"Publikimi i të dhënave personale në listat e veteranëve është shkelje e privatësisë"

Aktuale

"Publikimi i të dhënave personale në listat e veteranëve është shkelje e privatësisë"

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 14:25
Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione

Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione gjatë ditës së sotme shqyrtoi Raportin me tri rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe pas vërejtjeve të dhëna nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari u vendos që të diskutohet sërish në mbledhjen e ardhshme.

Avokati i Popullit përmendi parregullsitë në sistemin ligjor të cilat po e vështirësojnë zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe punën e gjyqtarëve.

Deputetja e LDK-së, njëkohësisht edhe anëtare e Grupit Punues, Mirjeta Kalludra tha se grupi punues i këtij komisioni ka dalë me tri rekomandime sa i përket trajtimit të rasteve për mbrojtje nga diskriminimi. 

“Në rekomandimin e parë që të hartohet projektligji i ri për mbrojtjen nga diskriminimi, rekomandimi i dytë kërkon që diskriminimi të trajtohet si vepër penale, kurse në rekomandimin e tretë thuhet se në buxhetin e miratuar për vitin 2019 është paraparë rekrutimi i zyrtarëve për mbrojtje nga diskriminimi nga ana e komunave dhe në pesë ministri ku kjo pozitë është e pambuluar për mbrojtje nga diskriminimi”, tha Kalludra. 
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se në vitin 2015 për herë të parë janë aprovuar tri ligje bazike, ku siç tha ai bëhet fjalë për ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi, ligjin për barazi ligjore dhe ligjin për Avokatin e Popullit.

Ai gjithashtu theksoi se ligjet e miratuara nuk po arrijnë të jenë të harmonizuara prandaj edhe po krijojnë konfuzitet veçanërisht në rastin e ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi. 
“Kemi hasur në disa pengesa që janë të patejkalueshme për qytetarët e vendit si aspekti procedural për të realizuar të drejtën e vetë. Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi ka paraparë pesë procedura: civile, administrative, kundërvajtëse, penale dhe atë të Avokatit të Popullit. Vetë fakti qe nuk tregohet se cila procedurë mund të fillohet dhe cila mundet me pushu krijon një situatë të pafavorshme sepse mundesh me i pasë pesë vendime për rastin e njëjtë. Ligji për mbrojtjen e diskriminimit thotë që mund të mbrohet edhe në sektorin privat, ndërsa në Kushtetutë thotë se Avokati i Popullit mund ta mbrojë sektorin publik”, tha Jashari. 

Sipas tij, duhet të bëhet ndryshimi i ligjit te harmonizimi i procedurave dhe siç deklaroi Jashari procedura administrative është më e përshtatshme, duhet të jetë penale ose procedurë civile dhe jo me pesë procedura, siç e kemi deri tash në ligjin aktual.
Për Avokatin e Popullit, problemet ligjore janë produkt i sistemit dhe sipas tij, ligjet që po miratohen po krijojnë konflikte të drejtpërdrejta. 

“Problemet në vendin tonë janë produkt i vetë sistemit dhe jo individuale sepse asnjëherë nuk është bërë vlerësim i sistemeve ligjore. Ekzekutivi dhe qeveria sponsorizon ligje që lejojnë hapësirë për plotësim ndryshime prandaj edhe nuk mund të gjejnë zbatim dhe ligjet tek ne janë jo cilësore. Kur kemi mori ligjesh që janë të pa harmonizuara atëherë krijohen konflikte të drejtpërdrejta. Gjithashtu edhe mos publikimi i udhëzimeve administrative në faqe zyrtare krijon pasiguri te qytetarët”, theksoi Jashari.

Deputetja dhe kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje tha se kishte pranuar një peticion nga ana e një nëne e cila kërkonte që djali i saj të pranonte edukimin e lartë pavarësisht që është i burgosur.

E për këtë çështje, Jashari tha se nuk ka asnjë pengesë ligjore që këta persona të fitojnë një edukim të lartë sepse siç theksoi ai, të burgosurve, e vetmja e drejtë që u merret është ajo e lëvizjes. Sipas tij, sistemi duhet t’ua mundësojë që të edukohen dhe të ri-socializohen.

Avokati u pyet edhe për publikimin e listave të veteranëve se a ishte shkelje e të drejtave të njeriut publikimi i të dhënave të tyre.

E për këtë, Jashari tha se kishte shkelje të privatësisë dhe se më të duhet marrë Agjencioni për Mbrojtjen e të Dhënave.

“Unë mendoj që po ka shkelje të privatësisë dhe deri tani kemi katër ankesa te institucioni jonë. Sa i përket mbrojtës së të dhënave është kompetencë ekzekutive e Agjencionit për Mbrojtjen e të Dhënave”, përfundoi ai.

Hilmi Jashari në mbledhjen e këtij komisioni ngriti edhe çështjen e pagesës së avokatëve ku theksoi se “Kosova paguan më së shumti në Ballkan mjete për avokatë dhe Odën e Avokatëve dhe ka më së paku buxhet për ndihma juridike për qytetarin”, prandaj sipas tij, edhe kjo çështje duhet të ndryshohet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat