Thaçi: Nuk isha rastësisht në Ujman, korrigjimi na shpëton nga ndarja

Aktuale

Thaçi: Nuk isha rastësisht në Ujman, korrigjimi na shpëton nga ndarja

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 15:48
Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi ripërsëriti sot se është për bashkimin e Luginës me Kosovën dhe se korrigjimi i kufirit me Serbinë shpëton ndarjen e Kosovës.

Ai gjatë një takimi me afarist të diasporës në Prishtinë tha se nuk do të lejojë me asnjë kusht ndarjen e vendit

Thaçi: Korrigjimi i kufijve e shpëton Kosovën nga ndarja

“Korrigjimi i kufijve dhe arritja e marrëveshjes paqësore Kosovë-Serbi, Kosovën e shpëton nga idetë e rrezikshme, të këqija dhe të pa drejta të Qosiqit, Stamboliqit dhe ‘viçave’ të tjerë për ndarjen e Kosovës dhe themelimin e asociacionit me elemente ekzekutive, që nënkupton Republika Serbe. Prandaj, unë nuk flas, nuk lejoj ndarje të Kosovës as shkëmbim të territoreve e as krijimin e një republike Serbe në territorin e Kosovës. Dikush edhe mund të ketë premtuar asociacion serb me elemente ekzekutive me padronë të krimit të organizuar në veri.  Pra përfshirja e luginës së Preshevës, Medvegjës, Bujanocit me territorin e Kosovës, Kosovën e shpëton nga ndarja, nga shkëmbimi dhe krijimi i asociacionit me elemente ekzekutive që nënkupton, Republika Serbe”, tha Thaçi.

Ai ka shtuar se vizita e tij në Liqenin e Ujmanit nuk ka qenë e rastësishme, dhe se Ujmani dhe të gjitha astetet në veri do të mbeten në Kosovë.

Thaçi: Nuk isha rastësisht në Ujman

“Mos mendoni se në Ujman isha rastësisht, por për me tregua se ai vend ka qenë, ende do të mbetet i Kosovës përjetësisht, edhe qyteti i bashkuar i Mitrovicës, kot flasin, kushdo që flet. Edhe për Trepçën cohën propaganda, dezinformata, lajme të rrejshme pa asnjë argument. Po kush është ai që guxon me menduar për Trepçën. Por e theksoi se edhe me bashkëngjitjen  e Preshevës me Kosovën nuk do të ketë kufi në baza etnike”, tha ai.

Duke ftuar spektrin politik për një unitet lidhur me platformën për dialogun Kosovë-Serbi, Thaçi ka thënë se përfundimi i dialogut do të jetë edhe në favor të bizneseve nga diaspora dhe rritjen e investimeve të huaja.

Thaçi: Dialogu zgjidh edhe çështjen e investimeve të huaja

“Duke qenë Kosova në NATO dhe në Bashkimin Evropian, edhe mundësitë tuaja për investime janë më të mëdha. Edhe investimet ndërkombëtare janë shumë më të mëdha. Nuk mund të krenohemi me investimet ndërkombëtare që kanë ndodhur në pesë gjashtë vitet e fundit në Kosovë. As me reforma. Nuk mund të qojmë Kosovën në NATO dhe në Bashkimin Evropian me logjikën dhe mentalitet të politikës të mashallave. As të kanunit as të provincializmave”, ka thënë Thaçi. 

Ai me tej ka thënë para afaristëve nga diaspora se Kosova është në një rrethanë të mundësive të mëdha që asnjë herë nuk e ka qenë më parë. Sipas tij, Kosova sot ka 116 njohje nga shtetet e botës. Ai shpreson se Kosova shumë shpejt pritet të bëhet pjesë e Interpolit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat