Apostolova: Vendet e rajonit me elemente të qarta të shtetit të kapur

Aktuale

Apostolova: Vendet e rajonit me elemente të qarta të shtetit të kapur

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 11:31
Nataliya Apostolova,Hashim Thaçi, Shaip Havolli

Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ia ka rikujtuar vendeve të Ballkanit perëndimor se strategjia e zgjerimit pranon se vendet në rajon tregojnë elemente të qarta të shtetit të kapur duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe një zgjerim të fuqishëm të interesave private dhe publike.

Apostolova këto komente i bëri në hapjen e punimeve të konferencës dy ditore rajonale kundër korrupsionit, të organizuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, ku po marrin pjesë drejtues të institucioneve relevante nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Italia, Kroacia, Mali i Zi, Moldavia, Turqia.

Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se korrupsioni pengon përparimin, minon institucionet demokratike, rritjen ekonomike dhe proceset vendimmarrëse politike. Ajo përmendi edhe strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor 2018 që konfirmon të ardhmen evropiane të rajonit dhe i sheh këto vende si pjesë integrale të familjes së BE-së në të ardhmen.

Apostolova: Strategjia, pranohet se vendet e rajonit janë të kapura

“Më lejoni të kujtoj këtu strategjinë e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor 2018 që konfirmon të ardhmen evropiane të rajonit dhe i sheh këto vende si pjesë integrale të familjes së BE-së në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, strategjia pranon se vendet në rajon dhe unë po citoj “tregojnë elemente të qarta të shtetit të kapur duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe një zgjerim të fuqishëm të interesave private dhe publike. Pra, lufta kundër korrupsionit mbetet një prioritet kyç për BE-në dhe tërë rajonin“, ka thënë Apostolova.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, në hapjen e kësaj konference, tha se qëllimi i kësaj konference është që të bashkojë udhëheqësit e institucioneve kundërkorrupsion të Evropës juglindore, së bashku me institucionet përgjegjëse për krijimin e politikave kundërkorrupsionit.

Havolli: Të forcohet bashkëpunimi rajonal në zbatimin e politikave kundër korrupsion

“Gjatë kësaj konference dy ditore do të diskutojmë dhe elaborojmë të gjitha këto tema me qëllim të realizimit të progresit dhe njëherit të forcohet edhe bashkëpunimi rajonal në zbatimin e politikave ndërkombëtare kundër korrupsion, shkëmbim përvojash, shkëmbi informacionesh, dhe mbi të gjitha me theks të veçantë shkëmbimi i informacioneve që lidhen me pasuritë e zyrtarëve të lartë dhe pasuritë tjera“, ka thënë Havolli.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se legjislacioni në Kosovë në vazhdimësi plotësohet, ndërkohë është shtuar buxheti për institucionet e ligjit, duke shtuar edhe gjyqtarë dhe prokurorë. Ai ka thënë se e dinë që lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është e lehtë dhe e shkurtër por janë të vendosur të ecim përpara.

Thaçi: Numri i veteranëve, mashtrim i madh

“Pres të identifikohen sfidat rajonale kundër korrupsionit, mundësitë e bashkëpunimit por edhe hapat për të tejkaluar sfidat e identifikuara, prandaj mirëpres rekomandimet e juaja që dalin nga puna e juaj nga kjo konferencë, rekomandimet e juaja mirëpres edhe për faktin që kam paralajmëruar rishikimin  e Këshillit Kombëtar kundër korrupsionit, i cili është një trup koordinues nën udhëheqjen e presidentit. Me këtë synojmë dinamizëm dhe avancim të punës së tij....shembull eklatant është çështja e veteranëve të UÇK, ne të gjithë duhet t’i inkurajojmë sistemin e drejtësisë që kësaj çështje t’i shkoj deri në fund, me një transparencë dhe përgjegjësi të plotë, e vërteta është mese e qartë, nuk ka pasur më shumë se 12, 15 mijë njerëz me armë dhe uniformë, ndërsa, të tjerët janë vetëm mashtrime, prandaj këtij mashtrimi të madh me humbje të buxhetit të Republikës së Kosovës duhet t’i shkohet deri në fund përmes drejtësisë dhe jo kërcënimeve apo presionit politik prej kujtdo qoftë që vinë“, ka thënë ai, duke ftuar përfaqësuesit ndërkombëtar që të japin kontributin e tyre në anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, konferenca e të cilit do të mbahet në javën e tretë të nëntorit.

Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O'Connell, lufta kundër korrupsionit nuk është problem vetëm rajonal por ka prekur gjithë vendet e botës. Sipas tij, korrupsioni jo vetëm që po e zvogëlon mirëqenien dhe prosperitetin por në të njëjtën kohë është shndërruar edhe në financues të rrjeteve të terrorizmit në botë, gjë që është kthyer në një problem global.

O'Connell: Të pa korruptuarit duhet të quhen heronj

“E vërtet se pushtetarët sot janë të ekspozuar ndaj korrupsionit por vetëm ata me integritet të fort, ata që janë të përkushtuar për ardhmërinë e vendit të tyre mund të jenë të pa prekshëm ndaj korrupsionit, pikërisht ata pushtetar duhet të jenë shembull për të rinjtë dhe duhet të quhen heronj të ditëve të sotme....Unë kam dëgjuar thirrjen e presidentit dhe Qeverisë për përkrahjen e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL. Ne si Britani e përkrahim fuqishëm sepse anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL do të ishte në interes të të gjithëve“, ka thënë O'Connell.

Kurse, ambasador i Republikës së Italisë, Piero Cristoforo Sardi tha se lufta kundër korrupsionit bie në kuadër të luftës më të gjerë kundër krimit të organizuar dhe është pjesë e përpjekjeve të përgjithshme për të përforcuar atë që është e nevojshme për të zbatuar sundimin e ligjit.

Sardi: Anëtarësimi në BE, varet nga lufta kundër korrupsionit

“Nuk është çudi që, siç e theksoi më herët ambasadorja Apostolova, lufta kundër korrupsionit është një pjesë integruese e bashkësisë kyçe dhe është një nga karakteristikat kryesore mbi të cilat performanca dhe rezultatet, përcaktimi dhe aftësia për të zgjedhur kandidatët dhe vendet e mundshme kandidate si Kosova maten dhe do të vazhdojnë të maten“, ka thënë ai.

Kryesuese e Komisionit parlamentar për legjislacion, Albulena Haxhiu, në emër të komisionit kërkoi nga Agjencia që të vazhdojë në drejtim të parandalimit dhe luftimin e korrupsionit.

Haxhiu: Një zyrtarë mban edhe nga 6 vende pune

“E vetmja që nuk është adresuar ende ka të bëjë me vendet e punës që mban një zyrtarë, ta zëmë sot në Kosovë ka shumë zyrtarë që mbajnë 2,3,4,5, madje edhe 6 vende pune, prandaj unë iu inkurajojë që sot të diskutoni për këtë “, tha Haxhiu.

Ndërsa, ambasador i Zvicrës, Jean-Hubert Lebet, tha se për ta luftuar korrupsionin duhet përkrahje politike.

Konferenca ka për qëllim që të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Konferenca rajonale kundër korrupsionit është e para këtij formati që organizohet në Kosovë dhe synon që të bëhet tradicionale përmes miratimit të një deklarate të përbashkët në përmbyllje të punimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat