Pas kërcënimit që Thaçi i bëri Haradinajt, flet Xhavit Haliti thotë se Kuvendi po bllokohet!

Aktuale

Pas kërcënimit që Thaçi i bëri Haradinajt, flet Xhavit Haliti thotë se Kuvendi po bllokohet!

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 16:07
Xhavit Haliti

Kërcënimi me shkarkim që iu bë dje Kryeministrit Haradinaj nga i pari i shtetit, Hashim Thaçi sa i përket qëndrimit të tij për “korrigjimin” e kufijve, nuk po gjen përkrahjen as nga nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti.

Haliti në një bisedë për media i ka bërë më dije presidentit të vendit se Kosova është Republikë Parlamentare dhe se kontrolli parlamentar nuk duhet të mungojë asnjëherë.

Sipas tij, tentimet për ta bllokuar debatin në parlament nuk ngjasojnë fare me të qenit Republikë parlamentare.

“Kosova është Republikë Parlamentare dhe kontrolli parlamentar nuk duhet të mungoj asnjëherë, duke përfshi këtu edhe kushtet e jashtëzakonshme. Mendoj që sabotimi i Parlamentit të Kosovës dhe kushtëzimi i stisur për të bllokuar debatet në parlament janë veprime që nuk përkojnë me të qenit Republikë Parlamentare”, ka deklaruar Haliti.

Nënkryetari i PDK-së ka thënë se pret që si Presidenti Thaçi ashtu edhe Kryeministri Haradinaj të veprojnë e deklarohen në përputhje me kompetencat e tyre.

Tutje ai ka thënë se pret nga të dy që të mos i zhgënjejnë qytetarët e vendit.

“Ata të dytë kanë funksionet më të larta në hierarkinë shtetërore të Kosovës. Njeri është i ulur në karrigen e Presidentit e tjetri në karrigen e Kryeministrit. Përgjegjësitë para popullit dhe Kushtetutës i kanë të njohura ashtu siç i kemi ne të gjithë të njohura kompetencat e këtyre dy institucioneve”, u shpreh ai.

“Shpresoj e besoj që do të konsultohen dhe do veprojnë e deklarohen në përputhje me kompetencat, përgjegjësitë dhe detyrimet, ashtu siç pres që asnjëri të mos i zhgënjej qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Në anën tjetër media, gjatë tërë ditës ka tentuar të kontaktojë me Deputetin e AAK-së, Daut Haradinaj për të marrë një qëndrim nga ana e tij në lidhje me kërcënimin që Thaçi i bëri Ramush Haradinajt, por ky i fundit nuk i ka hapur telefonin redaksisë.

Theksojmë se Presidenti i shtetit Hashim Thaçi, ka kërcënuar me shkarkim Kryeministrin Ramush Haradinaj, për shkak të qëndrimeve të tij kundër idesë për korrigjim kufijsh me Serbinë.

Thaçi, përmes një konference për media ka kërkuar nga Haradinaj, që të “korrigjojë” siç është shprehur ai, qëndrimin karshi dialogut me Serbinë, në fazën përfundimtare.

“Jam i sigurt se kryeministri ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet e tij rreth dialogun, pa dialog nuk ka të ardhme atlantike për Kosovën. Tek e fundit që pozitat tona nuk janë të përhershme, kryeministrat dhe presidentet mund të ndërrohen, shkojnë e vinë, gjithsesi mund të ndërrohen ata që nuk korrigjohen”, tha Thaçi.

Kreu i shtetit, i ka cilësuar të habitshme deklaratat e Kryeministrit Haradinaj, rreth idesë për korrigjim të kufirit me Serbinë, duke thënë se ai “ose është në humor të mirë ose është komod në karrigen e vet”.

“Unë kam pritur që të jetë më racional karshi deklaratave për dialogun. Një kryeministër serioz nuk flet për luftëra dhe tragjedi, por për reforma. Sido që të jetë ka dështuar të bëjë një gjë të tillë në javët dhe muajt e fundit”, ka vazhduar me kritika, ndaj Haradinajt Presidenti Thaçi.

Tutje, ai ka thënë se marrëveshja Kosovë- Serbi është e domosdoshme, që përmes saj Kosova të fitojë njohjen reciproke, “të fitojë njohje nga pesë vende të Bashkimit Evropian dhe jam i bindur që një gjë e tillë është më së e duhur që të ndodh”, shtoi Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat