Komandant Drenica i kthehet Koshares

Aktuale

Komandant Drenica i kthehet Koshares

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 16:58
Foto

Luftëtari i lirisë Jetullah Gashi, i njohur si komandant Drenica dhe komandant Jeta është rivarrosur sot në Kompleksin Memorial në Koshare, pranë bashkëluftëtarëve të tij.

Në vendin ku Jetullah Gashi kishte luftuar së bashku me të tjerët në mbrojtje të atdheut, u tha se komandant Drenica kishte qenë strateg e trim i pashoq.

Në akademinë përkujtimore, i pari ka folur komandanti me të cilin komandant Drenica nuk ishte ndarë asnjëherë nga vija e frontit, Fadil Hadërgjonaj.

Ky i fundit u shpreh se komandant Jeta u kthye sot aty ku e fitoj pavdekësinë.

Hadërgjonaj ka kujtuar kohën e luftës ku u shpreh se në Koshare burra e gra morën mbi vete barrën e rëndë për të realizuar idealin shekullor të vendit, sipas tij barrën për ta zhbërë kufirin shqiptaro-shqiptar më qëllimin përfundimtar për çlirimin e vendit.

Ai ka kujtuar edhe kohën kur për herë të parë ishte njohur me komandant Drenicën, i cili kishte qenë në vijën e frontit në Rrasë të Koshares.

Sipas tij, Rrasa e Koshares ishte jetike për të dyja palët ndërluftuese, pasi që ai që kontrollonte Rrasën kontrollonte tërë frontin e Kosharës.

Hadergjonaj: Komandant Jeta i dha shpresë e jetë Kosovës

"Kush komandon këtë njësi pyeta ‘komandant Drenica dhe komandant Lika’ më thanë. I takova dhe nga pamja e tyre pashë burra të vendosur, fisnik, të përkushtuar dhe fizikisht shumë të zotë. Pyeta për emrat, më thanë ‘Jeta është komandanti ynë’, nga kjo ditë në Rrasë të Kosharës u luftua për jetë a vdekje. Çdo ditë luftime, çdo ditë humbje nga të dyja palët, plagosje të luftëtarëve, por trimat e Jetës nuk u lëkundën. Ai që qëndron 1 minutë më gjatë e fiton betejën. Lufta vazhdojë deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës. Misioni i Agimit, Saliut, Abazit, e të gjithë 113 dëshmorëve e mbi 300 të plagosurve në këtë betejë u përmbush. Pra, Jeta me bashkëluftëtarët e vet i dha shpresë e jetë Kosovës, i dha lirinë", u shpreh ai.

Hadergjonaj u shpreh se edhe në liri duhet shumë punë, angazhim, ekspertizë për të ndërtuar vendin, e sipas tij këtë e kishte të qartë Jeta i cili do të punonte shumë për familjen, shoqërinë dhe vendin.

Rikthimi i Jetullah Gashit në kompleksin në Koshare i ka gëzuar familjarët. Vëllau i komandant Drenicës, Isa Gashi, u shpreh se ai u rikthye përsëri pranë bashkëluftëtareve të tij.

Gashi: Jam i lumtur që vëllai im u kthye tek shokët e vet

"Besoj që për vëllaun sot kanë folur shoqëria, unë kam veç falënderime për të gjithë ata që sot ishin sot këtu prezent dhe që kanë qenë çdo herë pranë neve. Unë falënderoj edhe të gjithë ata që janë angazhuar dhe e kanë bërë të mundur që vëllai të vijë këtu prapë në vendin ku ka luftuar dhe ka ardhë prapë tek shokët e vet" , tha Gashi.

 Kurse Arian Gashi, është shprehur se komandant Jeta ishte vetë jeta e Kosharës.

Gashi: Jeta po kthehet pas 20 viteve në vendin ku ishte nisur para 20 viteve

"Ky moment të rikthen në kohën kur ka ndodhur rasti. Por, do të doja ta citoja një fjalë të komandantit që e thotë vetë, se vetë Jeta ishte jeta e kësaj Koshareje këtu ku me pushkën e tij, me këngën për liri bashkë me shokët i dhanë jehonë këtij vendi. Tash po kthehet pas 20 viteve ashtu siç ishte nisur për këtë vend para 20 viteve me vullnetin më të madh për ta çliruar vendin", u shpreh ai.

Për Komandant Drenicën kanë folur edhe bashkëluftëtarët e tij, e të cilët e quajtën strateg e luftëtar të madh.

Në vijë të frontit kishte qenë edhe me Selman Kajtazin, apo komandant Lika, i cili thotë se Komandant Drenica nuk ishte ndarë kurrë nga shokët e tij.

Kajtazi: Kjo ditë na kthen 20 vjet prapa

 "Sot është një ditë për neve e cila na kthen 20 vjet mbrapa dhe na e kujton luftën që e kemi pasur me komandant Jetën. Komandant Jeta ka qenë një strateg, një luftëtar i cili nuk diti kurrë të ndahet prej shokëve, ishte gjithmonë në vijën e parë të frontit i cili luftonte krahas me neve sikur me ushtarë, sikur me komandantë gjithë kohën ka qenë me neve. Ne ndihemi sot sikur para 20 viteve", tha ai.

 Bashkëluftëtari tjetër  Xhevdet Ahmeti, shprehet se është krenar që kishte luftuar përkrahë komandant Drenicës.

 Ahmeti: Jam krenar që e kam njohur

 "Ndjehemi krenarë që e kemi njohur komandant Jetën, shumë krenarë", u shpreh ai.

Komandant Drenica kishte qenë i pandashëm edhe me Zekri Agushin, e me të cilin u ndanë vetëm kur ky i fundit ishte plagosur.

 Agushi: Nuk jam ndarë me të deri kur jam plagosur

"Zinxhiri komandues i Rrustem Berishës, Fadil Hadergjonaj, tek komandant Drenica Jetullah Gashi ka qenë aq i mirë edhe kemi pasur sukses në beteja. Jetullah Gashin deri jam plagosur unë asnjë moment nuk jemi ndarë, kemi qenë gjithë bashkë dhe për atë arsye kemi pas suksese në beteja kundër armikut. Aq kemi qenë afër me pozicionet serbe që edhe jemi sha me ta, le që kemi bë luftë po edhe jemi sha, kemi qenë shumë afër. Fati ka qenë plagosja më ka nda nga Jetullah Gashi", tregoi ai.

Komandant Drenica që kishte vdekur me 16 gusht të vitit 2007. Deri  më sot ka qenë i varrosur në varrezat e dëshmorëve në fshatin Polac të Skënderajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat