ORCA: UP-ja me 177 ligjërues që nuk janë profesorë

Aktuale

ORCA: UP-ja me 177 ligjërues që nuk janë profesorë

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 17:31
UP

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), sot ka prezantuar një analizë për mbajtjen e ligjëratave nga stafi pa titull akademik të profesorit në Universitetin e Prishtinës.

ORCA sot ka publikuar një analizë ku thuhet se 544 lëndë në Universitetin e Prishtinës mbahen nga 177 persona që nuk janë profesor.

“Asnjëri nga këta 177 persona nuk i është nënshtruar kritereve rigoroze statutare për profesor, me anë të së cilave mund të dëshmohet përgatitja e tyre për të mbajtur ligjërata. 76 prej tyre kanë vetëm gradën shkencore të masterit”, thuhet në njoftimin e ORCA-s.

Sipas kësaj organizate, shumica prej tyre janë asistentë që po ashtu ligjërojnë.

“Pra 103 asistentë, ligjërojnë 308 lëndë, duke e ditur që detyra e asistentit është të mbajë ushtrime dhe të asistoj në punë të tjera akademike. Universiteti i Prishtinës ka angazhuar 18 persona me gradë shkencore të masterit, në mbajtjen e 34 ligjëratave në nivelin e studimit master. Pra masteri, ligjëron në master”, thuhet më tutje në njoftim.

Sipas Statutit të UP-së detyra e ligjërimit në Universitet nuk është paraparë për asistentë dhe persona të tjerë të angazhuar për çfarëdo funksioni.

Mbajtja e ligjëratave nga persona me përgatitje të tillë përveç që është në kundërshtim me Statutin rrezikon seriozisht kualitetin e mësimdhënies në Universitet.

“Praktikat ku një master i shkencës, ligjëron në nivelin bacholor, e aq më keq edhe në master dëmtojnë rëndë cilësinë e studimeve të çfarëdo niveli. Cilësia e studimeve rëndohet edhe më tepër, kur shtojmë numrin e madh të bashkëpunëtorëve të jashtëm, të cilët pa ju nënshtruar shqyrtimit të kritereve të rrepta statutare për punësim, angazhohen në mësimdhënie, mbajnë provime e konsultime në ngarkesë të njëjtë sa një profesor”, thuhet në njoftim.

ORCA po ashtu ka  bërë të ditur se, Universiteti i Prishtinës vazhdon ta mbingarkojë stafin akademik, me orë shtesë dhe me mbivendosje të pozitave(p.sh. asistenti i një lënde është edhe i angazhuar si bashkëpunëtor i jashtëm për ligjërata në një lëndë tjetër etj.), që minon seriozisht aftësinë e tyre në mësimdhënie dhe vlerësim efektiv. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat