Qëndrimi gjarpërues i Hashim Thaçit për meritat për ushtrinë

Aktuale

Qëndrimi gjarpërues i Hashim Thaçit për meritat për ushtrinë

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 17:46
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Hashim Thaçi: Procedimi i kësaj çështje sot, nëse është i vërtetë, është ditë e gabuar në këtë ditë historike të Kosovës, sepse nuk kemi nevojë në këtë mëngjes me dërgu këtë mesazh të gabuar miqve dhe partnerëve tanë evropianë. Për këtë propozim, nëse është i vërtetë, Presidenti nuk është i informuar. Nuk besoj që janë të informuar as partnerët tanë, SHBA dhe NATO, sepse do të isha i informuar edhe unë.

Vlerësimi: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndërruar qëndrim brenda pak kohësh sa i përket iniciativës së kryeministrit për të bërë FSK-në ushtri përmes tri projektligjeve. Madje, iniciativa e Haradinajt nuk është kundërshtuar ende nga bashkësia ndërkombëtare siç kishte ndodh me iniciativën e Thaçit dhe me paralajmërimin e Thaçit për iniciativën e Haradinajt. Përveç faktit të ndërrimit të qëndrimit, përplasjet në mes të kryeministrit dhe Presidentit janë tentativë për marrje të meritave dhe manipulim të opinionit.

Pak minuta para se Qeveria e Kosovës të miratonte tri projektligjet për FSK-në, Hashim Thaçi kishte mbajtur konferencë për media me datën 13 shtator. Në atë konferencë, Thaçi ishte pyetur se nëse ka informacione që Qeveria e Kosovës po planifikonte t’i kalonte ligjet e FSK-së.

Thaçi ishte shprehur i habitur me këtë vendim të Qeverisë, duke thënë madje se si President i Kosovës nuk ka asnjë informacion.

Ai madje ishte shprehur skeptik duke e quajtur ditë të gabuar për procedim tutje të kësaj çështje.

“Procedimi i kësaj çështje sot, nëse është i vërtetë, është ditë e gabuar në këtë ditë historike të Kosovës, sepse nuk kemi nevojë në këtë mëngjes me dërgu këtë mesazh të gabuar miqve dhe partnerëve tanë evropianë”, kishte thënë Thaçi.

Presidenti pretendonte se meqë ai nuk është informuar, nuk janë të informuar as SHBA-ja e NATO për këto ligje.

“Për këtë propozim, nëse është i vërtetë, Presidenti nuk është i informuar. Nuk besoj që janë të informuar as partnerët tanë, SHBA dhe NATO, sepse do të isha i informuar edhe unë”, kishte deklaruar në mes tjerash Thaçi.

Mirëpo po atë ditë, pas votimit të 3 projektligjeve në FSK-së, Kryeministri Haradinaj në konferencë për media tha se të gjithë kanë qenë të njoftuar.

“Sot askush nuk është i befasuar, nuk ka faktor vendor apo ndërkombëtar që sot është zënë në befasi”, kishte deklaruar Haradinaj pas befasimit të Thaçit.

Ndërsa pak orë më vonë, Thaçi ndryshoi komplet qasjen dhe qëndrimin e tij karshi vendimit të Qeverisë. Ai përmes një statusi në Facebook vendosi ta përvetësoi këtë iniciativë.

Përderisa në orët e parë të ditës, Thaçi deklaronte se nuk janë të informuar as SHBA-ja e as NATO, në mesditë deklaronte se aleatët e dinë që ky proces duhet të mbyllet pa vonesa.

“Aleatët tanë e dinë që ky proces duhet të përmbyllet pa vonesa. Po ashtu, e kemi bërë të qartë që askush, asnjë faktor i jashtëm, nuk mund të ketë veto në shtetndërtimin tonë”, deklaronte Thaçi.

Iniciativa e tij e parë për transformimin e FSK-së përmes ligjit kishte dështuar. Ajo asnjëherë nuk kishte vazhduar tutje proceduralisht, pasi Qeveria e kaluar e Mustafës nuk e kishte nxjerrë fare në votim, për shkak të mospërkrahjes ndërkombëtare në atë kohë.

Pas kthimit nga Amerika, ku liderët shtetëror morën pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të  Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Thaçi po vazhdon ta përvetësoj këtë agjendë.

Përderisa të shtunën në Kosovë po protestohej kundër Hashim Thaçit, Kryeministri po qëndronte në Amerikë, e Kadri Veseli në fshatin e presidentit, ky i fundit udhëtoi fshehurazi për në veri të vendit, e pastaj i mblodhi pjesëtarët e FSK-së dhe ua rrëfeu projektligjet e FSK-së në kazermën “Adem Jashari”.

“Procesi i tranzicionit të FSK-së në Ushtri të Kosovës, tanimë definitivisht ka hyrë në fazën e fundit. Kjo nënkupton se në muajt në vijim të miratohen tri ligjet për FSK, në një procedurë krejt të rregullt, e këto janë: Ligji për mandatin e ri të FSK-së, Ligji për statutin e pjesëtarë të FSK-së dhe ligji për ministrinë e mbrojtjes. Deri këtu tash e dy dekada kemi arritur në partneritet të plotë me SHBA-në dhe me NATO-në”, ka thënë ai. “Më ketë partneritet do të vazhdojmë deri në zyrtarizmin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe deri në ditën kur të jemi gati të bëhemi pjesë e aleancës veriatlantike. Si komandat suprem i FSK-së sot dhe Forcave të Armatosura së shpejti e them me bindje të plotë se kjo forcë është dhe do të mbetet krenari e kombit. Forcat e Armatosura të Kosovës do të kontribuojnë në ruajtën e paqes dhe stabilitetin në Kosovë por edhe në rajon. Do të jetë një ushtri multientike.”

Sot, Kryeministri Ramush Haradinaj e konfirmoi se projektligjet e FSK-së ndodhen në Kuvend të Kosovës dhe se do të ndiqen të gjitha procedurat sepse nuk është me nxitim.

Thaçi në 2014, gjatë parakalimit të FSK-së, kishte deklaruar se ky do të jetë i fundit si FSK, pasi vitin e ardhshëm (2015), ky institucion do të njihen me Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Ky do të jetë parakalimi i fundit i Forcës së Sigurisë së Kosovës, në shënimin e përvjetorit të pavarësisë, pasi vitin e ardhshëm ky institucion do të njihet me emrin Forcat e Armatosura të Kosovës”, kishte deklaruar Thaçi.

Krypometri e kishte cilësuar këtë si rrenë të kryptë./Kallxo/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat