Avdyli: Koalicioni qeverisës nuk ka lider por bajraktar klanesh

Aktuale

Avdyli: Koalicioni qeverisës nuk ka lider por bajraktar klanesh

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 16:45
Haxhi Avdyli

Komunat e Kosovës kanë përmbushur 67 përqind të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, por jo edhe niveli nacional, ku deri më tash është përmbushur vetëm 12 përqind.

Kështu u tha në prezantimin e raporti “Zbatimi i MSA-së në nivel komunal-të arriturat dhe sfidat në shtatë komunat më të mëdha”, të realizuar nga instituti GAP, ku fajtor për nivel qendror u tha se është opozita që nuk po kontribuon në miratimin e ligjeve, ndërsa për nivel lokal i cili është i çakorduar, u tha se janë kapacitetet e pamjaftueshëm njerëzore dhe buxhetore.

Kryetarja e komisionit parlamentar për integrime evropiane, Blerta Deliu lidhur me këtë tha se MSA është kontrata më serioze në mes BE-së dhe Kosovës, derisa pohoi se VV e LDK po e pengojnë MSA-në por edhe gjithë procesin e liberalizimit të vizave.

Krejt këto deklarata Haxhi Avdyli, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në një prononcim të shkurtër i ka quajtur qesharake dhe absurde.

“Kjo është deklarata më absurde dhe qesharake sepse ishte LDK-ja, ajo që përmbushi kushtet kryesore për MSA e liberalizimin. Por tani që ky koalicion i territ me një qeveri të zmbrapsjeve po dështon atëherë më lehtë të projektohen fajtorët dikah tjetër. Liderët e vërtetë e marrin meritën por edhe përgjegjësin e dështimeve, por ky koalicion nuk ka lider por bajraktar klanesh. Me këso qeverisje skandaloze, me keqpërdorim të pushtetit nuk integrohet as ne union afrikan e jo në BE”, ka deklaruar Avdyli.

Edhe përkundër kritikave për LDK, deputeti i kësaj partie Avdyli thotë se kjo parti po lë anash politikat partiake për t’i votuar projektet evropiane.

“Edhe pse ka shumë vërejtje për keqqeverisjen, prapë LDK ka ndihmuar dhe po ndihmon eurointegrimet dhe disa herë ka lënë politikat partiake anash për të votuar projektet evropiane dhe ligjet pro integrimit evropian që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve”, ka thënë për fund Avdyli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat