Pleqtë kërkojnë rritjen e pensionit

Aktuale

Pleqtë kërkojnë rritjen e pensionit

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 15:00
Ceremonia e organizuar nga Instituti i Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Moshuar, pensionistët kosovarë kanë kërkuar që t’u kthehet dinjiteti i humbur.

Në një ceremoni të organizuar nga Instituti i Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës për nder të kësaj dite, ata kanë kërkuar që t’u rriten pensionet, pasi që sipas tyre, me 75 euro nuk mund të jetojë një person i vetëm e lëre më të mbajë edhe dikë tjetër.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani tha se kjo ditë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimin për çështjet që prekin të moshuarit si dhe vlerësimin e kontributit të tyre në shoqëri.

Ai tha se në kuadër të angazhimeve të IKSHP-së është edhe prezantimi i  broshurës “Moshimi dhe Shëndeti”, që konsiderohet të jetë e dobishme për shfrytëzim nga politikanët, punëtorët social, shëndetësor, si dhe nga vet të moshuarit në suaza të përpjekjeve për të ngritur nivelin e vetëdijes dhe shprehive për të pasur një jetë sa më të shëndetshme. Ndërsa foli edhe për vaksinimin sezonal kundër gripit.

Ramadani: Të sëmurët kronik dhe t moshuarit të vaksinohen kundër gripit

“Nëpërmjet IKSHP-së ka filluar shpërndarja e këtyre vaksinave në të gjitha qendrat kryesore të mjekësisë familjare, në njësitë e vaksinimit në të gjitha komunat  e Kosovës ku qytetarët mund të vaksinohen. Prandaj, ftoj edhe njëherë në këtë shënim të Ditës së të Moshuarve, iu bëjmë thirrje të sëmurëve kronik dhe të moshuarve t’i shfrytëzojnë vaksinat kundër gripit sezonal”, tha Ramadani.

Sabrije Nimani nga Organizata Joqeveritare e Grave Pensioniste “Vita-Jeta”, tha se derisa të gjitha kategoritë financohen nga shteti, kësaj kategorie nuk iu shtua as një euro.

Ajo tha se shoqata dhe Sindikata e Pensionistëve kanë shtruar kërkesa që në bisedimet me Serbinë të kërkohet të kthehen mjetet financiare të pensionistëve të Kosovës, të rrëmbyera nga Serbia në kohën e sundimit të Millosheviqit, ndonëse një gjë e tillë nuk ndodhi.

Nimani: Edhe pse kërkuam, çështja e pensionistëve nuk u shtrua në dialogun me Serbinë

“Pala shtetërore kosovare nuk e shtroi asnjëherë këtë çështje në agjendën e dialogut me Serbinë. Si duket po presin që të vdesin sa më shumë pensionist para se të kërkohet të kthehet ai fond në mënyrë që të jetë sa më i vogël, kështu që ndoshta Serbia do të pranonte që me më pak shpenzime të përmbushte kriteret e veta shumë të rëndësishme për të hyrë në Evropë. Sot nuk mund të ekzistojë  asnjë pensionist i vetëm e lëre më të mbajë familjen me shumën që merr, e cila madje nuk i del as për medikamente të veta për të cilat ai ka nevojë",u shpreh ajo.

Në emër të pensionistëve të Kosovës, sekretari i Lidhjes së Pensionistëve, Hasan Berisha tha se gjendja aktuale në të cilën ndodhen pensionistët sot lë për të dëshiruar.

Pensioni i ulët që ata marrin, medikamentet e shtrenjta, si dhe mungesa e mjeteve financiare për të strehuar personat e moshuar, të cilët nuk kanë familje Berisha tha se janë disa nga problemet me të cilat ata përballen.

Berisha: Dinjiteti i pensionistëve është lënë pas dore

"Gjeneratat e vjetra, posaçërisht pensionistët pensionistët kontribut pagues, mendojnë se dinjiteti i pensionistëve është lënë pasdore. E fatkeqësisht edhe tash e tutje... Në 2016-ën është bërë një korrigjim i vogël, por problemet janë hala prezent... Janë 123 mijë pensione bazë që marrin, do të thotë pensione bazë që marrin, do të thotë mbi 65 vjeçar që janë... Ndërsa kontribut-pagues janë 44 mijë e që gjithsej kanë 171 mijë. 171 mijë me e konfrontu në 1 milion e 800 mijë del se 9.4 përqind janë të moshuar që realizojnë sadokudo një pension simbolik. Them simbolik sepse 126 mijë marrin vetëm 75 euro në muaj, që kur e pjesëton me 30 ditë sa i ka muaji, i bie që secili pensionist që e gëzon qat pension social, harxhon 2.5 euro në ditë. Që do të thotë se është kthim në pragun e varfërisë", u shpreh ai.

Sipas tij, as kontributpaguesit nuk janë larg, ata kanë mbi 5 euro në ditë për shpenzimet e tyre.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Granit Abdullahu, i cili tha se është për t’u krenuar fakti se Kosova ka popullsinë me moshën mesatare më të re në Ballkan. Mirëpo ftoi që t'i kushtohet vëmendje e posaçme të ardhmes së të rinjve.

Sipas tij, plakja e popullsisë është triumf i shoqërisë moderne ndërsa shtoi se asnjëherë nuk është vonë për të kundërshtuar sjelljet e rrezikshme, për të promovuar shëndetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat