O'Connell: Zyrtarët nuk duhet të mendojnë për përfitimet personale

Aktuale

O'Connell: Zyrtarët nuk duhet të mendojnë për përfitimet personale

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 15:26
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O'Connell

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O'Connell ka deklaruar se prokurimi publik në Kosovë përballet me sfida të ndryshme duke shtuar këtu edhe skandalet dhe kontratat e fryra, që vinë si mungesë e vullnetit politik për t’i ndaluar.

O'Conell i bëri këto komente me rastin e nënshkrimit të memorandum bashkëpunimi me krerët e Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Shëndetësisë, Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Agjencisë Qendrore të Prokurimit, me qëllim të rritjes së llogaridhënies, transparencës dhe qeverisjes së mirë në procesin e prokurimit, ku ambasadori tha se me këtë projekt arrijnë të fuqizojnë qytetarët për mundësinë e kërkimit të llogaridhënies.

Pas nënshkrimit të këtij memorandumi, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se tash është më e lehtë qasjen në dokumente zyrtare.

"Jemi transparent para qytetarëve të Kosovës, kjo dëshmohet edhe me nënshkrimin e këtij memorandumi", shtoi Lekaj.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili u shpreh se kjo ministri është munduar që të ndalojë keqpërdorimin e parasë publike, dhe një gjë e tillë sipas tij është vërejtur.

"Duhet të kemi një sistem të qëndrueshëm, që të luftohet vet korrupsionin, jo vet ministria. Ne nuk mund të bëjmë veç vet dhe e kemi mirëpritur këtë përkrahje", shtoi Ismaili.

Mes tjerash ai ka pohuar se ka pasur raste kur pacientët kanë mbetur pa barna për shkak të keqpërdorimit të parasë publike.

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka falënderuar ambasadën që ua kanë besuar punën atyre si institut për monitorim të tillë dhe ekspertizë të KDI-së.

Faruk Hajrizi, kryesues i Bordit të KEK'ut tha se kjo iniciativë do t'i ndihmojë dhe shërbejë edhe KEK'ut, ku ka edhe vend për përmasime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat