Maxhuni ende pa zëvendës, tejkalohen afatet ligjore për emërimin e tij

Aktuale

Maxhuni ende pa zëvendës, tejkalohen afatet ligjore për emërimin e tij

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 17:07
AKI

Posti i zëvendësdrejtorit të AKI-së vazhdon të mbetet i lirë. Kjo ngase presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk kanë emëruar ende personin që do të zëvendësoj zëvendësdrejtorin e shkarkuar, Latif Merovcin.

Merovci është shkarkuar nga detyra më 3 gusht të këtij viti dhe kështu kanë kaluar 41 ditë pune që nga shkarkimi i tij, ndërsa në Ligjin për AKI-në, në nenin 6 specifikohet se presidenti i Republikës së bashku me kryeministrin emërojnë në afat brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë. Që i bie se është tejkaluar afati i paraparë kohor.

Media ka kontaktuar zyrtarë nga Presidenca, por ata nuk kanë dashur të flasin lidhur me këtë çështje.

Ndërsa ishte kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, ajo e cila ka bërë të ditur se emërimi i zëvendësdrejtorit të ri është çështje ditësh.

Në një prononcim për kp, pas mbledhjes që Komisioni pati sot, Musliu ka thënë se emërimi i zëvendësdrejtorit të ri duhet të ndodhë sa më shpejt pasi që mungesa e tij e vështirëson punën e drejtorit të përgjithshëm.

Musliu: Brenda 10 ditësh, AKI bëhet me zëvendësdrejtor

“Është shumë e rëndësishme që shumë shpejt të zgjidhet zëvendësdrejtori, duke e pasur parasysh që kemi vetëm 5 muaj emërimin e drejtorit në këtë pozitë dhe mungesa e zëvendësdrejtorit e vështirëson punën edhe të drejtorit të përgjithshëm. Ne i bëmë pyetje sot drejtorit Shpend Maxhuni rreth zhvillimeve për zgjedhjen e zëvendësdrejtorin, tha që kanë avancuar zhvillime në këtë drejtim dhe po shpresoj shumë që brenda një javë, 10 ditë do të jetë edhe zëvendësdrejtori i AKI-së. Të paktën kështu na është thënë sot në komision”, ka thënë ajo.

Musliu ka shtuar se, pavarësisht tejkalimeve të afateve ligjore  është e rëndësishme që megjithatë të zgjidhet njeriu i duhur në këtë pozitë. Kjo pasi sipas saj, për shkak të përgjegjësisë së punës.

Musliu: Është e rëndësishme të zgjidhet personi adekuat

“Unë e kam thënë edhe në më herët se për mua është më rëndësi që me u zgjidh njeriu adekuat, personi përgjegjës që me përgjegjësi dhe profesionalizëm e kryen atë punë, sesa të kemi nguti dhe thjeshtë të kemi edhe skandale dhe probleme siç ndodh rëndomtë”, u shpreh ajo.

Ndryshe, sipas ligjit për AKI-në, zëvendësdrejtori i AKI-së ndihmon drejtorin e AKI-së dhe drejton aktivitetet operacionale të njësive organizative të AKI-së nën mbikëqyrjen e drejtorit të AKI-së; zëvendësdrejtori i AKI-së përkohësisht kryen dhe ushtron përgjegjësitë e drejtorit të AKI-së gjatë mungesës apo paaftësisë të drejtorit. Në rast të paaftësisë të përhershme, zëvendësdrejtori i AKI-së kryen dhe ushtron përgjegjësitë e drejtorit të AKI-së deri në kohën kur zëvendësimi i drejtorit të KIA-s emërohet në mënyrë formale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat