Haradinaj: Abelard Tahiri është ende ministër, nuk ia kam aprovuar dorëheqjen pa u konsultuar me Veselin

Aktuale

Haradinaj: Abelard Tahiri është ende ministër, nuk ia kam aprovuar dorëheqjen pa u konsultuar me Veselin

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 15:21
Haradinaj tha se një ditë më parë Tahiri ia ka paraqitur kërkesën për dorëheqje, por nuk e ka pranuar pa u konsultuar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nga e cila parti është Tahiri.

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, deklaroi se Abelard Tahiri është ende ministër i Drejtësisë, ndërsa në lidhje me emërimin e Endrit Shalës për ministër të Tregtisë dhe Industrisë, u shpreh se janë partitë politike ato që mbajnë përgjegjësi për ministrat që kanë aktakuza.

Ai në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë tha se nuk e ka pranuar dorëheqjen e ministrit Tahiri, pasi ka pritur të konsultohet me kryetarin e PDK-së Kadri Veseli.

Haradinaj: Abelard Tahiri është ende ministër

“Abelardi është ende ministër. Do të thotë ende nuk është definitive dorëheqja e tij, unë nuk e kam pranuar dorëheqjen. Kam pritur konsultat që të konsultohem me kryetarin e PDK-së, z.Kadri Veseli. Kam pasur në konsultë dje dhe do ta kem një sot. Si të vendos PDK do të ndodhë. Minsitrat janë propozime politike prej partive politike. Megjithatë, ju siguroj se Abelardi ka qenë dhe është ministër shumë i mirë. Për emra të tjerë nuk e di për besë, sepse ka pasur shumë spekulime dhe është në të drejtën e PDK-së me bë parashikime, me parapa rifreskim... Unë do t’i respektoj propozimet politike të tyre”, u shpreh ai.

Sa i përket arsyeve të dorëheqjes së ministrit të Drejtësisë, Haradinaj tha se mund të jenë edhe me karakter të brendshëm.

Haradinaj: Shpresoj që PDK të mos ia heq besimin Tahirit

“Ai më ka thënë se janë argumente të shumta. Disa prej të cilave mund të jenë të brendshme, të partisë në fjalë dhe e respektoj sido që të vendosë partia e tyre. Nëse e ka fatin e ministrit të Tregtisë, e riflasim bisedën tonë. Por shpresoj të mos ta ketë. Pra, partia e tij të mos ia heqë besimin, në këtë rast PDK-ja”, tha kryeministri Haradinaj.

I pyetur nëse kjo ka të bëjë me vizitën që ministri Tahiri kishte në liqenin e Ujmanit me presidentin Hashim Thaçi, Haradinaj u shpreh i rezervuar, ndërsa tha se nuk ka qenë befasi.

Haradinaj: Nuk besoj se dikush është befasuar nga ajo që ka parë

“Nuk e di për besë. Vështirë e kam me thënë. Ajo që mund t’iu them është që të gjithë e dinë se ministri Tahiri ka qenë bashkëpunëtor i Thaçit gjatë një kohë. Nuk besoj se dikush është befasuar nga ajo që ka parë”, u shpreh ai.

Lidhur me emërimin e Endrit Shalës për ministër të Tregtisë dhe Industrisë, kryeministri Haradinaj tha se partitë politike janë ato që mbajnë përgjegjësi për ministrat që kanë aktakuza. Megjithatë theksoi se do të ishte më mirë sikur të kishin një qeveri pa aktakuza.

Haradinaj: Është mirë të kemi Qeverinë pa asnjë aktakuzë

“Emërimi i Endrit Shalës nuk është përzgjedhja ime, është përzgjedhja e partisë politike Nisma. Ata si subjekt politik i marrin përgjegjësitë  dhe unë e respektoj, pra kjo është marrëdhënia në koalicion. E di që Shala ka një aktakuzë të një incidenti kur është shtënë me armë. Ta shohim se si do të shkojë rrjedha e saj, unë nuk do të ndërhyjë në rrjedhën e proceseve të tilla. Mirë është me e pas qeverinë pa asnjë aktakuzë”, është shprehur ai.

Kreu i ekzekutivit tha se fakti që prokurorët ndjehen të lirë për të vepruar në bazë të ligjit për të gjithë pa marrë parasysh posteve, është një tregues që do t’i japë efektet e veta.

Ndërsa për shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, Haradinaj tha se nuk ka pse të nxitohet dhe se projektligji do të kalojë me procedura të rregullta.

Haradinaj: Abelard Tahiri është ende ministër, nuk ia kam aprovuar dorëheqjen pa u konsultuar me Veselin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk e ka pranuar dorëheqjen e ofruar një ditë më parë nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Ai e ka vlerësuar lartë kontributin dhe angazhimin e ministrit Tahiri për të cilin raportohet se ka kërkuar që të lirohet nga detyra e tij prej kryesuesit të sistemit të drejtësisë.

”Abelard Tahiri është ende ministër, ende s’është definitive dorëheqja e tij. Dje nuk e kam pranuar dorëheqjen e Abelard Tahirit”.

”Kam pritur që të konsultohem me Kreun e PDK-së, dje kam pasur një takim edhe sot pritet ta kem një”.

”Abelardi është një ministër i respektuar në Qeveri.

I pari i Qeverisë së Kosovës, më tej ka thënë se ende nuk e di nëse kërkesa e Abelard Tahirit për dorëheqje ka lidhje me shoqërimin e presidentit Hashim Thaçi në Veri.

”Biseda për dorëheqje me zotrin Abelard Tahiri ishte vetëm gojore, ende nuk kam pranuar shkresën. Ka thanë se kam argumente të shumta për dorëheqje”.

”Nuk e di, ajo çfarë dijmë është se Ministri Tahiri ka qenë bashkëpunëtorë i zotrit Thaçi. Në punë Ministri Tahiri ka qenë kompetent. Sidoqoftë vendimet janë të partive politike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat