Pesë arsyet pse shkëmbimi i territoreve është i rrezikshëm në Ballkan

Aktuale

Pesë arsyet pse shkëmbimi i territoreve është i rrezikshëm në Ballkan

Nga: N.Sh Më: 8 tetor 2018 Në ora: 17:25
Harta e Kosovës

Profesori nga Shqipëria, Lisen Bashkurti ka dhënë pesë aryse pse shkëmbimi i territoreve është i komplikuar dhe i rrezikshëm në Ballkan.

Ai përmes një postimi në facebook, shkruan se, hapja e debatit politik dhe publik në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë është pozitiv. “Mbas shumë vitesh agjendash të fshehta, Ballkani padyshim ka nevojë që cdo ide, projekt, skenar politiko-diplomatik t’i nënshtrohet debatit politik, publik në të gjitha nivelet”, thekson ai, transmeton gazeta “Bota sot”.

Ai tutje shprehet se, hapja e debateve politike dhe publike në gjithë nivelet rritë shkallën e informimit dhe pjesëmarrjen e kontributorëve në politikë-bërje dhe ndikon direkt ose indirekt në vendim-marrjen politike demokratike. Sado të komplikuara dhe të rrezikshme qofshin idetë apo projektet e ndryshme, vënia e tyre në agjendat politike dhe publike për diskutim të hapur është gjë pozitive në vetvete. “Idetë dhe projektet e hapura për debat politik dhe publik janë shumë më pak shqetësuese dhe të rrezikshme sesa agjendat e fshehura ose të mënjanuara nga debati politik dhe publik. Nga ana tjetër, sa më shumë institucione dhe individë të përfshihen në këto debate aq më mirë është për produktin që do dalë prej tyre”, shkruan ai.

“Në shtetet dhe shoqëritë demokratike transparenca dhe gjithëpërfshirja janë dy parakushte për të pasur një politikë-bërje demokratike, të drejtë, të dobishme dhe vendim-marrje të zbatueshme, të qëndrueshme dhe të suksesshme. Natyrisht në rajone pa traditë në debate politike dhe publike, sic është Ballkani Perëndimorë, njerëzit shpesh janë mësuar ë rrinë në terr informativ dhe në pasivitet, duke u shqetësuar më tepër nga debatet dhe participimi në to sesa nga vetë lënda dhe qëllimet për të cilën ato debate bëhen. Pra, në vëndet në trazicion ose në vëndet post-dikatoriale ose në shoqëritë post-traumatike njerëzit tremben nga debati si “djalli nga temjani” dhe nga participimi në to si “nga pjesëmarrja në revolucione”. E thënë ndryshe në këto vënde trazitive, post-dikatoriale dhe shoqëri post-traumatike ka ende njerëz që preferojnë më mirë të mos informohen dhe të qëndrojnë pasiv sesa të informohen dhe të përfshihen në debate politike dhe publike. Këto njerëz vuajnë nga sindroma e së kaluarës për zgjidhje ”nga lart poshtë”, në një kohë kur ndryshimi më thelbësor që bën diferencën nga dikatura në demokraci është ndryshimi ndodh “nga poshtë-lart”. Nga kjo sindromë vuajnë jo vetëm njerëzit e rëndomë, por edhe liderët”, shkruan profesori.

Sipas tij, propozimi për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Sërbisë si pjesë e një marrëveshje të mundshme finale për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vëndeve ka turbulluar mjaft opinionin politik dhe publik në Kosovë, Serbi, Balkan dhe në nivele ndërkombëtare. “Por kjo “turbullirë”, nëse mund të quhet e tillë është e dobishme, sepse së pari ishtë pjesë e transparencës institucionale, së dyti aktivizoi politikën dhe opinionin publik në të gjitha nivelet, së treti, vuri në lëvizje edhe disa aktorë dhe faktorë “ të fjetur” deri tani dhe, së treti, zbuloi shumë anë të pa thëna, ide të errëta, iniciatica të panjohura dhe skenare kontradiktore që mund të prodhoheshin nga propozimi për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Sërbisë”.

“Pra mendoj se nga pikpamja e transparencës dhe e gjithëpërfshirjes propozimi për shkembim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë ishte pozitiv. Por nga pikpamja e përmbajtjes së tij dhe e pasojave që mund të prodhojë në praktikë propozimi për shkembim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë është tejet i komplikuar dhe shumë i rrezikshëm. Qysh në krye të herës duhet thënë se propozimi për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Sërbisë nuk është kurrëfarë ideje e re dhe as origjinale. Është një ide e njohur dhe e vjetër sa vetë shteti. Është ideja më e komplikuar teorikisht dhe më e vështira dhe e rrezikshmja për t’u realizuar praktikisht midis Kosovës e Serbisë në rajonin e Ballkanit”.

Ai jep pesë arsyet kryesore.

“Së pari, territori nuk është definicion gjeografik sic merret rëndom, por gjeo-politik. Në shkencat politike thuhet se “territori është hapsira ose mjedisi ku popujt lindin dhe zhvillojnë identitetet e veta etno-kultuore dhe zhvillojnë statuset e tyre politike, ekonomiko-sociale”. Për konseguencë cdo lëvizje, korrigjim apo shkëmbim territori përmban ndryshim të pashmangshëm subjektivitetit politik të popullit që jeton në atë hapsirë të zhvendosur. Pra shkëmbimi i territoreve është në thelb ndryshim ose shkëmbim i subjektivitetit politik të popullsisë që përfshihet në të. Persa kohë territori është definicion gjeo-politik këto dy komponentë nuk mund të ndahen kurrësesi as teorikisht dhe as praktikisht.

Së dyti, ndryshimi i subjektivitetit politik të popullsive që janë pjesë e zhvendosjes territoriale kërkon të konsiderohen në vendim-marrje demokratikisht gjitha grupet, komunitetet, fiset, familjet deri te individët, lypë të merret parasysh mjedisi jetues, etno-kulturor, resurset ekonomike, rrethanat biznesore dhe cdo element identitar dhe statuor. Jashtë këtyre faktorëve cdo lëvizje e identitetit politik të popullsive dhe komuniteteve të zhvendosura territorialisht deri te cdo individ do ishte jodemokratike, do ishte lëvizje me forcë, shpërngulje e detyrueshme dhe si të tilla të papranueshme nga parimet universale të të drejtave të njeriut.

Së treti, ndryshimet e territorialitet dhe bashkë me të edhe të subjektivitetit politik të popullsive respektive nuk mund të bëhet pa marrë parasyshë përvojat historike dhe realitetet etno-kulturore dhe gjeopolitike të rrethit fqqinjësor të drejtpërdrejtë dhe të rajonit specifik, në rastin e dhënë të Ballkanit. Territori dhe popullsitë bashkëshoqëruese janë “sisteme kapilare” me ndikime dhe efekte të pashmangshme ndërmjet tyre. Në këtë proces dihet vetëm fillimi. Fundi është i paparashikueshëm. Ajo që dihet janë vetëm përvojat historike që na japin mësime ogurzeza sidomos në Ballkan.

Së katërti, shkëmbi i territoreve dhe i subjektivitetit politik të popullsive mund të ndodhë vetëm e vetëm në shtetet shumë demokratike funksionale dhe që njohin e respektojnë njëri-tjetrin, vetëm në rajone krejtësisht të stabilizuara, demokratike dhe me properitet të lartë ekonomik e social si dhe vetëm e vetëm me mbështetje dhe garanci të fuqishme dhe legjitme ndërkombëtare. Në rastin e dhënë nuk ekziston situatë e tillë as në nivelet dypalëshe shtetërore, as në mjediset Rajonale dhe as në garancitë mbështetëse ndërkombëtare.

Së pesti, faza e fundit e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi kërkohet të synojë heqjen e kufijve ose minimalizimin e tyre; heqjen e doganave ose zbutjen e tyre; liberalizimin e lëvizjes së njerëzve dhe kontrollin e integruar të kufirit; respektimin e plotë të të drejtave të komuniteteve pakicë dhe mbi parime tërësisht reciproke; njohjen e pranimin reciprok të të vërtetave historike dhe të realiteteve aktuale midis dy shteteve. Njohja e të vërtetave prodhon respekt, respekti prodhon mirëkuptim, mirëkuptimi krijon pajtim, pajtimi krijon miqësi dhe kjo e fundit i jep fund të kaluarës dhe i hapë rrugë paqes, bashkëpunimit dhe prosperitetit për dy popujt dhe vëndet si dhe shënon vlerë të shtuar për politikën e fqinjësisë së mirë dhe për paqen e stabilitetin rajonal”, përfundon profesor Lisen Bashkurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat