"Kurdo që të rrëzohet Qeveria na pshton"

Aktuale

"Kurdo që të rrëzohet Qeveria na pshton"

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 17:09
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur presidentit Thaçi për shkarkimin e tij të mundshëm nëse nuk korrigjon deklaratat për kufijtë me Serbinë, duke përsëritur edhe një herë se kjo çështje ka vdekur, derisa ka thënë se është vështirë të spekulohet rreth pohimeve se AKI ka dërguar informata të rreme në Gjykatën e Hagës.

Ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, tha se deklaratat e Hashim Thaçit nuk janë shqetësuese, teksa shtoi se ata që e rrëzojnë njëmend qeverinë nuk flasin, por e bëjnë këtë.

Haradinaj: Kur të rrëzohet Qeveria na pshton

“Kush e ka nijet me e rrëzuar Qeverinë nuk flet, e rrëzon. Ata që flasin mos u mërzitni për ta. Tjetra është se ai që ka vdekur nuk ngjallet më, njëherë është ngjallë Krishti. Çështja e korrigjimit të kufijve ka vdekur, e vetmja mënyrë për me u mbajt gjallë kjo temë është përmes ndonjë skenari të dhunës në veri, ndonjë incidenti apo sulmi të ndërsjellët në mënyrë që me u konfirmuar ndarja. Por nuk ka mundësi politike në tavolinë më... 59’50” Kur të rrëzohet Qeveria, na pshton”, tha Haradinaj.

E polemikat e fundit të ngritura mes tij dhe presidentit Thaçi, kryeministri Haradinaj thotë se nuk kanë ngjyrime tjera përveç se që kanë të bëjnë me temat.

Sipas tij, ajo që është me interes është arritja e një marrëveshje ligjore obliguese me Serbinë, por pa shkëmbime territoriale.

Haradinaj: Nuk e kam me presidentin, e kam me temat

“Unë s’e kom me to. E kam me temat. Ju e dini çka kemi heq si Kosovë me e korrigjuar një marrëveshje të kufirit me Malin e Zi. Sado që mund ta kem mik presidentin, dikë në veri, shumë ma burra të mirë janë kanë Shkëlzeni e Luani, vëllezërit e mi dhe nuk do të lejoj që ajo është e arritur e këtij populli me u nëpërkëmb prej ndonjërit prej nesh, qoftë i Prishtinës, i veriut, i jugut”, tha ai.

Sa i  përket pretendimit të presidentit Thaçi se Haradinaj po dëshiron ta ndajë Kosovën që ta fuqizojë asociacionin me shumicë serbe, kryeministri e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se në këtë aspekt do të veprohet vetëm në pajtim me Kushtetutën.

Haradinaj: Asociacioni vetëm siç e thotë Kushtetuta

“Thaçi takohet me njerëz si ai edhe në Prishtinë, edhe në Bruksel. Ata janë të njëjtit, i ka takuar edhe Thaçi... Unë kam shumë respekt për zotin Radojçiq, për Rakiqin, Sllavko Simiq, Igorin, për të gjithë. Premtime të tilla s’kanë ndodhë.  Qëndrimet për asociacionin ju i dini, do të thotë veç çka thotë Kushtetuta e vendit. Këtë qëndrim e kam pasur si me palët e brendshme si të jashtme, si me qytetarët serbë të vendit si me të gjithë”, ka thënë Haradinaj.  

Sa i përket deklaratave të fundit të gazetarit Vehbi Kajtazi se “AKI ka dërguar informata të rreme në Gjykatën e Hagës”, kryeministri tha se është e vështirë të spekulohet për këtë.

Haradinaj: AKI nuk duhet të lëshohet në zhvillime çfarë janë komentuar në media

“T’ju them të vërtetën zor është me spekuluar për këtë, si është gjendja vërtet. AKI e pashë se ka bërë një deklarim zyrtar. Është interesi jonë që AKI të mbesë në mandatin e vet, që është pra i qartë, që është lufta kundër rreziqeve që i kanosen Kosovës, ekstremizmi dhe rreziqet tjera të influencës ruse. Nuk do të ishte mirë që AKI me u lëshuar në zhvillime çfarë janë komentuar në media”, tha Haradinaj.

Ndryshe, presidenti Thaçi dje në një konferencë për media, duke aluduar në deklaratat e Haradinaj rreth korrigjimit të kufirit me Serbinë, ka deklaruar se kryeministri nuk duhet të flasë për luftën sa herë t’i jepet mundësia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat