Thellohet hendeku mes Veselit e Thaçit, Arsim Bajrami godet presidentin

Aktuale

Thellohet hendeku mes Veselit e Thaçit, Arsim Bajrami godet presidentin

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 11:55
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami,

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, ka thënë se nëse presidenti Thaçi futet në diskutime për kufijtë e Republikës së Kosovës, atëherë rrëshqet nga Kushtetuta dhe del jashtë mandatit të tij

Këto deklarime Bajrami i ka bërë gjatë një diskutimi në Grupin për Studime Ligjore dhe Politike që është duke u mbajtur sot me temë “Dialogu Kosovë - Serbi: Rrugë e gjatë deri te marrëveshja”.

“Parimi i mosnegocimit të kufijve ka qenë i pranishëm qysh para Pavarësisë. Nëse presidenti rrëshqet nga Kushtetuta, ai del nga mandati i vet”, është shprehur ish-ministri.

Sipas tij, Thaçi duhet të marrë miratimin e Kuvendit, në rast se dëshiron të futet në procesin e negocimit të kufijve.

“Nëse do të hyj në atë proces ai fillimisht këtë kërkesë duhet ta dërgojë në Kuvend”, ka thënë Bajrami.

Nënkryetari i PDK-së ka thënë se para çdo marrëveshjeje që pritet të arrihet me Serbinë, duhet pasur parasysh aktet themeltare të shtetit.

“Cilado marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, një shteti veçse 10-vjeçar, duhet medoemos të ketë parasysh aktet themeltare të shtetit. Është herët që ta diskutojmë Pakon e Ahtisaarit, që ka ndikuar në krijimin e paqes”, ka shtuar tutje ai.

Në këtë organizim ka folur edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avullah Hoti, i cili ka thënë se vetëm me votë mund të fitohet legjitimiteti për udhëheqje të dialogut me Serbinë.

“Ne nuk mund t'i themi Bashkësisë Ndërkombëtare "na lini ta bëjmë vetë marrëveshjen" Legjitimiteti për udhëheqje të dialogut mund të fitohet vetëm me votë”, ka deklaruar Hoti.

Edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës përcakton çdo pëllëmbë të territorit të Republikës së Kosovës.

“Pika e vetme dhe e pashmangshme është Kushtetuta e vendit, dispozitat e së cilës nuk çojnë asnjë organ tjetër pos në drejtim të Kuvendit si përcaktues i çdo pëllëmbe të territorit të Kosovës”, ka thënë Hasani.

Ideja e Thaçit për lëvizje të kufijve është kundërshtuar nga të gjitha partitë politike në vend dhe gjithashtu edhe nga shtetet përkrahëse të Republikës së Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat