Pacolli kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Aktuale

Pacolli kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 18:45
Shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli

 

Shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, në adresimin e tij para ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë ka kërkuar mbështetjen e kandidaturës së vendit tonë për t’u bërë anëtare e plotë e Interpolit.

“Këtë vit, Kosova ka kandiduar për t’u bërë anëtare e Interpolit dhe vendimi përfundimtar do të merret në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit në Dubai, në muajin nëntor. Ju e dini rëndësinë e kësaj organizate, kështu që ju ftoj të votoni për Kosovën në Interpol”, ka thënë Pacolli.

Ndryshe, me shumicë votash, Këshilli Ekzekutiv i Interpolit në Lion të Francës në qershor të këtij viti, vendosi që Kosova të jetë sërish në agjendë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

Kosova ka aplikuar edhe vitin e kaluar për anëtarësim në Interpol. Ajo ishte futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të Interpolit, në mënyrë që të votohej për pranim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, mbajtur më 17 shtator  2017 në Pekin.

Përderisa territori palestinez dhe Ishujt Solomon janë pranuar në këtë organizatë, Kosova e pati tërhequr kandidaturën pasi mori informata se anëtarësimi mund të mos përkrahej nga vendet anëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat