Thaçi i përgjigjet Haradinajt e Veselit, kërkon të mbështetet ideja e tij për korrigjimin e kufirit

Aktuale

Thaçi i përgjigjet Haradinajt e Veselit, kërkon të mbështetet ideja e tij për korrigjimin e kufirit

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 16:52
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sërish ka ftuar konferencë për media ku ka folur për fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë, për çka ai tha se kërkohet shkathtësi dhe përgjegjësi shtetërore.

Para gazetarëve, Thaçi u përgjigj edhe në pyetjet rreth komenteve që ka bërë kryeministri Ramush Haradinaj për të dje në Marinë. Nga akademia përkujtimore kreu i Qeverisë ka thënë se kufijtë e Kosovës duhet të ruhen nga çdokush.

Por Thaçi duke komentuar këtë tha se dallon paraqitja në akademi përkujtimore nga ajo në tavolinë përballë me Serbinë në Bruksel.

Edhe një herë sot, presidenti u bëri thirrje spektrit politik kosovar që të bashkëpunojnë në çështjen e dialogut me Serbinë, dhe kërkoj përsëri mbështetje për idenë e tij të korrigjimit të kufijve.

Ai tha se interesi i përbashkët i Kosovës mbrohet me pjesëmarrje të përgjithshme e jo duke pretenduar për t’i minuar përpjekjet për të arritur marrëveshje paqësore Kosovë-Serbi.

Thaçi: Dallon patriotizmi në akademi përkujtimore nga përfaqësimi i Kosovës në tavolinë përballë Serbisë

“Unë bashkëpunoj me të gjitha partitë, respektoj çdo lider dhe as nuk pretendoj me ndiku, as nuk lejoj dikush me më kapë për hunde as nuk pretendoj me i kap për hunde. Respektoj maksimalisht të gjithë, nuk pretendoj me ndiku por bashkëpunimi im ndikon maksimalisht me të gjithë, qoftë me partitë e opozitës qoftë pozitës, dhe nuk pretendoj për asnjë influencë sepse vetëm bashkëpunimi hap rrugë dhe perspektivë të vendit tonë. Kjo fazë, përveç patriotizmin nëpër akademi përkujtimore kërkon shkathtësi, largpamësi dhe përgjegjësi shtetërore, pra dallon paraqitja në akademi përkujtimore nga përfaqësimi i Kosovës në tavolinë përballë Serbisë që kërkohet unitet, shkathtësi, mençuri dhe vizion”, tha ai.

Thaçi tha se në çdo angazhim që do ta kenë do të punojnë që të ruhet realiteti multi-etnik i Kosovës, siç tha ai, që Kosova të jetë vend i demokracisë qytetare.

Ai edhe njëherë përmendi korrigjimin e kufijve ku tha se nuk do të ndalet me kërkesën për t’ia bashkuar Kosovës Luginën, deri në realizmin e saj.

Thaçi: Nuk do të ketë kufij në baza etnike

“Nuk do të ketë kufij në vija etnike, natyrisht unë një nga idetë që në kuadër të marrëveshjes përfundimtare Kosovë –Serbi që nënkupton njohjen reciproke të përfshihet edhe korrigjimi i kufirit ku do të integrohet Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, vlerësoj se është e realizueshme, në këtë drejtim pres mbështetje unike të spektrit politik dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, por në asnjë rrethanë unë nuk kam folur për vija etnike por vetëm marrëveshje paqësore”, tha ai.

Ndërsa i pyetur për draft-rezolutë e nënshkruar sot nga krerët e koalicionit qeverisës ku thuhet se kufijtë janë të paprekshëm, Thaçi tha se çdo takim i liderëve është i përshëndetur nga ai.

Thaçi: Kërkoj të mbështetet ideja ime për korrigjimin e kufirit

“Falënderoj zotin Veseli që i ka mbledh sot për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm. E theksoj, unë do të punoj që edhe në fazën finale të negociatave me Serbinë, me të gjithë, për një Kosovë të pavarur, sovrane, unike, duke respektuar sovranitetin e saj, por njëkohësisht çdo marrëveshje eventuale në fund, dhe është herët të flitet për epilogun e ndonjë marrëveshje që nënkupton njohjen reciproke, do të të kaloj përmes Parlamentit të Kosovës dhe nuk mundet kërkosh të tejkaloje Kuvendin por edhe mundësinë e referendumit. Njëkohësisht, korrigjimi historik i kufirit për përfshirjen e Luginës është vetëm ide e imja, ide që kërkoj me u mbështetë”, tha ai.

Konferencën për gazetarë Thaçi e zhvilloi pas takimit që pati me kryesuesin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Stuart Peach.

Thaçi tha se bashkë diskutuan hapur për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri. Ai shtoi se hapat tutje do të bëhen në mënyrë të koordinuar me NATO-n, SHBA-të dhe partnerët strategjik.

Gjithashtu, Thaçi tregoi edhe për takimin e mbrëmshëm që ka pasur me kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, ku tha se procesi i liberalizmit është i domosdoshëm dhe duhet të ndodh tani dhe pa asnjë vonesë.

Thaçi i përgjigjet Haradinajt: Patriotizmi dallon nga pjesëmarrja në procese, aty kërkohet mençuri

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se në dialogun me Serbinë duhet mençuri e shkathtësi. Ka thënë se dallon paraqitjet nëpër akademi përkujtimore me dialogun me Serbinë.

Këtë përgjigje Thaçi e ka thënë kur është pyetur se si i komenton deklaratat e Ramush Haradinaj dhënë një ditë më parë në një akademi përkujtimore se kufijtë do t’i ruajnë edhe nga Presidenti i Shtetit.

“Ajo që duhet të bëjmë është se kjo fazë përpos patriotizmit të paraqitur në akademi përkujtimore kërkon mençuri, shkathtësi, largpamësi dhe përgjegjësi shtetërore. Par paraqitja në akademi dallon nga përfaqësimi i Kosovës në tavolinë përballë Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Ramush Haradinaj të premten, në kohën kur ishte bashkë me Thaçin gjatë inaugurimit të një kompleksi memorial në Marinë të Skenderajt i tha se duhet t’i ruajmë kufijtë edhe prej atyre që ajnë pjesë e kësaj ceremonia.

“Çfarë borxhi tjetër iu kemi atyre që kanë rënë për liri, është thjeshtë. Iu kemi borxh me e forcua lirin atë për të cilën kanë ra [dëshmorë]; Me u forcua si popull me u forcua në politikë, në ekonomi të brendshme, të jashtme, me e ruajt Kosovën me e ruajt territorin e saj, me i ruajt edhe kufijtë e vet të paprekshëm prej askujt qoftë ai këtu me ne, qoftë ai tjetër kund për shkak se këta kufij na i kanë lënë amanet këta që po i rehatojmë”, ka thënë Haradinaj.

Thaçi i përgjigjet Veselit: Bashkëpunoj me të gjithë, s’e kapi askënd për hunde

Ish-Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi ka thënë se asnjë parti nuk e ka kapur për hunde. Ka thënë se bashkëpunon me të gjitha partitë e liderët institucionalë.

“ Unë bashkëpunoj me të gjitha partitë respektoj të gjithë liderët dhe nuk lejoj mem kap për hunde e as mem kap për hunde. Si kam dëgju në cfarë konteksti flasin por bashkëpunoj me të gjithë dhe i respektoj të gjithë.

Reagimi i Thaçit vjen pak ditë pasi Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli tha se Hashim Thaçi i ka kapur për hunde LDK’në dhe Vetëvendosjen dhe po i tërheq në agjendën e tij.

“Një situatë duhet ta kemi parasysh, nuk e di pse e bën presidenti, por për hunde i ka kapur – LDK-ja dhe Vetëvendosja kanë mbetur viktima. Presidenti ua gjuan si kocka, ata shkojnë dhe flasin ‘korrigjim i rëndë’, ‘korrigjim i lehtë’”, kishte thënë Veseli.

Thaçi e Veseli kanë ftohur raportet prej kur Presidenti i mori zyrtarët e PDK’së në Ujman, në ditën kur zhvillohej protesta e Lëvizjes Vetëvendosje. Veseli u kërkoi dorëheqjen zyrtarëve që morën pjesë me Presidentin por më vonë u tërhoq dhe tha fjalë të mira për Abelard Tahirin e Bedri Hamzen.

Thaçi e thotë përsëri: Do të ketë korrigjim të kufijve dhe bashkim të Luginës me Kosovën

Shefi i Shtetit Hashim Thaçi përsëri ka thënë se duhet të ndodhë korrigjimi i kufijve me Serbinë dhe bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Në asnjë rrethanë nuk do të ketë kufij etnik. Do të ketë korrigjim të kufijve dhe bashkim të Luginës me Kosovën”, ka thënë Presidenti, në një konferencë për media.

Thaçi tha se është e domosdoshme që klasa politike të jetë e bashkuar në dialogun për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ftoj pozitën dhe opozitën të bashlohen rreth një platforme të miratojnë një platformë të përbashkët dhe të marrin pjesë pa dallim në këtë proces. Marrëveshja paqësore Kosovë-Serbi, Kosovës i hap rrugë për NATO, BE dhe OKB”, tha Thaçi.

Ai ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave duke thënë se është i domosdoshëm dhe duhet të ndodhë tani dhe pa asnjë vonesë në të kundërtën e humb kuptimin e vet.

***

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po mban konferencë për media.

Konferenca po mbahet në Presidence.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat