Ftesa e Veselit për partitë opozitare, PSD nesër merr vendimin

Aktuale

Ftesa e Veselit për partitë opozitare, PSD nesër merr vendimin

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 14:47
Dukagjin Gorani

Partia Socialdemokrate do të marrë nesër vendim lidhur me pjesëmarrjen e saj në takimin e ftuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli për partitë opozitare lidhur me rezolutën e koalicionit qeverisës për dialogun me palën serbe në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së.

Nënkryetari i kësaj partie, Dukagjin Gorani edhe një herë shprehur kundërshtimin e PSD-së ndaj rezolutës së propozuar nga koalicioni qeverisës, duke thënë se vendimi për ekipin negociator dhe platformën shtetërore për dialogun duhet të merret në Kuvendin e Kosovës.

Gorani: Rezoluta e koalicionit qeverisë, e pakuptimtë

“Nuk e ka privilegjin të hartojë propozime me qasjen merre ose le. Propozim rezoluta e fundit e propozuar nga kryetari Veseli vazhdon të mbajë pikërisht këtë qëndrim që është i pakuptimtë. PSD rithekson qëndrimin e vet se një çështje e tillë duhet patjetër të përzgjidhet përmes debatit demokratik në Kuvendin e Republikës. Aty duhet të parkohet platforma e përbashkët negociatore dhe rrjedhimisht të formohet ekipi negociator”, tha Gorani në një konferencë për media.

Ai kërkoi gatishmëri nga partitë politike për kompromis si kusht për unitet në dialogun me palën serbe, të cilat janë përmbledhur si parime në rezolutën e PSD-së, e cila kërkon mbikëqyrjen parlamentare të fazës së bisedimeve Prishtinë-Beograd.

Gorani: PSD vazhdon të besojë se propozimi i saj mbetet qasje e arsyeshme

“PSD vazhdon të besojë se propozimi i saj mbetet qasje e arsyeshme, e  cila përkujton se zgjidhja e vetme për problemet e ndjeshme në shoqëri duhet përmes përfshirjes në fillim të procesit dhe jo vetëm përmes ftesës për pjesëmarrje si një akt i kryer”, tha ai.

Ndërkohë që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ftuar partitë opozitare për një takim të enjten lidhur me rezolutën e koalicionit qeverisës rreth dialogut, Gorani tha se vendimi për pjesëmarrje do të merret nesër.

Gorani: Përgjigjen përfundimtare do ta marrim nesër

“Përgjigjen përfundimtare do ta marrim nesër në mbledhjen e kryesisë. Këto që thashë janë qëndrimet të PSD-së të bazuara edhe në projekt-rezolutën e  dorëzuar në Kuvend dy muaj më herët. S’ka asnjë gjasë që të heqim dorë nga një gjë e tillë. PSD i sheh me mirëseardhje përpjekjet për takime, por nuk mendon se heqja dorë nga parimet e funksionimit të një shoqërie demokratike është e mirë në këtë moment shoqëror”, tha ai.    

Gorani tha se PSD mbetet e hapur për takime, por projekt-rezolutën e ofruar nga koalicioni qeverisës për dialogun me Serbinë nuk e sheh si rrugëdalje për të arritur kompromis të përbashkët rreth kësaj çështjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat