Majko tregon se çfarë e gjen Serbinë nëse e dërgon ushtrinë në Kosovë

Aktuale

Majko tregon se çfarë e gjen Serbinë nëse e dërgon ushtrinë në Kosovë

Më: 30 shtator 2018 Në ora: 14:54
Pandeli Majko

Korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është një dëshirë e Beogradit për të ngritur tension në rajon si një diplomaci verifikuese, falë edhe mbështetjes ruse.

Kështu shkruan në rrjetin social Facebook, ministri shqiptar i Diasporës Pandeli Majko duke kujtuar që është profesioni i Serbisë për të krijuar destabilitet, duke ju referuar historisë. Si ish-ministër Mbrojtjeje, Majko, shprehet se asnjë ushtarak nuk do ta këshillonte ndërhyrjen e Beogradit në Kosovë.

Sipas tij, është kohë që të reagojnë të gjithë pasi efekti rus në Ballkan mund të sjellë një krizë të vërtetë, pasi, sipas Ministrit, “Rusia nuk bën biznes, por preferon shahun”.

Reagimi i plotë i Majkos:

KORIGJIMI I STATUSIT TË SERBISË…

Kujtesa është një funksion i pasigurt në marrëdhënien me historinë. Ajo nuk vlerëson përsëritjen.

Serbët janë të kuptueshëm kur duan destabilitet. Ky është një “profesion” që historia jua ka njohur. Por, aktualisht ekziston veç një dëshirë e Beogradit zyrtar për të ngritur tensionin në rajon si një diplomaci verifikuese.

Presidenti Vuçiq dje në konferencë shtypi bënte pyetje në distancë. “Pse duhet të përmbahemi? Kjo është pyetja ime për BE. Ju lutem, Mogerini, Kocijanqiq të më shpjegoni çfarë të përmbahemi?”…

Po i njëjti Vuçiq në fundin e gushtit në Vjenë deklaroi se “… Ne e konsiderojmë Kosovën një vend të lirë…Ne duam të bëjmë diçka për njerëzit tanë. Ne duam të sjellim diçka të mirë për serbët dhe për shqiptarët”.

Shefi i të vetëquajturës “zyra për Kosovën” në qeverinë serbe zhvilloi dje leksione publike për historinë duke kujtuar situatën para konfliktit izraelito-egjiptian.

Politika e Beogradit ka marrë pamjen e kryeministres së saj ku paraqitja dhe përmbajtja janë dy gjëra të ndryshme. Serbia ka një administratë profesionale për t’i shpjeguar drejtuesve të shtetit se çfarë ndodh nëse ushtria serbe ndërhyn në territorin e shtetit të Kosovës. Ky shtet është nën mbrojtjen e NATO-s. Kjo ndërhyrje nuk do të ishte “korrigjim”. Ajo do të jetë një konflikt që një planifikues ushtarak nuk do ta këshillonte.

Evropa njihet për mungesën e aksionit por jo të reagimit. Ndërhyrja e Serbisë në Kosovë do të prodhonte një efekt domino i cili do të sillte ndërhyrjen e fuqive të mëdha. Kjo ndërhyrje nuk gjen shpjegim me historinë e konfliktit të Egjiptit me Izraelin.

Problemi kryesor i politikës amerikane dhe Perëndimin po shfaqet me “Koalicionin e Sirisë” i cili po prish balancat në Lindjen e Mesme. Koalicioni i Sirisë dhe Serbia kanë një marrëdhënie të ngushtë.

Serbët po shfaqin diplomacinë e “forcës” për shkak të përkrahjes së Moskës. Në vitin 1999 një grup ndërhyrjeje parashutistësh rus mori aeroportin e Prishtinës. Nëse uniformat ruse do të vinin nga baza e Nishit dhe do vendosen në urën e Mitrovicës “në mbrojtje të paqes”… kjo po… që do të ishte një krizë e vërtetë. Por, askush mos kërkojë protagonizëm pas kësaj.

Politika ruse nuk bën biznes. Ajo parapëlqen “shahun”.

Pyetja që duhet t’i bëjnë vetes pas kësaj politikanët e Beogradit është e vështirë. Do t’ju duhet të vlerësojnë nëse në një konflikt rajonal do t’ju mjaftojë “statusi i Asadit”. Dhe bëhet fjalë për një rajon thuajse të integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian ku nuk duhet t’u gënjejë mendja se do jenë “Izraeli” i Lindjes në Perëndim…

Kujtesa është funksioni më i pasigurt në marrëdhënie me politikën. Ajo nuk të jep pasqyrim të plotë të ngjarjeve veç të ndihmon të krijosh pasqyrimin e vetvetes.

Politika serbe është në një ditë të vështirë. Arsyeja është tek thjeshtësia e asaj që po vjen. Kjo është një kërkesë e papëlqyer në ish Beogradin e Titos. Të qenit një tokë e përbashkët e Lindjes dhe Perëndimit nuk funksionon më. Drama e vërtetë e Beogradit zyrtar është pamundësia për të qenë Jugosllavia e dikurshme. Kjo situatë nuk kalon me skërmitje. Nuk është hera e parë që politikanët serbë dobësinë e fshehin me shfaqje force.

Nëse Beogradi dëshiron të korrigjojë statusin e vet rajonal, ka një rrugë tjetër. Ai nuk kalon nga armiqësia me shqiptarët apo ndarjet etnike. Një shekull histori janë të mjaftueshëm për të vërtetuar këtë. Në fund, ky është një vendim serb. Privilegji i fundit për dikë në udhëkryqin midis paqes dhe konfliktit. Sigurisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat