Berisha: FSK-ja është institucion i të gjithëve që jetojnë në Kosovë

Aktuale

Berisha: FSK-ja është institucion i të gjithëve që jetojnë në Kosovë

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 16:11
Foto ilustrim

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha, gjatë një takimi me pjesëtarët e FSK-së nga radhët e komunitetit serb, shprehu keqardhje se disa pjesëtarë nga radhët e këtij komuniteti që ishin pjesë e FSK-së janë demobilizuar.

Berisha, gjatë vizitës që i bëri sot Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së në kazermën “Evropianët e rinj” në Pomozotin, garantoi pjesëtarët e FSK-së nga  komuniteti serb, se FSK-ja është institucion i të gjithëve që jetojnë në Kosovë dhe se do të jetë institucion shumetnik.

“Ndjehem mirë që asnjëri prej pjesëtarëve që kanë paraqitur kërkesë për demobilizim nuk kanë pasur ankesa sa i përket trajtimit, punës apo marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ndëretnike në FSK.  Në këtë aspekt më  gëzon fakti se çdo ditë ka kërkesa nga të rinjtë e këtij komuniteti për t’u rekrutuar në FSK”, tha ai.

Ministri Berisha dëgjoi me vëmendje diskutimet e pjesëtarëve të FSK-së nga radhët e komuniteti serb për çështjet e jetës, punës dhe shërbimit në FSK, kryesisht çështjet e udhëtimit, trajnimeve, avancimeve si dhe të tjera lidhura me punën e përditshme në institucion.  

I pari i FSK-së përgëzoi pjesëtarët e komunitetit serb që shërbejnë në FSK, të cilët edhe përkundër presioneve të ndryshme politike, për të cilat është në dijeni edhe faktori ndërkombëtar, janë të vendosur që të shërbejnë në FSK,  në të mirë të qytetarëve që jetojnë këtu. 

Vlen të ceket se të gjithë diskutuesit shprehën gatishmërinë për shërbim në FSK, dhe se nuk vunë në diskutim ndonjë dilemë, përveç se bashkërisht me pjesëtarët e tjerë të zhvillohen dhe të punojnë në të mirë të FSK-së si institucion i cili u shërben të gjithë qytetarëve të shtetit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat