Merr përkrahje për liberalizimin e vizave

Aktuale

Merr përkrahje për liberalizimin e vizave

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 18:26
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, deklaroi sot se migrimi ilegal është dukuri në ulje të vazhdueshme, viteve të fundit ka pësuar zvogëlim të jashtëzakonshëm, gjithë kjo falë ndryshimeve legjislative që ka ndërmarrë Kosova dhe reformave të tjera të cilat kanë fuqizuar sigurinë e kufijve.

Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi sot në Salzburg të Austrisë me sekretaren e shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të këtij vendi, Karoline Edtstadler, me të cilën diskutuan për pritjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës rreth lëvizjes së lirë.

Ministrja Hoxha theksoi se Kosova ka legjislacion pozitiv dhe vullnet të zbatoj marrëveshjet ndërkombëtare si dhe të ndikoj për uljen e emigrimit ilegal dhe ndëshkimin e krimit të organizuar.

Ajo po ashtu ka theksuar se Kosova ka mekanizmat për të lehtësuar riatdhesimin si organizimin e transportit, pajisjen me dokumente, banimin, shkollimin dhe çështjet e punësimit.

Ministrja Hoxha foli edhe për të mirat që sjell liberalizimi për qytetarët e Kosovës, pasi  duke pasur lëvizjen e lirë, të rinjtë do të marrin përvojat më të mira nga vendet e Shëngenit, dhe Kosova nuk përbën rrezik për migracion në asnjë formë.

Ndërsa, sekretarja austriake e shtetit Edtstadler theksoi se fuqizimi i sundimit të ligjit, reformat gjithëpërfshirëse dhe serioziteti institucional për të realizuar agjendat evropiane, janë detyra shtëpie për institucionet e Kosovës, duke shprehur optimizëm se sfidën e procesit integrues Kosova do ta kalojë me sukses, në veçanti për liberalizimin e shpejt të vizave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat