Lëvizja Vetëvendosje falënderon qytetarët për pjesëmarrjen në protestë

Aktuale

Lëvizja Vetëvendosje falënderon qytetarët për pjesëmarrjen në protestë

Nga: D.RR Më: 30 shtator 2018 Në ora: 13:11
Protesta e ditës së shtunë

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për publikun, ka falënderuar të gjithë qytetarët që ishin pjesë e protestës të së shtunës.

Ata thonë se pjesëmarrja masive në protestë, ishte një paralajmërim për pushtetarët s popullin e kanë kundër në idetë për pazare me Serbinë, veçanërisht copëtimin e Kosovës, përcjell “Bota sot”.

Komunikata e plotë:

FALENDERIM NGA LËVIZJA

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh mirënjohje e falënderim për të gjithë qytetarët që u bashkuan në protestën e djeshme. Ata masivisht treguan se republika nuk është biçikletë e presidentit. Republika e Kosovës i përket gjithë qytetarëve, dhe ajo nuk mund të përdoret për taktikat eksperimentale të presidentit Thaçi e të asnjë individi tjetër.

Pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në protestë nga të gjitha komunat e Kosovës, nga fshatrat e qytetet, pa dallim partie, shtrese shoqërore, moshe e gjinie, tregon edhe një herë se këta pushtetarë që bëjnë pazare për ndarje e copëtim të Kosovës e të Luginës, e kanë popullin kundër. Zhvillimi paqësor i protestës tregoi kulturën e qytetarinë, dhe pjekurinë politike të popullit tonë.

Falënderojmë posaçërisht protestuesit e ardhur nga mërgata, si dhe ata të ardhur nga trojet amtare, nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, nga Ohri, Tetova, Kërçova, Gostivari, Struga, Shkupi e Kumanova, nga Ulqini e Malësia, nga Tirana, Vlora, Korça, Shkodra, Kukësi e nga gjithë Shqipëria. Shqiptarët nuk mund të pranojnë zvogëlim tjetër të trojeve.

Kështu, të bashkuar, jemi të dinjitetshëm dhe të fortë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat