PDK e zgjedh në dhjetor Kryetarin, s'dihet a do ta rivalizojë dikush Veselin

Aktuale

PDK e zgjedh në dhjetor Kryetarin, s'dihet a do ta rivalizojë dikush Veselin

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 18:30
PDK

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka folur për procesin e brendshëm zgjedhor që ka filluar sot në partinë e udhëhequr nga Kadri Veseli.

Hoxhaj në një intervistë për T7, ka thënë se procesi zgjedhor i nisur sot, do të përfundojë në muajin dhjetor ku do të konkretizohet me zgjedhjet e kryetarit të partisë dhe organeve të reja të PDK-së.

“Sot e kemi një hapje solemne të procesit zgjedhor në Partisë Demokratike të Kosovës. Do të zgjidhen strukturat e nëndegëve, dhe tek dikun në dhjetor do ta kemi konventën përmbyllëse ku do të zgjidhet edhe kryetari i partisë dhe organet e reja të PDK-së”, ka thënë Hoxhaj.

I pyetur rreth kandidatëve të mundshëm për kreun e PDK-së, Hoxhaj ka thënë se pas përfundimit të zgjedhjeve nëpër degë, ka thënë se do të jetë një qartësi rreth kandidatëve të cilët do të pretendojnë për të marrë kreun e PDK-së.

“Ne sot e hapim procesin zgjedhor, dhe fokusi kryesor gjatë nëntorit dhe dhjetorit do të jetë zgjedhja e organeve të partisë, dhe më pas në dhjetor do të ketë një qartësi se kush do të jetë kandidat për kryetar të partisë, a do të jetë z.Veseli apo do të ketë edhe ndonjë kandidat tjetër”.

Nënkryetari i PDK-së ka folur edhe për deklarimet e fundit për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Ai ka thënë se qeveria është stabile, dhe do të vazhdojë punën për arritjen e objektivave të mëdha siç janë vizat dhe formimi i ushtrisë.

“Ne si qeveri jemi stabile. Ne jemi të interesuar që kjo qeveri e cila është themeluar për disa objektiva të mëdha, këto objektiva t’i përmbushim. Ideja e zgjedhjeve ka qenë që të përmbushën vendimet e mëdha. Një nga ta ishte ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, pastaj liberalizimi i vizave, dhe transforimi i FKS-së. Qeveria është stabile”, ka vazhduar Hoxhaj.

Ai ka folur edhe për përplasjet e fundit ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, duke thënë se gjëra të tilla nuk i takojnë PDK-së, që t’i komentojë.

“Komunikimet e z.Thaçi dhe kryeministrit nuk i takojnë PDK-së. Mund të ketë dallime të mëdha për tema nacionale, ku secili e ka pozitën e vetë”, ka përfunduar Hoxhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat