Kosova nuk rrezikohet nga Serbia derisa kemi NATO-n

Aktuale

Kosova nuk rrezikohet nga Serbia derisa kemi NATO-n

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 11:18
Ilustrim

Kërcënimet serbe për një ndërhyrje të mundshme në Kosovë nuk kanë të reshtur. Mediat serbe vazhdimisht po shkruajnë se Serbia ka përgatitur një plan ushtarak për Kosovën.

Por ekspertë të sigurisë vlerësojnë se nuk mund të ketë ndërhyrje derisa Kosova ka këtu NATO-n dhe KFOR-in.

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu thotë se pretendime të tilla të Serbisë nuk janë asgjë më shumë se sa propagandë për konsum të brendshëm, inkurajuar nga influenca ruse.

Në një deklaratë  për Kp, Musliu theksoi se është presidenti serb Aleksandër Vuçiq i cili synon që të matë pulsin e votuesve të vet.

Musliu: Nuk mund të ndodhë asnjë agresion në Kosovë derisa kemi KFOR-in dhe NATO-n

Video

"Kjo është vetëm për konsum të brendshëm të Serbisë, që t'i formalizojë, edhe njëherë t’i vërtetojë ata votues që i ka dhe të përdorë këtë instrument të sigurisë sa i përket rehatisë së tij dhe të akomodohet edhe më fort në fronin që e ka. Sa i përket rrezikut real, unë mund të deklaroj se asnjëherë, Sot e më tutje nuk mund të ndodhë asnjë agresion në Kosovë përderisa ekziston KFOR-i dhe NATO në Kosovë... Mund të themi që Serbia tenton nëpërmjet këtyre lojërave që ta mbajë në tension Ballkanin për shkak se është e inkurajuar nga influenca ruse dhe mund të kalkulojë në ndihmën e saj", tha Musliu.

Musliu thotë se në letër ka ekzistuar një urdhër i tillë dhe është kalkuluar, ndërsa jep përgjigje edhe sa i përket deklaratave të ministrit të Serbisë se “në Ibër shkelet për tri orë ushtarakisht, kurse Gjilanin e marrin për 2 orë”. 

Musliu: Po për ato orë Serbia e lëshoi Kosovën dhe asnjëherë s’ka për t’u kthyer këtu

Video

"Po për ato orë ata e lëshuan Kosovën dhe kurrë, asnjëherë s'kanë për t'u kthyer në Kosovë në atë mënyrë se si mendojnë ata… 3'20" Disa zyrtarë dhe diplomat të perëndimit dhe të NATO-s ia kanë përkujtuar zyrtarëve serbë, të nivelit më të lartë që në momentin që synojnë diçka të tillë do të ballafaqohen me luftë, me KFOR-in dhe NATO-n përsëri", ka thënë ai.

Sipas Musliut, roli i shqiptarëve është kyç për Ballkanin. Ai është shprehur optimist se edhe Maqedonia, por edhe Kosova shumë shpejt do të anëtarësohen në NATO dhe BE. E për këtë sipas tij, kontribuon fakti se shqiptarët janë popull properëndimor dhe luajnë rol të rëndësishëm karshi botës proruse.

Musliu: Shqiptarët i dërguan katër shtete në BE

"Ne jemi ndoshta edhe populli më i vogël në Ballkan, por më vendimtari. Ne katër shtete i dërguam në NATO dhe në BE. Ishte Shqipëria, ishte Mali i Zi kur duke iu falënderuar shqiptarëve u anëtarësua në NATO dhe tash sigurisht edhe Maqedonia në një afat shumë të shkurtër. Edhe pse referendumi kaloi ashtu si kaloi, por duke iu falënderuar faktorit shqiptar, edhe në NATO edhe në BE, Maqedonia do të anëtarësohet shumë shpejt. Duke llogaritur edhe Kosovën në një të ardhme të afërt", tha ai.

E njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se përkundër deklaratave të Serbisë për neutralitet, ajo përbën një kërcënim të vazhdueshëm për Kosovën.

Takimi i presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq me presidentin rus Vladimir Putin, sipas Ibishit paraqet rrezik për Kosovën, pasi aty është biseduar rreth dy orë për ndihmën ruse në aspektin diplomatik dhe ushtarak për Serbinë karshi Kosovës. Megjithatë ai shtoi se qëndrimi proamerikan i shqiptarëve, është një avantazh shumë i madh për gjithë Ballkanin.

Ibishi: Serbia është kërcënim i vazhdueshëm për Kosovën, qëndrimi jonë proamerikanë na bënë më të qëndrueshëm

“Serbia është kërcënim i vazhdueshëm për Kosovën, për arsye se po i ngrit kapacitetet, po armatoset në vazhdimësi me avionët më të ri të Rusisë, po armatoset me sistemet raketore S200 dhe 300, me fluturaket pa pilot të Kinës dhe me artileri që realisht po i tejkalon ato. Ajo është dashur t’i shkatërrojë disa kapacitete të vjetruara, ajo po hynë në sistemin e ri të pajisjes me armatim, me plane dhe paralajmërime të ndërhyrjes edhe në Kosovë... 2’12” Na fatmirësisht e kemi një qëndrim proamerikan, pro NATO-s dhe pro Evropës Perëndimore dhe kjo është një avantazh shumë i madh... dhe kjo na bënë të qëndrueshëm në këtë Ballkanin e trazuar”, tha Ibishi.

E avokati Spartak Ngjela duke kujtuar luftën e ish presidentit serb Sllobodan Millosheviq që i rezultoi me humbje të Kosovës, thotë se sot një luftë e Serbisë do t’i kushtonte asaj me humbje të Preshevës dhe vende të saj deri në Nish.

Ngjela: Kosova është fituese e luftës me Serbinë, nuk ka kthim prapa

“Si mund të ketë kthim prapa, kush do të bëjë luftë, Vuçiq, ai tjetri bëri luftë dhe humbi Kosovën, një luftë që mund të bëjë ai mund të humb Preshevën dhe deri në Nish, ta zëmë, nuk e kam në kuptimin nacionalist dhe të egërsisë, e kam në kuptimin e gabimeve politike, çdo gabim ka kosto në politikë, koston nuk e shpëton por duhet të minimizosh dëmin, të ulësh koston, matu mirë në politikë. Ata e kanë bërë një gabim të madh, Amerikën do ta mundin me luftë ata”, thotë Ngjela.

Ndryshe, mediat serbe për ditë të tëra po raportojnë për  plane ushtarake në lidhje me një ndërhyrje të mundshme në Kosovë. Ndërsa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pati deklaruar muaj më parë se kërcënimet serbe nuk i bëjnë përshtypje askujt në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat