Ilir Meta kundër Hashim Thaçit: Korrigjimi i kufijve rrezikon rihapjen e “Kutisë së Pandorës” në Ballkan

Aktuale

Ilir Meta kundër Hashim Thaçit: Korrigjimi i kufijve rrezikon rihapjen e “Kutisë së Pandorës” në Ballkan

Nga: M.L Më: 3 tetor 2018 Në ora: 22:05
Intervistë e Presidentit Meta dhënë për “Zërin e Amerikës”

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, në fjalën e tij në OKB por edhe në Uashington, është shprehur kundër idesë së ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, që po cilësohet si një element i ri që ka dalë në bisedimet finale ndërmjet tyre.

Lidhur me këtë, Presidenti Meta ka folur në një intervistë për VOA duke thënë se tema e ndryshimit të kufijve është humje kohe dhe në rastin më të keq do të rrezikonte rihapjen e “Kutisë së Pandorës” në Ballkan.

“Besoj se ka pasur një debat të gjerë dhe natyrisht edhe interpretime apo spekulime nga më të ndryshmet. Ndaj kam thënë që në rastin më të mirë kjo është humbje kohe, kjo tema e ndryshimit të kufijve. Në rastin më të keq na rrezikon që të rihapim “Kutinë e Pandorës” në Ballkan”, është shprehur ai.

Meta ka deklaruar se nuk duhet harruar arsyen se përse është nisur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Përsa i takon Presidentit Thaçi, mendoj se Presidenti Thaçi asnjëherë nuk ka folur për ndryshim kufijsh apo për shkëmbim territoresh. Ai ka përdorur një term të veçantë, “korrigjim”, duke pretenduar apo duke mirëkuptuar një aspiratë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën. Dhe natyrisht që pas kësaj ka patur një riaktivizm të atyre që realisht janë më të interesuar për ndryshimin e kufijve në Ballkan apo për të folur për territore, kur në fakt nuk duhet të harrojmë të gjithë përse u nis dialogu midis Serbisë dhe Kosovës dhe kur nisi ky dialog. Ky dialog nisi pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në përgjigje të pretendimit të Serbisë për t’u shprehur për paligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, u shpreh pikërisht që kjo pavarësi ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Pra pavarësia nga ana politike ishte legjitime, sepse ishte një pavarësi e imponuar nga genocidi që ndodhi. Dhe ishte pastaj Paketa Ahtisaari ajo që çeli rrugën e pavarësisë në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar. Dhe së dyti, Kosova shumë shpejt u bë një realitet i njohur nga të gjithë, nga shumica e vendeve të OKB-së, nga të gjitha vendet fqinje, përveç Serbisë, dhe ndërkohë Serbia dëshironte të ecte përpara në procesin e integrimit europian për të hapur kapitujt e saj”, ka potencuar ai.

Sipas Presidentit Meta, çdo përpjekje tani për të dalë në tema të tjera, është humbje kohe dhe është e rrezikshme. “Kështu që në mënyrë të natyrshme u çel dialogu me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian për t’i dhënë zgjidhje problemeve të Serbisë me fqinjët, pra problemit me Kosovën, por njëkohësisht edhe për të normalizuar marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve.

"Çdo përpjekje tani për të dalë në tema të tjera më duket se është humbje kohe dhe është e rrezikshme. Nuk mendoj se duhet të spekulojmë dhe me qëndrimin amerikan, pra me idenë se ka ndryshuar qëndrimi amerikan. Qëndrimi amerikan, europian dhe i kujdo tjetër, sepse nëse dikush thotë që duam të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme, e cila nuk cënon stabilitetin, që garanton zbatueshmërinë, etj., do të ishte “OK”, shumë mirë dhe kjo do të ishte shumë normale. Por, në qoftë se ecet në një temë të tillë, të ndryshimit të kufijve, ne e dimë se kjo hap shumë çështje dhe hap shumë pasigurira, sepse kufijtë në kompjuter mund t’i bësh për dy minuta, por për t’i zbatuar në realitet, ne e dimë se çfarë ndodh”, ka nënvizuar ai.

Presidenti i Shqipërisë ka përmendur me këtë rast problemin ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë, duke thënë se të dyja janë vende anëtare të BE-së dhe kanë raporte të përafërta.

“Vetëm një gjë dua të them: Në Ballkan, dy vende, të cilat nuk kanë problem territoresh, por kanë problem demarkacioni le të themi, siç është Sllovenia dhe Kroacia, që janë edhe anëtare të BE-së, dhe ende, apo jo, dhe ka edhe vendim gjykate, ende nuk është një çështje e përfunduar. Dy vendeve do të thosha, shumë më të emancipuara dhe në një raport shumë më të afërt. Kemi rastin e Malit të Zi me Kosovën. U miratua nga qeveria e mëparshme e Kosovës marrëveshja, edhe pse ishte me shumicën më të madhe në parlament që kishte dy të tretat, nuk e kaloi dot për tre vite. Përse? Për disa pyje ku nuk banon askush dhe kur dihet që marrëdhëniet e Malit të Zi me Kosovën janë të shkëlqyera, janë shumë të mira”, ka potencuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat