuesve sot. 

Image

Kurti për vizitën e Thaçit në Ujman: Gjeste dhe inskenime komike që mund të kenë pasoja të rrezikshme

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, nga sheshi i Prishtinës ka reaguar ndaj vizitës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në veriun e Kosovës sot.

I pyetur nga media, Kurti e ka quajtur “gjest dhe inskenim komik” të Thaçit, vizitën e tij te liqeni i Ujmanit sot në veri të Mitrovicës.

Vizita e Thaçit në veri është e para e realizuar nga një president i Kosovës në pjesën veriore të Kosovës.

Por Kurti ka thënë se Thaçi sot tregoi që është pa popull.

“Protesta e popullit të Kosovës kundër aventurave dhe kundër akrobacioneve dhe lojërave të rrezikshme të këtij presidenti dëshmon që populli e do Republikën dhe është  e vendosur që ta shpëtojë nga aventurat e tij. Ai bënë inskenime në kushte kur është në këmbë një komb, kjo tregon që është tepër i brishtë dhe tepër i brengosur për karrigen e tij”, ka thënë Kurti.

“...ky president nuk ka mandate nuk ka platformë, nuk ka kredibilitet dhe legjitimitet . Sot u pa që nuk ka as popull, populli është këtu në sheshin e Republikës ndërkohë që ai bënë gjeste dhe inskenime që realist janë komike por duhet patur kujdes se mund të kenë pasoja të rrezikshme”, ka thënë kreu i VV-së, Albin Kurti nga protesta.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se protesta e sotme është mbrojtje e republikës dhe se kjo protestë tregon që populli nuk i nënshtrohet një njeriu si presidenti Thaçi, të cilin e ka quajtur akrobat.

“Betejat politike i ka gjeste personale. Kjo protestë tregon që një popull nuk i nënshtrohet një njeriu dhe se ne duhet ta mbrojmë Republikën. Akrobacionet janë marrëveshje skenike e tij me Vuçiqin. Le të bëhemi bashkë për republikën dhe le t’i themi mjaft këtij akrobati që po rrezikon edhe çlirimin dhe pavarësinë”, ka thënë Kurti.

***

Protestuesit e Lëvizjes Vetëvendosje tanimë kanë nisur marshin protestues nga Biblioteka Kombëtare drejt sheshit ‘Skënderbeu’.

Aty po shihen me mijëra protestues.

***

Me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur protestën në Prishtinë, ku ka ftuar mbështetësit e saj dhe qytetarët në përgjithësi, që t’i kundërshtojnë politikat e presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë dhe angazhimet e proklamuara për ndryshimin e kufijve.

Masa është tubuar para Bibliotekës Kombëtare, për të vazhduar drejt qendrës së Prishtinës.

Image

“Protesta e sotme është mbarëpopullore e mbarëkombëtare”, thuhet në njoftimin e partisë opozitare Vetëvendosje.

“Shumë mbështetës e qytetarë sot kanë ardhur nga Tirana dhe qytete të ndryshme të Republikës së Shqipërisë në përkrahje të kauzës së kësaj proteste”, theksohet në njoftimin e këtij subjekti politik.

Protestuesit po mbajnë në duar flamuj kombëtar shqiptarë dhe po brohorasin parulla kundër ndarjes së Kosovës.

“Kosova nuk e meriton këtë president”, ka deklaruar lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke bërë thirrje për largimin e tij.

Të premten, presidenti Hashim Thaçi kishte deklaruar se kjo protestë nuk është kundër tij, por, siç ka deklaruar ai, “kundër Luginës së Preshevës” dhe vullnetit të qytetarëve të tjeshëm për bashkim me Kosovën.

Paraprakisht, Vetëvendosje ka informuar edhe autoritetet e rendit për mbajtjen e protestës së sotme, duke bërë thirrje që gjithçka të shkojë qetë dhe pa incidente.

KDI: Mbi 77 për qind e të anketuarve kundër idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar ndërmarrjen e masave të nevojshme për siguri dhe ruajtje të qetësisë.

***

Janë mbledhur protestuesit para Biblitokës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, dhe filluan protestën e thirrur nga Lëvzija Vetëvendosje.

Protesta u organizua për ta kundështuar ndarjen e Kosovës, që sipas tyre, do të vinte pas idesë për korrigjim të kufijve të Kosovës përgjatë dialogut Kosovë – Serbi.

Image

***

Protestuesit e parë tanimë kanë arritur në Prishtinë. Ata aktualisht janë drejtuar drejt Bibliotekës Kombëtare, prej nga ku not ë nis marshi protestues.

Drejtpërdrejt nga protesta e Lëvizjes Vetëvendosje

Image

Lëvizja Vetëvendosje po mban një protestë paqësore kundër pazareve me Serbinë, për sovranitetin e vendit.

VV: Protesta është mbarë kombëtare

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se shumë mbështetës e qytetarë sot kanë ardhur nga Tirana dhe qytete të ndryshme të Republikës së Shqipërisë në përkrahje të kauzës së protestës.

Ndërkohë, protesta nis në orën 14:00.

Image

Gjithçka gati për protestë

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, po bëhen përgatitjet për protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, që do të nisë sot në orën 14:00 prej Bibliotekës Kombëtare.

Tashmë kanë dalë edhe policia, të cilët kanë njoftuar që nuk do të ketë ndonjë rrethojë të vendosur para qeverisë.

Ndërsa, disa kalimtarë të rastit, prapa kamerave kanë thënë se nuk janë të informuar për këtë protestë, e të tjerë kanë thënë se do të dalin sot të protestojnë.

Behram Shala, ka thënë se do të dalë sot në protestë për të protestuar kundër idesë së shkëmbimit të territoreve.

Sipas tij, sot duhet të gjithë në protestë.

Shala: Do të protestoj kundër shkëmbimit të territoreve

“Arsyet janë se presidenti Thaçi thotë shkëmbimin e territoreve, a nuk kallxon në Mitrovicë që po e jep Ujmanin e Trepçën. Çka kujton ai se ta jep Serbia? Paj Thaçi me pas fuqi në Amerikë, qysh po mendon, s’mund ta merr, se jo që s’ka kurgjo. Kjo është tmerr i tmerreve”, ka thënë Shala.

Ndërkaq, një qytetar tjetër po ashtu ka konfirmuar se do të marrë pjesë në protestë për ta shprehur vullnetin e tij.

Ejup Azemi tha se nuk do të lejojnë që një popull t’i nënshtrohet një njeriu.

Azemi: Nuk do të lejojmë që një shtet t’i nënshtrohet një njeriu

“Do të dalim, sigurisht që do t’i përgjigjemi ftesës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe do të shprehim vullnetin tonë, atë që është aktual për momentin, që nuk do të lejojmë që një shtet t’i nënshtrohet një njeriu”, ka thënë Azemi.

Rikujtojmë që organizatorët kanë njoftuar që protesta nën moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu” do të jetë paqësore, teksa pritet t’i bashkohen banorë të qyteteve të ndryshme të Kosovës. 

Protestuesit e parë nisen drejt Prishtinës

Tanimë janë nisur protestuesit e parë nga pesë qytete të ndryshme të Kosovës, drejt Prishtinës, ku Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar protestën kundër korrigjimit të kufijve.

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar nisje me transport falas për protestë nga 28 qytete të Kosovës.

Të parët që janë nisur rreth orës 11:00, janë protestuesit nga Dardana, Deçani, Juniku, Peja dhe Sharri.

Pas tyre, në orën 11:30, prite të nisen protestuesit nga Vitia, Istogu, Prizreni dhe Skënderaj. Kurse, në orën 12:00, VV ka organizuar transport për protestuesit nga Podujeva, Drenasi, Gjakova, Gjilani, Hani i Elezit, Kaçaniku, Obiliqi, Klina, Mitrovica, Rahoveci, Shtërpca dhe Suhareka.

Protestuesit nga Shtimja, Vushtrria, Fushë Kosova, Ferizaj dhe Malisheva, do të nisen në orën 12:30, për në Prishtinë. Ndërsa, ata nga Artana dhe Lipjani në orën 13:00.

Image

***

Lëvizja Vetëvendosje do të mbaj sot një protestë paqësore me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”.

VV ka akuzuar Thaçi po dëshiron t’ia japë Serbisë edhe Ujmanin e Trepçën, gjë që siç kanë thënë ata nuk mund ta lejojnë.

“Protesta e sheshi bëhen hapësirat e vetme dhe të domosdoshme për të shprehur bindjet dhe vullnetin tonë në mbrojtje të vendit”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Protestuesit do të nisen nga qytete të ndryshe drejt kryeqytetit, duke filluar nga ora 10:00, për të cilët VV ka siguruar transport falas.

Ata do të takohen te Biblioteka Kombëtare për të vazhduar në sheshin ‘Skënderbeu”, dhe do të përfundojë me një koncert në sheshin “Zahir Pajaziti”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat