Haradinaj: Më duket se do ta kryej mandatin deri në fund

Aktuale

Haradinaj: Më duket se do ta kryej mandatin deri në fund

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 15:54
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë është duke punuar dhe se do të përfundojë mandatin e tij deri në fund.

Kjo deklaratë e shefit të ekzekutivit vjen pas debatit të djeshëm në mes të deputetit Zafir Berisha dhe kryetarit të PDK-së,  Kadri Veselit, ku ky i fundit i tha Berishës që nëse dëshiron mund t’i bëjë numrat për rrëzimin e Qeverisë.

Por Haradinaj tha se nuk i merr afër zemrës debatet e tilla.

Në konferencën me gazetarë, pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj e quajti Zafir Berishën të veçantë në mënyrën e diskutimit.

Haradinaj: Më duket se do ta kryej mandatin

“Është karakteristikë kur Zafiri, sepse ai është i veçantë në mënyrën e vet të diskutimit, i nxjerr disa tema prej kornerit, e njoh atë, nuk është aty halli. Kur e ka vendosë parlamenti me rrëzu qeverinë e rrëzon, unë e kam vendos me punu për aq sa jam në punë. Nuk i marrë nga zemrës këto diskutime, po më duket që kom me kry mandatin”, tha ai.

Ndërsa për seancën e së enjtes kur pritet të diskutohet për pakon me tre projektligjet për transformimin e FSK-së, Haradinaj tha se nuk ka arsye për shqetësim sa i përket çështjes së financave për transformimin e Forcës.

Haradinaj: Nuk ka arsye me u shqetësu për financat për ushtrinë

“Kam menduar që në diskutim në Parlament kjo pako e ligjeve do të vjen pas 20 nëntorit, ashtu kemi pas një orientim kohor, ka ardhur më herët leximi i parë, por besoj që leximi i dytë do të jetë pas 20 nëntorit, këto janë kalkulimet tona kohore si Kosovë, na konvenon pas 20 nëntorit, 20 nëntor është votimi në Interpol, dëshirojmë të mbesim të fokusuar në agjendën e anëtarësimit të Kosovës në Interpol, ky është leximi i parë, është praktikë si për çdo ligj, këto ligje e kanë deklaratën financiare, pra nuk ka arsye me u shqetësuar askush si për çdo ligj tjetër, është kostoja, deklarata financiare e Qeverisë, nuk ka ndonjë shqetësim për aspektin financiar”, tha ai.

Haradinaj tha se Kosova aktualisht është para tre çështjeve shumë të rëndësishme, siç është formimi i ushtrisë, anëtarësimi në Interpol dhe liberalizimi i vizave. 

E për këtë të fundit, kryeministri tha se shkarkimi i ministrit Bejtush Gashi nuk do të ndikojë në këtë proces.

Haradinaj: Shkarkimi i ministrit Gashi nuk e dëmton procesin e liberalizimit

“Lirimi prej detyrës, i ministrit Gashi dhe propozimi për ministrin e ri më vjen nga partia AKR, zotëri Pacolli, deputet Tahiri e kolegët e tyre. Sidoqoftë mendojmë që nuk është ndonjë tronditje në këtë proces te liberalizimit. Ministria ekzistuese e ka marrë agjendën që një kohë, ai që ishte më herët, edhe ky mund ta vazhdojë. Liberalizimi nuk është për me fol vetëm me një nga ne, të gjithë punojmë dhe prapë nuk është lehtë, por nuk është ndonjë tronditje në kualitet ose ndonjë rrethanë të caktuar që dëmtohet liberalizimi, por duhet të kemi kujdes, duhet të jemi të fokusuar”, tha ai.

Ai tha se ardhja e një ministri të ri është një mundësi e mirë për temën e liberalizimit, e ideja për t’ia dhënë një tjetër detyrë ministrit të shkarkuar, tha se është e pëlqyeshme nga ai.

I pyetur për deklaratat e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit, i cili ka thënë që së shpejti do të bëhet hapja e urës mbi lumin Iber, me përformimin e një këngëtareje të njohur, Haradinaj tha se duhet pasur kujdes për çdo veprim që ndërmerret.

Kryeministri deklaroi se çështja e hapjes së urës nuk është çështje e një dite, andaj çdo gjë duhet bërë e kalkuluar mirë.

Ai tha se nuk dëshirojnë që të rikthejnë skena kur dikush barrikadohet në anën tjetër të urës, dhe theksoi se e ka lutur Bahtirin që të ketë kujdes me veprimet që ndërmerr.

Në mbledhjen e Qeverisë janë  miratuar disa propozim-vendime, ndër të tjera edhe Strategjia shtetërore kundër narkotikëve dhe themelohet Komisioni ndërinstitucional për trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat