Përplasja Thaçi-Haradinaj: Analisti politik thotë se shteti ka probleme të mëdha

Aktuale

Përplasja Thaçi-Haradinaj: Analisti politik thotë se shteti ka probleme të mëdha

Nga: N.H Më: 9 tetor 2018 Në ora: 22:06
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Presidenti  Hashim Thaçi dhe kryeministri  Ramush Haradinaj po vazhdojnë përplasjet mes tyre lidhur me çështjen e korrigjimit te kufijve.

Këto polemika, i ka komentuar edhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend.

Faik Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është i mendimit se nuk është gjë e hijshme për një shtet kur përplasen Presidenti dhe Kryeministri dhe se sipas tij, kjo tregon se shtet ka probleme të mëdha.

“Nuk është gjë e hijshme për një shtet kur përplasen Presidenti dhe Kryeministri. Kjo tregon që ai shtet ka probleme të mëdha. Sidoqoftë, kjo përplasje mes tyre ka qenë edhe e pritshme, për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta, edhe pse në parim nuk kanë fare dallim presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj”.

Image
Faik Krasniqi

“Një pjesë e deputetëve të PDK-së akoma i binden Hashim Thaçit dhe një mocion i ngritur nga opozita do të mund të shpinte tek rrëzimi i Qeverisë, por ata deputetë kanë frikë nga hakmarrja e Kadri Veselit që pastaj nuk do t'i fuste në listë për deputetë në zgjedhjet e ardhshme, se përndryshe një sinjal i Thaçit do t'i shtyente ata që të votonin pro rrëzimit të Qeverisë. Ku do të na dërgojnë këto ballafaqime? Askund. Janë debate shterpe në një vend që ka me mijëra probleme”, është shprehur Krasniqi.

Me tej, Krasniqi potencon se më e keqja është që Presidenti Thaçi ngelet prapë në pozitën e tij, edhe nëse shkon kjo Qeveri e udhëhequr nga një njeri që vdiste për t'u bërë kryeministër.

“Probleme që janë grumbulluar qe dy dekada dhe po grumbullohen dita-ditës më shumë, në vend se të zgjidhen ose të zgjidheshin shumë-shumë vite më parë. Por është e vështirë të zgjidhen këto probleme me një qeveri të tillë e me një klasë politike që i kanë bërë këto probleme. Janë probleme të shkaktuara qëllimisht nga kjo klasë politike, të lidhura nyje. Çfarë është më e keqja që Presidenti Thaçi ngelet prapë President, edhe nëse shkon kjo Qeveri e udhëhequr nga një njeri që vdiste për t'u bërë kryeministër, por edhe pse ia arriti qëllimit dhe u bë i thelloi problemet akoma më shumë seç ishin më parë. Na ngelet prapë Hashim Thaçi, një President grindavec”, ka përfunduar analisti Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat