Profesori i UP'së: Hashim, harroje që Vuçiqi të falë dicka

Aktuale

Profesori i UP'së: Hashim, harroje që Vuçiqi të falë dicka

Më: 29 shtator 2018 Në ora: 18:03
Agim Vinca

Profesori i Universitetit të Prishtinës, Agim Vinca ka komentuar idenë e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit për shkëmbimin e territoreve, apo siç po e quan ai “korrigjim të kufijve”. Vinca për të komentuar idenë e Thaçit ka përdorur “kalin e Trojës”, te Iliada e Homerit. Ai i ka thënë Thaçit që të heqë dorë nga kjo ide, pasi që Vucic nuk do i falë asgjë, duke aluduar kështu për Preshevën.

Vinca i ka sugjeruar Thaçit që të merr mësim nga kjo, dhe siç ka thënë ai të mbledhë mend, pasi që serbët nuk falin asgjë.

“Nuk të falin gjë ata. Jo. Harroje këtë punë, Hashim. Dhe mblidh mend”, ka shkruar Vinca.

Ky është postimi i tij i plotë:

KORRIGJIMI I KUFIJVE DHE THËNIA “TIMEO DANAOS ET DONA FERENTES!”

Nuk e di a e di Hashimi thënien “Timeo danaos et dona ferentes!”. Nuk besoj. Por ndonjëri nga këshilltarët e tij mund ta dijë dhe nuk do të ishte keq t’ia shpjegojë.

Kjo thënie e Virgjilit te “Eneida”, që është vazhdim i “Iliadës” së Homerit, ka kuptimin: “I kam frikë grekët edhe kur bëjnë dhurata!”.

Kur grekët, edhe pas dhjetë vjet luftimesh, nuk arritën ta mposhtnin Trojën, Odiseu i zgjuar e dinak mendoi një dredhi: Kalin e Drunjtë si dhuratë! Të gjithë trojanët u entuziazmuan nga ky gjest i kundërshtarit, vetëm plaku i urtë Laokoont e kundërshtoi atë. Tha se nuk duhej ta pranonin, duke shqiptuar fjalët: “Timeo danaos et dona ferentes!”  (I kam frikë danajtë/ grekët edhe kur bëjnë dhurata).

Trojanët nuk e dëgjuan plakun e urtë. Vendosën ta pranonin “dhuratën”, duke i prishur edhe muret që të mund ta futnin Kalin brenda, sepse Odiseu dinak e kishte bërë atë me përmasa pak më të mëdha sesa dyert e Trojës, në mënyrë që mashtrimi të ishte më i besueshëm. Kështu thotë studiuesi anglez i miteve antike, Robert Grevs, në librin e tij “The Greek Myths” (1955), të ribotuar me dhjetëra herë.

Ai që e kundërshtoi “dhuratën”, plaku i urtë me emrin Laokoont, prift, u anatemua dhe e ndëshkua bashkë me të bijtë.

Ata që e dënuan, e pranuan “dhuratën” dhe e pësuan.

U dhanë pas qejfit, pijes e orgjive, duke festuar “fitoren” dhe në mesnatë kur filloi t’i merrte gjumi një nga një, nga barku i Kalit të Drunjtë dolën ushtarët armiq që vranë e prenë e dogjën gjithçka, gjersa e rrënuan Trojën me themel.

Kështu thonë Homeri e Virgjili në epet e tyre të mëdha “Iliada”, “Odiseja” dhe “Eneida”.

Pas dhjetë vjet lufte, qëndrese e sakrificash, trojanët e pësuan, sepse u besuan atyre që s’duhej t’u besonin: danajve, alias grekëve.

I shpërfillën fjalët e plakut të urtë, Laokoont, porosinë e tij: “Timeo danaos et dona ferentes!” (I kam frikë grekët edhe kur bëjnë dhurata!).

Mos vallë edhe ne, në dhjetëvjetorin e Pavarësisë, me a pa dashje, sikur ecim gjurmëve të tyre (trojanëve)?!

Serbët janë më të zinj se grekët, kurse Vuçiqi e Daçiqi më të ligj se Uliksi, por jo edhe aq të zgjuar, natyrisht.

Nuk të falin gjë ata. Jo. Harroje këtë punë, Hashim. Dhe mblidh mend.

Historia, thonë, është mësuese e jetës. Duhet nxjerrë mësim prej saj.

Për një mësim të tillë ne mbase as që ka nevojë të shkojmë deri në antikë, na mjafton historia jonë kombëtare; historia e marrëdhënieve njëshekullore serbo-shqiptare, që është aq e përgjakshme.

Serbia si shtet që politikën e saj e ka mbështetur mbi elaborate antishqiptare, që nga Garashanini, Vukotiqi, Moleviqi e Çubrilloviqi e deri te Andriqi, Shesheli e Millosheviqi, nxënës të të cilëve janë edhe bashkëbiseduesit e sotëm të Hashim Thaçit dhe kreut politik kosovar,  jo vetëm që na ka pushtuar territore, një pjesë të të cilave i ka pastruar etnikisht, duke i dëbuar shqiptarët, por ka ushtruar edhe gjenocid mbi popullin shqiptar.

Tjetër punë që s’ia ka dalë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat