Këto gjërat mund ta pengojnë Kosovën që këtë vit të marrë liberalizimin

Aktuale

Këto gjërat mund ta pengojnë Kosovën që këtë vit të marrë liberalizimin

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 19:11
Foto ilustrim

Më 17 shtator të këtij viti, Grupi Punues për Vizat (COWEB), i cili funksionon në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian, kishte vizituar Kosovën për të parë nga afër përparimin e vendit në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit dhe të luftës kundër korrupsionit, kritere këto që janë bazë që Kosova të marrë përfundimisht liberalizimin e vizave.

Pasi që Parlamenti Evropian votoi pro Kosovës për liberalizimin e vizave, vendi ynë duhet të kalojë edhe në një fazë tjetër për të përfunduar komplet këtë proces.

Njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, ka thënë se deri më tani në procesin që po kalon Kosova është proces teknik mirëpo, vendimmarrja për Kosovën është komplet vendimmarrje politike.

Kryeziu po ashtu ka thënë se çdo skenar negativ i prodhuar në Kosovë është më se e natyrshme që të afektojë në vendet anëtare, i cili shtoi se, sundimi i së drejtës dhe ligjit janë kryefjala e këtij procesi.

“Nëse ne vazhdojmë të japim shembuj negativ të mosrespektimit dhe të pavarësisë së sistemit gjyqësor, normal që kjo rezulton në mënyrë negative edhe te ata. Edhe e dyta ka edhe skepticizma të tyre të brendshëm. Çështja e migrimit është sfidë për vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Shikojeni se si kanë votuar në Parlament vendet anëtare. Ka problem në Francë, Holandë, Gjermani. Gjermania është skeptike, Franca gjithashtu por edhe Holanda ka dhënë një votë mjaft kundër nëse e shohim strukturën se si kanë votuar këto vende në Parlament. Prandaj këto janë sinjale të cilat në një mënyrë po tregojnë që ky proces nuk mund të paragjykohet në aspektin afateve”, ka deklaruar Kryeziu për lajmi.net duke shtuar se, nuk do të ishte mirë që përfaqësuesit politik e shtetëror të japin afate kohore për këtë proces e që sipas tij, kërkesa e BE-së dhe COWEB-it në vazhdimësi ka qenë që të mos jepen afate kohore.

Kryeziu po ashtu ka thënë se Kosova duhet të lobojë në vendet që në Parlamentin Evropian kanë votuar kundër liberalizimit të vizave vende këto që janë mjaft të fuqishme.

Ai ka thënë se skenari më i mirë do të ishte që këtë vit të kemi vendimmarrje pozitive dhe se ky Këshill do të ketë takime gjatë këtij muaji dhe gjatë muajit dhjetor.

“Skenari pozitiv i cili e kam thënë disa herë është që së paku me pas vendimmarrje këtë vit, e që kjo nënkupton që të votohet në Këshillin e Ministrave, Këshill ky që në përbërje që na duhet neve ka takime në tetor dhe takimin e fundit e ka në dhjetor. Kjo do të ishte mirë, por prapë ky është vendim politik i tyre, por na për me e lehtësua këtë vendim të tyre ne duhet të punojmë në atë që quhet politika t’i jap frymëmarrje sistemit të drejtësisë, me e krijua një sistem të pavarur të drejtësisë nga politika, me e forcua politikat e migrimit, me i informua drejt qytetarët tanë edhe me i bind vendet anëtare të Këshillit që nuk do ta keqpërdorin integritetin në procesin e liberalizimit të vizave, kjo është çfarë mund të bëjmë por edhe të  vazhdojmë lobimin. Këto janë elemente. Mirëpo nuk mundemi me prodhua skenarë negativ në Prishtinë edhe me kërkua konsensus edhe vota në Berlin apo në Paris apo në Bruksel, Holandë apo kudo tjetër. Do me thënë këto janë elemente të cilat janë të ndërlidhura. Edhe informimin ata e kanë. Prandaj kjo ka qenë pak a shumë zhvillimet e këtyre ditëve sa i përket vizitës së COWEB në Kosovë”, deklaroi Kryeziu për lajmi.net.

Se Kosova e ka të vështirë që këtë vit të fitojë liberalizimin e vizave, e ka thënë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Ai ka thënë se opsioni më real për liberalizim efektiv të vizave është fillimi i vitit 2020.

Rukiqi përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se gjasat për vendim pozitiv për vizat gjatë këtij viti nga Këshilli i Ministrave, janë 50/50.

Ai kështu ka thënë për shkak se janë dy shtete me fuqi të jashtëzakonshme në BE, të cilat për një arsye apo një arsye tjetër, janë duke kundërshtuar liberalizimin e vizave për Kosovën: Franca dhe Holanda.

“Janë dy shtete me fuqi të jashtëzakonshme në BE, të cilat për një arsye apo një arsye tjetër, janë duke kundërshtuar liberalizimin e vizave për Kosovën: Franca dhe Holanda. Gjasat për vendim pozitiv për vizat, brenda këtij viti, janë 50/50. Në Këshill, çështjet e ngjashme nuk kanë shkuar në asnjë rast për votim, nëse nuk ka një konsensus, sidomos me vendet që kane fuqi, jo vetëm të votës. Opsioni më real për liberalizim efektiv, është fillimi i vitit 2020”, ka shkruar Rukiqi.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Ismajl Kurteshi, ka thënë për lajmi.net se anëtarët e këtij Komisioni janë dakorduar që punojnë fuqishëm në lobimin në shtet të cilat nuk kanë votuar pro liberalizmit të vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Sipas tij, Këshilli i Ministrave ka një tendencë që ta zvarris këtë proces.

“Bazuar në atë që jam i informuar Këshilli i Ministrave të vendeve Evropian ka një tendencë të zvarritjes për shkak të ndodhive që kanë  ndodhur këtu, për shembull deklarata e ministrit të Drejtësisë që deshi të jap dorëheqje me arsyetimin se ka ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, këto deklarata të tilla të pamatura prej qeveritarëve po ndikojnë që Këshilli i Ministrave Evropian ta zvarris këtë çështje, por mendoj që me një prezantim të mirë dhe angazhim dhe koordimin të të gjitha segmenteve të institucioneve tona që kjo çështje do të duhet të përfundojë pa pranuar kushtëzime të reja”, ka deklaruar Kurteshi.

Sipas tij, Bashkimi Evropian në vazhdimësi ka bërë kushtëzime për Kosovën dhe se një gjë e tillë nuk duhet të ndodh më.

“Nuk ka kuptim që të ketë edhe kushtëzime të reja sepse edhe kushtëzimet siç ka qenë demarkacioni ka qenë diçka speciale për Kosovën dhe ka qenë i padrejtë. Kështu që Evropa duhet ti ndërpresë këto kushtëzime të padrejta kundrejt Kosovës”, ka deklaruar Kurteshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat