Opozita kundër rezolutës së Kadri Veselit për dialogun

Aktuale

Opozita kundër rezolutës së Kadri Veselit për dialogun

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 11:17
Kadri Veseli

Tentativa tjetër e partive opozitare për miratimin e një rezolute rreth dialogut me Serbinë, duket se nuk po e gjen përkrahjen e partive opozitare.

Dokumenti që doli si propozim pas takimit të udhëheqësve të partive në pushtet, nuk mbështetet nga opozita, 

Koalicioni qeverisës ka propozuar një Draft-Rezolutë 6-pikëshe, me parimet kryesore të pjesëmarrjes së Kosovës në dialog.

Ato janë në kundërshtim me përcaktimin e presidentit Thaçi, për ndryshim të kufijve, duke pretenduar t’ia bashkëngjisë Kosovës Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Në pikën e parë shprehet përcaktimi i arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht ndërkombëtare, “përmes së cilës do të ndodhë njohja reciproke në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se LDK-ja nuk do ta përkrah asnjë rezolutë të partive në pushtet, për të cilat thotë se janë vetëm lojëra.

“Nuk vjen në shprehje, ne nuk do ta përkrahim atë Draft-Rezolutë. LDK-ja nuk përkrahë asnjë rezolutë të partive në pushtet. Ne kemi një rezolutë të cilën do ta dërgojmë në kuvend. Këto janë vetëm lojëra të partive në pushtet”, ka thënë Gaxherri.

Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se është vet qeveria ajo e cila ia ka mundësuar presidentit Hashim Thaçi, udhëheqjen e dialogut me Serbinë.

Përmes një postimi në profilin e tij Facebook, Mustafa ka thënë se, në fillim të këtij viti Kuvendi propozoi një platformë për dialogun Kosovë-Serbi, e cila sipas tij, u bë pa asnjë përmbajtje. Veç asaj Mustafa thekson se, aty shkruante që, dialogun duhet ta udhëheqë Presidenti i Kosovës.

“Po të mos ishte kjo sjellje dhe ky veprim i Qeverisë, ne s’do të kishim problem as me Presidentin dhe as me teoritë e tij për korrigjim të madh e të butë të kufijve dhe as me ofertën për shkëmbim të territorit si pasojë përfundimtare e korrigjimit. Në fakt qeveria ishte e vetëdijshme se është e pakicës, se nuk ka vota e as fuqi politike për një marrëveshje të tillë. Këtë ia bëri të qartë opozita, sidomos LDK dhe VV. Për këtë sjellje kjo qeveri është dashur të japë dorëheqje e jo të manovrojë me dialogun si instrument i mbijetesës”, ka shkruar Mustafa.

Edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje si dhe deputeti i Kuvendit, Albin Kurti ka kundërshtuar Draftë-Rezolutën e partive në pushtet, derisa ka shtuar se nëse ligji është si llastiku, rezoluta është aq më tepër e tillë.

“Dihet që Thaçi në ndërmarrjen e tij me Serbinë për “kompromis të dhimbshëm” mbi Kosovën, nuk ka mandat nga Kuvendi dhe e ka popullin kundër. Madje, ai nuk ka as platformë me parime për negociata dhe as ekip negociator. Është i vetmuar. Kështu duhet të ngelet, sepse vetëm kësisoj nuk do të ngjajë ai “kompromisi i dhimbshëm” i paralajmëruar. Thaçi medoemos synon një letër nga Kuvendi, një dokument nga Kuvendi, rezolutë apo çka do qoftë ajo, që mandej të vrapojë te Vuçiqi në Bruksel”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas Kurtit se e kaluara ka treguar se presidenti Thaçi ka shkelur secilën rezolutë të Kuvendit, dhe sipas tij këtë mund ta bëjë edhe në të ardhmen.

“Vështirë se ka mbetur ndonjë rezolutë e Kuvendit pa e shkelur Thaçi si kryeministër apo president. Pse do të ishte ndryshe me rezolutën e ardhshme?! Thaçi do rezolutë pikërisht që të mund ta shkelë atë! Nëse “ligji është si llastiku”, rezoluta është aq më tepër e tillë”, shkruan tutje Kurti.

Ndërkohë zëvendëskryeministri njëherësh kryetar i Nismës, Fatmir Limaj gjatë ditës së djeshme në një prononcim për media ka komentuar draft-rezolutën e koalicionit qeveritar për çështjen e dialogut me Serbinë.

Limaj vuri në pah se rezoluta doli si dokument i nevojshëm për shkak të shqetësimeve të ngritura me idenë e përfshirjes së çështjes së kufijve të Kosovës në dialogun me Serbinë, të ngritura nga presidenti Hashim Thaçi.

Sipas Limajt, projektrezoluta po ashtu ka për qëllim të unifikojë faktorin politik në vend sa i përket dialogut me Serbinë.

Por, kundërshtimit të opozitës i bashkohet edhe partia Socialdemokrate, sipas tyre propozim-rezoluta e Qeverisë nuk dallon fare nga qëndrimi i mëhershëm i saj rreth Dialogut, për të cilën thonë se nuk e mbështesin.

“Kjo është për keqardhje. Rrjedhimisht, nuk e mbështesim. Tash e sa kohë, Partia Socialdemokrate përpiqet të ofrojë rrugëdalje nga paraliza politike karshi procesit të Dialogut. Për këtë arsye e ka deponuar propozim-rezolutën e vet, dy muaj më herët. Rezoluta e PSD është më funksionale, më gjithëpërfshirëse dhe përqendrohet në procesin demokratik të ndërtimit të Platformës Negociatore, të përzgjedhjes së Ekipit Negociator dhe të Mbikëqyrjes Parlamentare të mbarë procesit”, thuhet në qëndrimin e kësaj partie.

Theksojmë se, Draft-Rezoluta përmban 6 pika, në të cilat theksohen parimet kryesore të pjesëmarrjes së Kosovës në dialogun me Serbinë që do të çonte drejt një marrëveshje për normalizimin e raporteve. Kjo marrëveshje, veç tjerash pritet që t’u hapë perspektivën integruese të dyja palëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat