LDK fillon takimet me strukturat e saj

Aktuale

LDK fillon takimet me strukturat e saj

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 19:09
LDK

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka filluar takimet me strukturat e degëve të saj.

Kjo nismë ka filluar me takimin e sotëm në Klinë, ku të pranishëm ishin, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, kryetari i FRLDK-së, Fidan Rekaliu, deputetët Mirjeta Kalludra dhe Armend Zemaj.

Takimin e hapi kryetari i degës së LDK-së në Klinë, z. Fadil Gashi duke i falenderuar kryesinë për vizitën. 

Siç njofton LDK, Gashi ka thënë se kryesia e degës së LDK-së në Klinë, përkrahë qëndrimin e kryesisë së LDK-së dhe bashkë me anëtarët e degës do të mobilizohen dhe do t’i koordinojnë aktivitetet me organet e partisë për angazhim në të ardhmen.

Në emër të kryesisë së LDK-së, strukturave të degës së Klinës u është drejtuar Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, i cili ka folur për gjendjen aktuale në Kosovë, ka shprehur qëndrimin e LDK-së, në lidhje me dialogun, formimin e Forcave të Armatosura dhe për zgjedhjet e reja.

Ai ka thënë se LDK beson se çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut, LDK e mbështet dialogun dhe se tashmë ka formuar grupin punues për Platformën e dialogut, i cili grup do të jep korniza të qarta se si të vazhdohet tutje me dialogun.

Beqiri ka shprehur gatishmërinë e LDK-së për zgjedhje të reja, në mënyrë që dialogu të udhëhiqet nga institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe institucione legjitime të zgjedhura me votë të qytetarëve të Kosovës në zgjedhje të parakohshme, pasi që këto institucione kanë humbur fuqinë politike dhe legjitimitetin qytetar. Poashtu se LDK-ja është kundër ndryshimit të kufijve me Serbinë, në çdo rast ku cenohet territori, integriteti dhe sovraniteti i vendit.

Ai poashtu ka shprehur qëndrimin se LDK-ja mbështet formimin e Forcave të Armatosura në bashkëpunim me aleatët tonë të përhershëm SHBA-të dhe shtetet tjera evropiane, dhe në momentin që projektligji kalon në Kuvendin e Kosovës LDK-ja e voton.

“Beqiri është shprehur se LDK është parti e vlerave, është parti e tre gjeneratave, koezistenca e tyre e bën LDK-në parti me vlera të veçanta; LDK nuk mund të mendohet pa gjeneratën e vjetër, themeluesit dhe bartësit e punëve me vite të tëra, nuk mund të mendohet LDK pa gjeneratën e mesme dhe të re; të fuqizoj rolin e merituar të grave, është parti e cila ka nxjerrë ide mes tre gjeneratash, por para së gjithash është parti e cila është themeluar dhe po ndërtohet bazuar në filozofinë politike shtetërore të Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova. Të gjitha këto vlera e bëjnë LDK-në sot të jetë partia më e madhe, me grupin më të madh parlamentar dhe që në të gjitha sondazhet të dal e para sepse është vota e besimit të qytetarëve në vlerat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Anëtarët e kryesisë së LDK-së dëgjuan kërkesat e anëtarëve të kryesisë së degës së LDK-së në Klinë dhe ka shprehur gatishmërinë për mbështetje të degës, dhe gjithashtu ka kërkuar nga ta mobilizim të qytetarëve në aktivitete dhe gatishmërinë e tyre për zgjedhje.

Ky takim ishte shumë frytdhënës ku anëtarët tjerë biseduan gjatë dhe dhanë ide shumë të rëndësishme për aktivitetet në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat