Në rrethana të panjohura, 57-vjeçari Sefer Berisha, para dy muajsh u gjet pa shenja jete në veturën e tij, në malin e fshatit Lladrovc të Malishevës. Policia kishte kontatuar se ai u vra me armë zjarri por nuk kishin rënë në gjurmët e dorasit. Sot, është arrestuar e dyshuara kryesore, bëhet fjalë për gruan me inicialet N. Rr., 51-vjeçare. Policia ka konfirmuar se vrasja dyshohet të ketë ndodhë për motive të ulëta.
“Ngjarja dyshohet se ka ndodhë për motive të ulëta”, tha Lirije Podrimaj, zyrtare për informim në Policinë e Gjakovës.
Familjarët kishin deklaruar se i ndjeri nuk kishte probleme me askënd dhe momentin kur kishte dalë nga shtëpia kishte thënë se po shkonte te doktori i dhëmbëve. Por më pas familja kishte marrë lajmin për vdekjen e tij.
Sidoqoftë, gjatë ditës së sotme është arrestuar gruaja që dyshohet se ia mori jetën atij.
“Po ashtu në cilësi të provës materiale është gjetur dhe është konfiskuar arma e zjarrit me të cilën dyshohet se është kryer vepra. Me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarës i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh”, tha policia.