Çudia në Kosovë: Qeveria me 52 numra në Kuvend, kurse opozita e shpartalluar!

Aktuale

Çudia në Kosovë: Qeveria me 52 numra në Kuvend, kurse opozita e shpartalluar!

Nga: N. Sh Më: 17 tetor 2018 Në ora: 13:34
Ramush Haradinaj gjatë betimit në Kuvend

Bashkëpunimi i opozitës duhet të jetë në rend të ditës për mos me thënë që është i vonuar, thotë kryetari i Republikanëve të Kosovës prof. Faton Kurti.

Ai thotë se, në kushtet e asgjësimit të vendimmarrjes parlamentare dhe institucionale bashkëpunimi opozitar është e vetmja rrugëdalje nga ky qorrsokak politik dhe ekonomik ku ka rënë Kosova.

Kurti thekson se, Republikanët e Kosovës, kanë qenë dhe janë promotorë dhe mbështetës të këtij bashkëpunimi dhe pajtimi i cili nuk mund të vendoset vetëm nga një apo dy forca politike siç është LDK dhe VV, por duhet punuar intensivisht që të përfshijë gjithë spektrin opozitar brenda dhe jashtë parlamentit.

Image
Faton Kurti

“Kosova, sot ka një qeveri që ka humbur legjitimitetin përderisa ka tashmë vetëm 52 numra në Kuvend, pikërisht në kohën më kritike, kur vendi është duke kaluar nëpër gjithë këto sfida. Qeverisë që çdo ditë dhe orë, punën kryesore e ka daljen në TV, një kryeministër dhe një president më të dobët se kurrë më parë, të cilët po i shkaktojnë dëme të pakthyeshme shtetit tonë të ri, vetëm për të ruajtur karriget e pushtetit dhe privilegjet që ai bartë me vete”, thotë Kurti për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, opozita duhet ti lërë anash interesat e saj të ngushta partiake dhe elektorale dhe të gjejnë dakordësi, për të ndaluar këtë president i cili del hapur kundër interesave të shtetit që drejton.

“Për t’i dhënë fund kësaj qeverie dhe ekzekutivi që thjesht u bindet urdhrave të këtij presidenti, anipse deklaron se është kundër platformës së tij për korrigjimin e kufijve do të duhej vetëm një opozitë më e organizuar dhe që sheh më tej se interesi partiak. Por ndërsa pozita bën sikur nuk është dakord, faktikisht sot zotëron një dakordësi impresionuese numrash me gjithë skandalet e deklaratave, aferat korruptive dhe vendimet që po rrezikojnë sovranitetin e vendit” shton Kurti.

Profesori potencon se, lojërat me prapaskena elektorale kanë një kosto shumë të madhe si në arenën e vendimmarrjes në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi por edhe një kosto të pakthyeshme tek besimi i këtij populli.

“Edhe asaj mase kritike të popullsisë që do të donte fundin e kësaj klase politike të korruptuar, po i mohohet edhe atashimi më legjitim me një opozitë që duhet të luftojë për interesat e Kosovës madje edhe duke sakrifikuar në terma të ngushtë rrogat e dyfishuara dhe privilegjet që vijnë bashkë me karrigen e deputetit”, thotë ai.

Ai shton se, në këto momente të vështira historike e sheh si obligim që opozita duhet urgjentisht të gjejnë rrugën e mesme dhe të bëhet bashkë për të rrëzuar këtë qeveri të dëmshme për vendin.

“Ju bëj thirrje edhe subjekteve politike të cilat bashkëqeverisin të bëjnë një kthesë politike dhe të mbështesin opozitën. Në këndvështrimin tim: Republika e Kosovës duhet urgjentisht të shkojë në zgjedhje të reja dhe pastaj një qeveri legjitime të udhëheqë dialogun me Serbinë dhe ta drejtojnë vendin drejt sfidave të uljes së papunësisë, uljes së emigracionit përmes zhvillimit ekonomik”, përfundon Faton Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat