Raif Qela: Kryeministër, mos manipulo!

Aktuale

Raif Qela: Kryeministër, mos manipulo!

Më: 5 tetor 2018 Në ora: 22:53
Raif Qela

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja për Bashkim, Raif Qela ka reaguar ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, duke vlerësuar se “dëshmorët nuk ranë për kufijtë që na i kanë caktuar pushtuesit serbo-jugosllavë”.

Reagimi i Qelajt vie pas deklaratës së sotme të kryeministrit Haradinaj në rivarrimin e dëshmorëve në Marinë të Skenderajt, i cili tha se "këta kufij na i kanë lënë amanet këta që po i rahatojmë".  

Qela ka pohuar se “dëshmorët ranë për bashkim kombëtar, domethënë për bashkim të territoreve në të cilat shqiptarët janë shumicë, e që kanë vazhdimësi me trungun amë. Kujtoje betimin e UÇK-së, komandant”.

Postimi i plotë i Qelajt në Facebook:

Kryeministër, mos manipulo!

KM Ramush Haradinaj tha sot në rivarrimin e 178 heronjve në Marinë: "Këta kufij na i kanë lënë amanet këta që po i rahatojmë". E pati fjalën për dëshmorët. Dëshmorët nuk ranë për këta kufij, zoti Kryeministër! Dëshmorët nuk ranë për kufijtë që na i kanë caktuar pushtuesit serbo-jugosllavë. Dëshmorët ranë për bashkim kombëtar, domethënë për bashkim të territoreve në të cilat shqiptarët janë shumicë, e që kanë vazhdimësi me trungun amë. Kujtoje betimin e UÇK-së, komandant Ramush! Presheva, Bujanoci e Medvegja janë territore me shumicë shqiptare. Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveçani janë dhe kanë qenë komuna me shumicë dërrmuese serbe. Përveç shtatë fshatrave shqiptare që ndodhen nën administrim të këtyre tri komunave serbe (Cerajë, Koshtovë, Bistricë, Boletin, Zhazhë, Lipë/Kelmend e Çabër), fshatra të cilat janë pjesë e trungut etnik shqiptar, në pjesën tjetër të këtyre tri komunave veriore nuk ka vendbanime të tjera me shqiptarë. Nuk na nevojitet asgjë një territor që është i ngjitur me Serbinë, në të cilin jetojnë VETËM serbë, e të cilët nuk duan ta pranojnë Kosovën si shtet të vetin! Ajo pjesë është vetëm gjenerator i krizave të vazhdueshme, burim i pashtershëm i problemeve, i evazionit fiskal, i bllokimit të funksionimit normal të shtetit të Kosovës, i mungesës së sovranitetit...

Ne duhet të angazhohemi që Presheva, Bujanoci e Medvegja t'i bashkohet Kosovës! Dëshmorët ranë edhe për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, edhe për shtatë fshatrat shqiptare që ndodhen nën administrim të tri komunave serbe të veriut (Cerajë, Koshtovë, Bistricë, Boletin, Zhazhë, Lipë/Kelmend e Çabër). Dëshmorët ranë edhe për veriun e Mitrovicës, tani pothuajse të spastruar etnikisht. Por dëshmorët nuk ranë për Leposaviqin, Zubin Potokun e Zveçanin. Pa më thuaj, z. Kryeministër, cili ushtar i UÇK-së ka qëndruar qoftë edhe një m inutë në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan? Pa më thuaj, z. Kryeministër, cila betejë apo cili aksion i armatosur u krye me qëllim të çlirimit të këtyre lokaliteteve? 

Ta them unë, zoti Kryeministër! Asnjë. Pa më thuaj, z. Kryeministër, sa shqiptarë të Kosovës kanë qenë ndonjëherë në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan? Është numër tepër i vogël, i papërfillshëm. Pse? Sepse këtyre tri komunave u ka ardhur dhe u vjen era Serbi. Prandaj, reflekto, z. Kryeministër, e mos mbroj qëndrime vetëm për hir të votave! Shiko më larg, atje ku ke synuar sa ke qenë komandant i lavdishëm i UÇK-së! Bashkimi kombëtar nuk mund të bëhet duke i çimentuar këta kufij të padrejtë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat