UÇK mbrohet edhe me ligj

Aktuale

UÇK mbrohet edhe me ligj

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 12:39
Komisioni parlamentar për Arsim

(E plotësuar) - Shumë shpejt vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të mbrohen me ligj.

Për këtë komisioni parlamentar për arsim sot ka shqyrtuar në parim projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, ku deputetët duke vlerësuar lart dhe mjaft të domosdoshëm projektligjin në fjalë, kanë thënë se kategoria e luftëtarëve të UÇK-së është pothuajse e shenjtë dhe duhet bërë një ligj adekuat për ta.

Kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi fillimisht ka pasur vërejte në projektligj për disa mangësi, por uron që të bëhet një ligj i mirë për një kategori të veçantë për vlerat e UÇK-së.

Kurteshi: Kam pritë që me ligj do të ketë një institucion që i mbron vlerat

“Nga ajo që mua më ka ra në sy janë dy tri gjëra. Një që nuk është definuar çka është vlerë, nuk është dhënë ndonjë definicion se çka është e vlerë e UÇK-së. Në krejt ligjin, nuk e kam vërejtur një gjë të tillë. Një çështje tjetër që kam pritur me pa brenda ligjit është që me pasur një institucion i caktuar që i mbron vlerat. Nuk e di kush i mbron vlerat… Është mirë që më në fund po vjen një ligj i tillë për një kategori të veçantë”, theksoi Kurteshi.

Deputeti Fadil Beka i cili është pjesë e deputetëve iniciues së këtij projektligji, tha se kjo nismë ligjore ka ardhur prej kryetarit të Kuvendit dhe janë diku 25 deputetë nënshkrues që e kanë mbështetur këtë nismë ligjore që sipas tij, është konform Kushtetutës.

Beka: Ky projektligj përcakton obligimin institucional për vlerave të UÇK-ë

“Si çështje kryesore përcakton masat lidhur me mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me sakrificën, angazhimin dhe kontributin e tyre të çmuar në luftën çlirimtare të Kosovës ishin faktor vendimtar për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës. Ky projektligj e përcakton edhe obligimin institucional dhe qytetarë për mbrojtën e vlerave të luftës”, ka thënë Beka.

Ndërsa Valentina Bunjaku Rexhepi, deputete e LDK-së është interesuar të dijë nëse në këtë projektligj është e përfshirë edhe FARK-u.

Bunjaku Rexhepi: A janë të përfshirë në projektligj edhe FARK-u?

“A janë të përfshirë të gjithë ushtarët, p.sh. ka ekzistuar në atë kohë edhe FARK-u dhe a është e përfshirë në këtë projektligj. Dhe u fol për drejtorinë e UÇK-së, ndërsa disa prej tyre sot aktualisht janë politikanë dhe janë duke shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si mbrohen këta individ?”, ka pyetur Bunjaku Rexhepi. 

Iniciues i këtij projektligji Fadil Beka ka thënë se me anë të këtij projektligji nuk mbrohen individët, por mbrohet institucioni. Ai ka thënë se gjatë luftës ka ekzistuar vetëm një formacion ushtarak, UÇK-ja dhe tha se modeli i ligjit është kroat.

Beka: Ka ekzistuar vetëm një formacion ushtarak, UÇK-ja

“Këtu nuk mbrohen individët, mbrohen institucionet. Me sa e dimi ne ka ekzistuar një formacion ushtarak, UÇK-ja, ka pasur emblemën, shenjat, uniformën. Mund të ketë formacione të tjera, por realisht ka funksionuar vetëm si UÇK. Edhe atë formacionin që e përmendët ju e ka pasur stemën e UÇK-së. FARK ka pasur stemën e UÇK-së dhe normalisht që ka vend për plotësim”, theksoi deputeti Beka.

Driton Çaushi tha se rasti i listave të veteranëve shpërfaq më së miri gjendjen ose kategorinë e ushtarëve të UÇK-së.

Deputeti Shemsi Syla ka thënë se këtij projektligji i mungon shumëçka, sepse ligji nuk parasheh sanksione. Komisioni unanimisht ka proceduar projektligjin për leximin e parë në Kuvend.

***

Komisioni parlamentar për Arsim sot ka shqyrtuar në parim Projektligjin nr.06/L-093 për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Deputetët duke vlerësuar lart dhe mjaft të domosdoshëm projektligjin në fjalë kanë thënë se kategoria e luftëtarëve të UÇK0së  është pothuajse e shenjtë dhe duhet bërë një ligj adekuat për ta.

Driton Çaushi tha se rasti i listave të veteranëve shpërfaq më së miri gjendjen ose kategorinë e ushtarëve të UÇK-së.

Deputeti Shemsi Syla ka thënë se këtij projektligji i mungon shumëçka, sepse ligji nuk parasheh sanksione.

Ndërsa Valentina Bunjaku Rexhepi, deputete e LDK-së është interesuar të dijë nëse në ligj është e përfshirë edhe FARK-u.

Iniciues i këtij projektligji Fadil Beka ka thënë se me anë të këtij projektligji nuk mbrohen individët por UÇK-ja dhe tha se modeli i ligjit është kroat.

Komisioni unanimisht ka proceduar projektligjin për leximin e parë në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat