Heldt thotë se qëndrimi i Gjermanisë për mosprekjen e kufijve s’ka ndryshuar

Aktuale

Heldt thotë se qëndrimi i Gjermanisë për mosprekjen e kufijve s’ka ndryshuar

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 15:43
Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, gjatë një tryeze ku është folur për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se Gjermania nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj kundër korrigjimit të kufirit.

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur organizoi tryezën “ Negociatat Kosovë- Serbi: Një qasje racionale?”, e cila është në vazhdën e ciklit të Forumit 2015

Ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, gjatë tryezës së organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, me temën “ Negociatat Kosovë- Serbi: Një qasje racionale?”, tha se temat të cilat janë biseduar në Bruksel kanë qenë diskrete dhe se ai është për një qasje pozitive për arritjen e një marrëveshjeje.

“Unë vërtetë do të avokoja për një qasje pozitive se si të zgjidhen me një qasje pozitive pengesat në të cilat po kaloni. Në masë të madhe varet se për sa substancë është folur. Ne nuk i dimë cilat kanë qenë temat e bisedimeve, ky është një proces që është trajtuar në mënyrë shumë diskrete. Ne e mbështesim plotësisht dialogun. Mirëpo në lidhje me hollësitë palët që janë të përfshira në këtë mund të japin një kohë se kur do të zgjidhet”, shtoi Heldt.

Gjithashtu Heldt tha se nuk i komenton opsionet të cilat u votuan nga pjesëmarrësit ku alternativa “Kurrfarë shkëmbimi territorial, por themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke respektuar plotësisht Kushtetutën e Kosovës”, e votuan 52.9 për qind.

Por përsëriti se qëndrimi i qeverisë gjermane karshi dialogut është i njëjtë dhe i pandryshueshëm.

“Unë nuk dua të komentoj për këto rezultate pasi qëndrimi i qeverisë sime është i njëjtë dhe i pandryshueshëm, i cili ka të bëjë me një zgjidhje të qëndrueshme dhe një paqeje në rajon. Këto tema janë të diskutuara publikisht. Unë nuk dua të komentoj sepse kjo është çështje e kosovarëve dhe serbëve. Duhet të kemi një vizion më të gjerë strategjik. Ne të gjithë jemi të anëtarësuar në BE dhe kurdo që kjo të ndodhë, ideja themelore është që të gjitha shtetet të punojnë së bashku në BE”, tha Heldt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat