Gjermanët e përsërisin fuqishëm në Beograd pozicionin kundër shkëmbimit të territoreve

Aktuale

Gjermanët e përsërisin fuqishëm në Beograd pozicionin kundër shkëmbimit të territoreve

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 15:15
Diplomatja gjermane, Sabine Stohr, në Forumin për Siguri që po zhvillohet në Beograd

Gjermania e kancelares, Angela Merkel, ka qenë kategorike kundër idesë personale të presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si pjesë e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet dy vendeve.

Të njëjtin qëndrim e ka përsëritur sot edhe top-diplomatja gjermane, Sabine Stohr, në Forumin për Siguri që po zhvillohet në Beograd.

Ajo ka thënë se ideja për korrigjim të kufijve vetëm do të hapte probleme të reja në rajonin e Ballkanit.

“Shkëmbimi i territoreve nuk do të zgjidhë problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe vetëm do të trazojë çështjet territoriale në Ballkan dhe në një pjesë të BE-së, si për shembull në Tirolin e Jugut”, ka thënë diplomatja gjermane, Stohr.

Ajo ka thënë se pozicioni i Gjermanisë për këtë çështje është i pandryshueshëm.

“Pozicioni i Gjermanisë është i pandryshueshëm, në jemi kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Sepse analizat tona tregojnë se një gjë e tillë nuk dërgon në një zgjidhje të qëndrueshme për të gjitha komunitetet”, ka thënë Sabine Stohr, shefe e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.

Në këtë forum ka folur edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka thënë se Serbia është e interesuar që të zgjidhë problemet me Republikën e Kosovës.

Në këtë Forum në Beograd është duke marrë pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ilir Deda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat