Thaçi tregon kë takoi në veri, e pranon se e rrëzoi vetveten

Aktuale

Thaçi tregon kë takoi në veri, e pranon se e rrëzoi vetveten

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 20:56
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për herë të parë publikisht e ka pranuar që gjatë kohës sa ka qenë kryeministër, e ka rrëzuar vetveten përmes mocionit të mosbesimit.

Thaçi ka theksuar se nuk mund të qëndroja si kryeministër, pasi që nuk bëja punë efektive.

“Unë kam qenë kryeministër dy mandate dhe e kam rrëzuar vetën. Kjo ka ardhur për shkak se më ishte bllokuar puna dhe ajo nuk ishte efektive. Më mirë të shkoja në zgjedhje sesa të rrija mbyllur në zyre”, ka thënë Thaçi, përcjell “Bota sot”.

Thaçi: Nuk lejoj ndarje, shkëmbim apo asociacion me kompetenca ekzekutive

Presidenti Hashim Thaçi që insiston se ideja e korrigjimit të tij nuk nënkupton shkëmbim territoresh, ai thotë gjithashtu se nuk do të flas për shkëmbim, ndarje apo asociacion me kompetenca ekzekutive.

Ai në “Debat Plus” tha se perspektiva evropiane e Serbisë, do ta detyronte këtë shtet, që ta pranonte idenë e tij për korrigjim.

Presidenti, madje tha se nuk e ka problem as korrigjimin e flamurit shtetëror në rast të bashkimit të Luginës me Kosovë.

“Bash nuk s’mërzitna hiq nëse bashkëngjitet Presheva, Medvegja e Bujanoci, e përshtatim flamurin edhe kaq”, tha Thaci.

I pari i shtetit tha se ideja e tij për bashkimin e luginës së Preshevës ka mbështetjen e shumicës së popullit.

“Ideja për përfshirjen e luginës së Preshevës është në përputhje me vullnetin e 98 % të shqiptarëve në ato troje”, deklaroi Thaçi.

Ai, gjithashtu pranoi se ëndrra e të gjithëve, është bashkimi kombëtar.

“A nuk është interes strategjik edhe bashkimi me Shqipërinë? Shqiptarët do të jenë bashkë në familjen euroatlantike, në NATO e BE. Por, natyrisht që të gjithë e dinë ëndrrën e shqiptarëve”, tha Presidenti.

Thaçi: Në veri takova edhe serbë që ishin pjesë e konfliktit të armatosur

Presidenti Hashim Thaçi ka dhënë edhe detaje për vizitën e tij që ka bërë në liqenin e Ujmanit.

Ai në “Debat Plus”, ka thënë se këtë e ka bërë për qejfin e tij, dhe nuk e ka bërë për ta minimizuar protestën e Vetëvendosjes.

Madje, Presidenti tha se protestuesit atë ditë, e përkrahin idenë e tij, që Lugina të bashkohet me Kosovën.

“Nuk zhvillohet beteja në sheshin ‘Skënderbe’ me Serbinë, po beteja zhvillohet në tavolinë përballë tyre…Unë e vlerësoj protestën e qetë, por e di që ata njerëz që kanë qenë, të gjithë janë për bashkimin e Preshevës me Kosovën…Idenë time për bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, e mbështesin 85-90% e qytetarëve të Kosovës”, tha Presidenti.

Madje, Presidenti tha se në veri të vendit, fundjavën e kaluar, ka takuar edhe persona, që në luftë i kishte kundërshtar.

“Kam takuar edhe serb lokal, kemi bërë muhabet shumë të mirë, miqësor, kemi diskutuar edhe për periudhën e paraluftës, edhe gjatë luftës, bile bile mund të them se dy a tre aty që kanë qenë, kishin qenë edhe pjesëmarrës të konfliktit të armatosur”, tha ai.

Ai kritikoi edhe qeveritë pasuese, për të cilat thotë se nga viti 2014, ka zero investime që banorët të kthehen në pronat e tyre në veri të vendit.

Thaçi, edhe një herë u zotua, se nuk do të kthehet në PDK

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka mohuar se ka probleme me pasuesin e tij në postin e PDK-së, Kadri Veselin.

Ai deklaroi se raportet me Veselin, i tejkalojnë interesat politike dhe nuk ka hendeqe mes tyre.

“As nuk ka pasur, as nuk ka e as nuk do të ketë. Raportet e mia miqësore, prej bashkëluftëtarëve, prej miqve familjar, edhe prej bashkëpunëtorëve politik tejkalojnë çdo kornizë politike”, tha Presidenti.

“Kemi agjendë të përbashkët me z.Veseli, sot kam pirë kafe me të”.

Ai nuk ka dashur të komentoj zhvillimet përbrenda PDK-së, që ndërlidhen me ministra të kësaj partie.

Presidenti gjatë emisionit “Debat Plus” tha se vizita në Liqenin e Ujmanit, ka qenë pa lejen e askujt, dhe se atë e ka bërë për qejfin e tij.

Thaçi, edhe një herë u zotua, se nuk do të kthehet në PDK e as në pozita parlamentare apo qeveritare. Madje, paralajmëroi se nuk do të rikandidoj për president, nëse atë nuk do ta zgjedh sovrani.

“Nuk kthehem në angazhime partiake, nuk kthehem në angazhimet në parlamentar e as në qeveri. Nëse ndodh reforma elektorale, dhe krijohet mundësia e organizimit të zgjedhjeve për president, në formën e drejtpërdrejtë, atëherë do të rikandidoj. Jam i bindur që fitoj që në raundin e parë. Përndryshe, do tu mungoj në debate, si President i vendit”, tha Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat