Gatishmëria luftarake e Serbisë, eksperti i sigurisë: “Mjegull” për opinionin

Aktuale

Gatishmëria luftarake e Serbisë, eksperti i sigurisë: “Mjegull” për opinionin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 30 shtator 2018 Në ora: 23:19
Ushtria

Niveli i rritur i gatishmërisë luftarake mbetet ende në fuqi në Serbi dhe kjo pas vizitës së djeshme të Presidentit Hashim Thaçi në liqenin e Ujmanit dhe praninë e forcave speciale në veri.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se presidenti Aleksandar Vuçiq, me të cilin ai kishte sot një takim, urdhëroi që niveli i rritur i gatishmërisë luftarake të mbetet edhe më tej në fuqi dhe për çdo ndryshim të tij do të merret urdhri i ardhshëm.

“Sot në mëngjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë gjenerallejtënant Milano Mojsiloviq dhe unë kemi pasur një takim me presidentin e Republikës dhe komandantin suprem të Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilit i kemi referuar për nivelin e arritur mbi gatishmërinë luftarake dhe zbatimin e urdhrave që na janë dhënë”, ka thënë Vulin.

Ai theksoi se presidenti Vuçiq urdhëroi që niveli i gatishmërisë luftarake për shkak ‘të situatës’ në Kosovë, të mbetet në fuqi deri në një vendim të ri të veçantë.

Eksperti i sigurisë, Dirzan Shala, këtë veprim të Serbisë e quan lojë të tyre për të krijuar “mjegull” në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm të saj.

Image
Drizan Shala

Shala thotë se në aspektin kronologjik Serbia gjithmonë ka tentuar të inskenojë veprime të tilla.

“Veprimi i orkestruar nga qeveria e Serbisë për ngritjen e gatishmërisë së strukturave të sigurisë pas vizitës së Presidentit të Kosovës është një lojë e tyre për të krijuar një "mjegull" në opinionin e saj të brendshëm dhe të jashtëm të saj që atë pjesë e kontrollon Serbia. Në aspektin kronologjik Serbia gjithmonë ka tentuat që të inskenojë veprime të tilla. Sepse në atë pjesë të Serbisë operon me struktura të saj të sigurisë të kamofluar në struktura kriminale për të kontrolluar atë pjesë”, thotë Shala.

Serbia e përdor Kosovën për nevojat në arenën ndërkombëtare, thotë Shala, gjersa shton se kështu vepron që nga viti ’99.

“Serbia në vazhdën e politikës së saj nacionaliste ka vepruar që nga viti ‘99 deri më tani përmes një lufte speciale jo konvenzionale për të mbajtur Kosovën si "trampolin" për nevoja të saja në arenën ndërkombëtare”, pohon Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat