Lladrovci vazhdon lojalitetin e tij ndaj ISIS-it nga Prishtina: Dua të krijoj një Shtet Islamik në Kosovë

Aktuale

Lladrovci vazhdon lojalitetin e tij ndaj ISIS-it nga Prishtina: Dua të krijoj një Shtet Islamik në Kosovë

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 18:05
Fitim Lladrovci

Katër vjet kanë kaluar që kur një luftëtar i ri i Shtetit Islamik nga Kosova ishte dëshmitar i një prej vrasjeve më të pështira të organizatës. Fitim Lladrovci ishte 24 vjeç kur pa një sirian të lidhur për një shtylle i cili u hodh në ajër përmes një minahedhës.

“Sigurisht se nuk ishte gjëja më e rëndë që e kam parë mes shumë ekzekutimeve, prerjeve të kokave dhe djegieve”, tha ai, duke reflektuar nga Prishtina, në lojalitetin e tij ndaj ISIS-it. “Edhe fëmijët janë mësuar të shohin gjëra të tilla”, raporton prestigjiozja amerikane “The Times”.

Vrasësi ishte Lavdrim Muhaxheri, shqiptar i Kosovës i njohur për veprime të pështira i cili u cilësua si një kërcënim ndërkombëtar terrorist para se të vritej nga një dron. Identiteti dhe videoja e tij gjatë vrasjes i vuri shqiptarët në zemër të grupit të luftëtarëve të huaj xhihadistë dhe paralajmëruan shërbimet evropiane të sigurisë për një kërcënim të ri.

Përkundër lojalitetit ndaj SHBA-së dhe NATO-s që ndihmuan në çlirimin e vendit të tyre nga Serbia në të ’90-at, radikalizimi i disa të rinjve kosovarë nga organizata bamirëse arabe dhe nga imamë të ndryshëm i dhanë vendit cilësimin e keq të të pasurit më shumë shtetas në ISIS për kokë banori sesa shumë vende tjera evropiane apo ballkanike.

Autoritetet e Kosoves dinë për 348 të rritur që kanë udhëtuar për t’iu bashkëngjitur ISIS-it në Siri nga 2012. Shumë prej tyre kanë vdekur por edhe shumë të tjerë janë kthyer. Në mungesë të një programi koherent deradikalizues, të burgosur si Lladrovci po dalin nga burgu ende lojalë ndaj ISIS-it.

“Kalifati s’ka marrë fund”, ka thënë ai këtë javë, katër muaj pas lirimit të tij. “Tregimi për të vetëm sa ka filluar. Dua të krijoj një Shtet Islamik në Kosovë dhe me dëshirë do të vdisja në mbështetje të tij”.

Ndërkaq, Fikrije Krasniqi, 57 vjeçare, prokurore që merret me rastet e reja të terrorizmit në Kosovë, ka thënë se “nuk e kemi problem t’i burgosim pjesëtarët e Shtetit Islamik”.

“Por, vështirësia është ndryshimi i mendjes së tyre. Kemi kuptuar se shumica e pjesëtarëve të ISIS-it nuk mund të riparohen”.

Image
Ish-luftëtari i ISIS-it, Fitim Lladrovci

Ish-luftëtari i ISIS-it, Fitim Lladrovci, thotë se në Kosovë mund të ketë sulme terroriste

Lladrovci asnjëherë nuk u përball me ndjekje penale pas udhëtimit të tij 20 ditor në Siri më 2013 për t’i shërbyer grupit të al-Qaedas në Aleppo, Fronti al-Nusra. Ai u mor në pyetje për 11 orë dhe u lirua. Një ligj i ri që kaloi më 2015 nënkuptoi se pas udhëtimit të tij të dytë në Siri, kur luftoi si pjesëtar i njësitit krejtësisht shqiptar të udhëhequr nga Muhaxheri, ai u akuzua me t’u kthyer.

E vetëdijshme për kërcënimin që posedojnë të burgosurit e liruar të ISIS-it, Kosova nisi programe deradikalizuese nëpër burgje. Por, asnjë i burgosur i ISIS-it nuk e kishte të obligueshme të merrte pjesë në këto programe. Edhe pse i arrestuar me një pistoletë dhe njëminahedhës, Lladrovci refuzoi të takonte një imam në burg dhe tani e takon policin e tij kujdestar një herë në muaj.

Gjykatësit kosovarë shpesh kanë telashe në shqiptimin e dënimeve afatgjata kundër pjesëtarëve të ISIS-it si pasojë e mungesës së dëshmive nga Siria, prandaj shumicës prej tyre u shqiptohen dënime afatshkurtra pavarësisht seriozitetit të krimeve të tyre. Veç kësaj, edhe mungesa e rreptësisë në sistemin e lirimit me kusht lë shumë terroristë të dyshuar në liri. Prokurorja Krasniqi, që po punon në 15 raste të reja të terrorizmit, ishte në pritje të një vendimi këtë javë ndaj dy burrave, një nga të cilët kishte provuar të bindte tjetrin që të bashkohej në një sulm vetëvrasës ndaj forcave të NATO-s.

“Sistemi i lirimit me kusht nuk është shumë i ashpër këtu”, thotë ajo. “Njëri nga dy të akuzuarit, më serioz, tashmë është i liruar me kusht për përfshirje terroriste”.

Organizatat bamirëse arabe janë nën vëzhgim të rreptë në Kosovë, por, edhe përkundër afërsisë së lidhjeve familjare, predikues radikalë shpërndajnë ideologjinë e tyre në mendjet e gjeneratave të reja duke e cilësuar atë si pjesë e lirisë së tyre të porsazbuluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat