PSD i bashkohet LDK-së e VV-së në kundërshtimin e rezolutës së koalicionit qeverisës

Aktuale

PSD i bashkohet LDK-së e VV-së në kundërshtimin e rezolutës së koalicionit qeverisës

Më: 7 tetor 2018 Në ora: 14:23
Kuvendi i Kosovës

Pasi u mblodhën në kabinetin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, liderët e koalicionit qeverisës shpalosën një draft-rezolutë për dialogun me Serbinë, e cila njëkohësisht pritet që t’i propozohet edhe opozitës.

E këto të fundit nuk po e përkrahin në asnjë formë një rezolutë të tillë.

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit, Natyra Kuçi, sot përmes një postimi në Facebook bëri të ditur që subjekti i tyre nuk e përkrah një propozim në fjalë.

“Propozim-rezoluta e djeshme e Qeverisë nuk dallon fare nga qëndrimi i mëhershëm i saj rreth Dialogut. Kjo është për keqardhje. Rrjedhimisht, nuk e mbështesim”, është shprehur ajo përmes këtij postimi.

Deri më herët, PSD-ja nuk e kishte definuar qëndrimin e saj rreth kësaj rezolute.

E njëjta nuk po përkrahet as nga LDK e Vetëvendosje.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, tha mbrëmë se një rezolutë e tillë mund të jetë një ‘lojë fjalësh në draft të ri’.

Ai shtoi se partia e tij beson se asgjë nuk ka ndryshuar nga ajo që është propozuar edhe më herët.

Ndërkaq nga Vetëvendosje, deputetja Arbërie Nagacvi tha për lajmi.net se së pari duhet lejuar mbajtja e seancës së propozuar nga ky subjekt, e më pas të ulen të gjithë të punojnë në përgatitjen e prezentimeve më të suksesshme.

Draft-rezoluta në fjalë përmban gjashtë pika, në të cilat theksohen parimet kryesore të pjesëmarrjes së Kosovës në dialogun me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat