Historia e dhimbshme e Vasfijes, si u liruan dy serbët që ishin shpallë fajtorë për dhunimin e saj

Aktuale

Historia e dhimbshme e Vasfijes, si u liruan dy serbët që ishin shpallë fajtorë për dhunimin e saj

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 15:54
Jovica Dejanoviq dhe Gjorgje Bojkoviq, ish-policë të Serbisë, e më pas edhe polic i Kosovës, u akuzuan për përdhunimin e Vasfije Krasniqi – Goodman

Të gjitha proceset gjyqësore ku ishin përfshirë ish-ushtarët e UÇK-së, i kishte nisur e trajtuar ish prokurori italian, Maurizio Salustro. Prokurori Special i EULEX e kishte përgatitur edhe aktakuzën kundër Jovica Dejanoviq dhe Gjorgje Bojkoviq, ish-policë të Serbisë, e më pas edhe polic i Kosovës, të cilët u akuzuan për përdhunimin e Vasfije Krasniqi – Goodman gjatë kohës së luftës në Kosovë. Kjo e fundit, para disa ditësh, mori forcë e doli publikisht të tregojë tmerrin që ka përjetuar si 16-vjeçare.

Gjykata Supreme e Kosovës më datën 30 shtator të vitit 2014, ka liruar nga akuzat për dhunim si krim të luftës kundër popullatës civile, Jovica Dejanoviqin dhe Gjorgje Bojkoviqin.

Të dy kanë qenë të akuzuar nga Prokuroria Speciale e EULEX’it, për dhunimin e 16-vjeçares atëkohë, Vasfije Krasniqi, akt ky që ndodhi në datën 14 prill të vitit 1999, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë.

Media gjen se raporti i Fondit për të Drejtën Humanitare, për “Monitorimin e gjykimeve për krime lufte dhe vepra penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë”, thotë se përgatitjen e kësaj aktakuze ndaj këtyre dy ish-policëve të Serbisë, e njëri më pas edhe i Kosovës, e ka bërë ish-prokurori Maurizio Salustro.

E nga ky Fond, Bekim Blakaj, tha se sipas gjetjeve të tyre, këtë rast në Gjykatë e kanë prezantuar prokurorët Diana Wilson dhe Erik Larson.

Më 17 prill të vitit 2013, Gjykata Themelore e Mitrovicës, të dy i shpalli të pafajshëm për dhunim si krim i luftës kundër popullatës civile. Por, shkalla e dytë, një vit pas, më saktësisht më 27 maj të vitit 2014, pati shpallur fajtor të dy të akuzuarit dhe u kishte shqiptuar dënimet me burg.

Por, pas 4 muajve nga vendimi i Gjykatës së Apelit, Gjykata Supreme i liroi të dy nga paraburgimi.

Hetimet për këtë rast fillimisht ishin hapur me vendim të Prokurorisë Speciale të Kosovës më 19 gusht të vitit 2012. Ato, më pas me një vendim të ri, janë zgjeruar pasi Vasfije Krasniqi dha dëshminë e saj disa herë, dhe u dëgjuan edhe dëshmitarë të tjerë.

Ajo ka treguar se menjëherë pas rastit, deklaratën e parë ua ka dhënë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë vepruar në zonën, në të cilën është ndodhur vendbanimi i saj. Pas kësaj, ajo mbi rastin, në muajin tetor të vitit 1999, i ka informuar edhe pjesëtarët e KFOR’it.

Në bazë të deklaratave të marra nga hetimet, Prokuroria Speciale e Kosovës në muajin nëntor të vitit 2012, e ka ngritur aktakuzën kundër të dyshuarve.

Jovica Dejanoviq dhe Gjorgje Bojkoviq u akuzuan për veprën penale të krimit të luftës kundër popullatës civile, përkatësisht janë akuzuar për dhunim të së miturës Vasfije Krasniqi dhe për pronësi, kontroll, posedim ose përdorim i paautorizuar i armëve.

Sipas aktakuzës, Dejanoviq ngarkohej se në cilësi të pjesëtarit të policisë serbe dhe i armatosur me pushkë, në ditën kritike e ka rrëmbyer viktimën nga shtëpia e saj familjare në fshatin Stanovc i Ultë. Aty kanë qenë të pranishëm edhe disa anëtarë të të familjës së viktimës, gjatë rrëmbimit.

Aktakuza ka thënë se ai e ka dërguar Krasniqin në një vend të panjohur në afërsi të fshatit Babimoc, dhe e ka detyruar në forma të ndryshme të marrëdhënies seksuale kundër vullnetit të saj si dhe e ka kërcënuar me thikë.

I akuzuari i dytë, Bojkoviq, po ashtu në të njëjtën ditë e ka dhunuar të miturën, derisa ishte edhe i armatosur me revole. Aktakuza ka thënë se ai e ka nxjerrë viktimën nga automobili. Media ka kontaktuar dje policinë e Kosovës për t’i pyetur për dy të akuzuarit.

“Policia e Kosovës konfirmon se personi i apostrofuar;  J. D. ka qenë i punësuar në PK nga data 12.02.2001 deri më 15.06.2017, kur edhe iu është shqiptuar masa disiplinore Ndërprerje e marrëdhënies se punës. I apostrofuari; Gj. B. nuk është pjesëtar i PK-së” thuhet në përgjigjen e tyre.

Image
Jovica Dejanoviq

Për aktgjykimin e shkallës së parë ka shkruar Fondi për të Drejtën Humanitare, duke treguar në detaje për vendimin e shkallës së parë.

Aktgjykimi i shkallës së parë

Sipas aktgjykimit të shpallur në datën 17 prill të vitit 2013, gjykata e shkallës së parë, në bazë të  provave  të paraqitura gjatë rrjedhës së shqyrtimit kryesor, jashtë çdo dyshimi ka vërtetuar se në datën 14 prill të  vitit 1999 viktima është rrëmbyer nga shtëpia e saj në fshatin Stanovc i Ultë. Rrëmbimi është kryer nga ana e një mashkulli të uniformuar, pastaj viktima dy herë është dhunuar në vende të ndryshme rreth dhe në fshatin Babimoc: së pari nga rrëmbyesi i armatosur, e së shpejti edhe në lokacionin tjetër nga tjetri, nga mashkulli më i vjetër dhe i armatosur.

Gjykata në aktgjykim i ka analizuar në mënyrë të hollësishme provat e paraqitura gjatë shqyrtimit kryesor, posaçërisht duke pasur parasysh procedurën e identifikimit të të akuzuarve nga ana e viktimës dhe e dëshmitarëve okular. Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve dhe të paraqitura gjatë shqyrtimit kryesor, viktima disa herë e ka identifikuar të akuzuarin Dejanoviq si dhunuesin e parë të saj. Këtë e kanë bërë edhe shumë dëshmitarë okularë, të cilët kanë qenë të pranishëm kur në ditën kritike është rrëmbyer viktima nga shtëpia e saj. Të akuzuarin e dytë Bojkoviq, si person më të vjetër i cili ka çaluar, e ka identifikuar vetëm viktima.

Megjithëkëtë, gjatë vlerësimit të provave, gjykata e shkallës së parë ka gjetur se procedura e  identifikimit (posaçërisht identifikimet e para të bëra me anë të fotografive) nuk është bërë në mënyrën e paraparë me ligj. Edhe pse të gjithë dëshmitarët para identifikimit e kanë bërë përshkrimin fizik të të akuzuarve, sipas përfundimit të gjykatës atyre është dashur t’iu tregohen fotografi nga koha e ngjarjeve kritike. Po ashtu, dëshmitarëve është dashur t’iu tërhiqet vëmendja: se në një varg fotografish, të cilat iu tregohen, mund të jenë por edhe mund të mos jenë fotografitë e kryerësve; se nuk ekziston obligimi që dikush detyrimisht duhet të identifikohet; si dhe dëshmitarët  duhet  t’i shohin fotografitë  një  nga  një,  derisa gjatë asaj kohe personi zyrtar, i cili bënë identifikimin nuk duhet të di se kush është i dyshuar.

Gjykata ka ardhur në përfundim se ekzistojnë prova të reja, për të cilat mund të konsiderohet se shkojnë në dobi të aktakuzës, por ekziston dyshimi se i akuzuari Dejanoviq njëmend e ka rrëmbyer dhe e ka dhunuar të dëmtuarën Vasfije Krasniqi, sepse procedura e foto identifikimit, e kryer në mënyrë joprofesionale, ka shkaktuar që ajo ta humb vlerën dëshmuese. Për këto arsye, sipas gjetjeve të  gjykatës, nuk është provuar jashtë dyshimit se i akuzuari Dejanoviq dhe Bojkoviq e kanë kryer veprën,  për të cilën të dytë në mënyrë individuale janë të akuzuarën në pikën 1 të aktakuzës (krim i luftës  kundër popullatës civile) dhe ata janë liruar nga aktakuza.

Pas 14 vitesh, Vasfije Krasniqi-Goodman ka thyer një tabu në shoqërinë kosovare pasi është bërë gruaja e parë, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, që ka rrëfyer këtë të martë publikisht tmerrin e përjetuar kur është përdhunuar nga forcat policore serbe në vitin 1999.

Vasfija, 36-vjeçarja e cila jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara, me lot në sy ka rrëfyer për torturat që kishte përjetuar gjatë luftës si 16-vjeçare. Ajo ishte përdhunuar nga dy serbë: njëri prej tyre polic i regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Por, tmerri i asaj dite për Vasfijën nuk ishte ndalur me kaq. Ajo shprehet se ishte dhunuar seksualisht edhe nga një tjetër person, që ishte veshur me rroba civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat