Dëshmitari: Murat Jashari përmendi vrasjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit…

Aktuale

Dëshmitari: Murat Jashari përmendi vrasjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit…

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 21:23
Gjykimi i "Syrit të Popullit"

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për pjesëmarrje në organizatën “Syri i Popullit”, në cilësi të dëshmitareve u dëgjuan shtatë persona.

Para fillimit të dëgjimit të këtyre dëshmitarëve, mbrojtësja e të akuzuarit Murat Jashari, avokatja Fehmije Bytyqi ngriti shqetësimet sa i përket gjendjes shëndetësore të të mbrojturit të saj.

“Në seancën e parë keni marrë një aktvendim që të dëgjohen psikiatrit, nuk e di a e shihni gjendjen që tash e ka Murati. Le që nuk po i merrni mjekët por ata mungojnë fare sepse ftesa nuk u ka shkuar. E shihni gjendjen… Pasi që është marrë një vendim pse nuk merren ata ekspertë. Në praktikë kur një person është i sëmurë psikik nuk mund të jetë i pranishëm me ne këtu në sallë”, tha avokatja Bytyqi, raporton kallxo.com.

Në vërejtjen e avokates Bytyqi u përgjigj kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica e cila deklaroi se për gjendjen mendore të të akuzuarit Murat Jashari përmes një ekspertize, ekspertët kanë dhënë mendimin se ai është në gjendje të përcjell shqyrtimin gjyqësor dhe se kur të ju vijë radha ekspertët do të ftohen para Gjykatës për t’u deklaruar lidhur me raportin.

Tre dëshmitarët, Brahim Berisha, Xhemail Ramushi e Bekim Limani gjatë deklarimit të tyre u pyetën lidhur me pjesëmarrjen e tyre në një organizim të datës 3 janar 2017 në shtëpinë e të akuzuarit Ragip Sallova.

Duke u përgjigjur në pyetjet e parashtruara, tre dëshmitarët kanë thënë se në këtë organizim, që ishte mbajtur në Obiliq, në shtëpinë e të akuzuarit Ragip Sallova, në mesin e të pranishmeve kishte qenë edhe Murat Jashari, i cili gjatë kësaj ndeje e kishte marrë fjalën dhe u ishte drejtuar të pranishmëve. Ndërsa për organizatën “Syri i Popullit”, të tre deklaruan se për herë të parë kishin dëgjuar në media dhe në polici kur ishin ftuar për të dëshmuar.

“Aty Ragipi për me e respektu tha ia japim fjalën vëllait të ish-komandantit Ismet Jashari, Murat Jasharit. Ai ka thënë se duhet me dalë me i vra disa njerëz, qashtu-qashtu, emra nuk ka jep por e di që të gjithë kanë qenë kundër asaj fjale, edhe Ragipi dhe të tjerët. Bile me kujtohet se Rexhep Topllana ka thënë se ‘nuk bënë kështu’”, tha dëshmitari Brahim Berisha, raporton www.kallxo.com

Dëshmitari Xhemail Ramushi tha se në këtë organizim/tubim kishte qenë i ftuar nga i akuzuari Ragip Sallova por tha se nuk e kishte pasur idenë se përse po mblidheshin.

“Mua kur më ka ftuar ka thënë se do të jetë prezent televizioni dhe Murat Murati, unë kam menduar për Bacin Murat, këtë person nuk e kam parë kurrë. Çka është fol aty as që më ka interesuar, diçka tjetër kam mendu e diçka tjetër më ka dalë”, tha dëshmitari.

“A ka përmend në atë ndejë Murat Jashari se duhet me i vra Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerët?”, e pyeti dëshmitarin prokurori Sylë Hoxha.

Dëshmitari e pohoi një gjë të tillë, duke shtuar se gjatë deklarimit Murat Jashari ishte ndërprerë disa herë dhe se pastaj i njëjti pas përfundimit të fjalimit kishte shkuar.

Dëshmitarët përmendën edhe një listë për të cilën thanë se u ishte dhënë nga mikpritësi i atij organizimi, Ragip Sallova, i cili kishte kërkuar nga të gjithë të pranishmit që të shënonin në një listë emrin dhe mbiemrin si dhe numrin e telefonit me qëllim që të evidentohej pjesëmarrja e të njëjtëve në atë takim.

“Ragipi e ka prezantuar, pastaj fjalën e ka marrë Murat Jashari. Në fillim u prezantu kush është si është… Tha këto marrëveshjet që janë bërë si marrëveshja e Ohrit janë marrëveshje tradhtie, është tradhtuar kombi shqiptar me këto marrëveshje, sa më kujtohet ka thënë se do të vijë pranvera e nxehtë dhe e përgjakur”, deklaroi dëshmitari Bekim Limani të kishte thënë Murat Jashari para të pranishmeve në atë organizim.

Ndërsa dëshmitarët e tjerë deklaruan se Murat Jasharin e njohin prej më herët pasi që kishin pasur rastin që të takoheshin me të.

Pasi që gjatë dhënies së deklaratës dëshmitari Ramadan Behluli duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit se a e njihte Ragip Sallovën, ai u përgjigj se më herët e ka njohur vetëm përmes Facebook-ut ndërsa sot ka pasur rastin ta takojë personalisht pasi tha se gjatë pauzës kishte qëndruar së bashku me të në një tavolinë në bufe, reagime pati nga ana e prokurorit i cili kërkoi që vërejtja e tij të shënohej në procesverbal për shkak se takimet në mes të të akuzuarve dhe dëshmitarëve janë të ndaluara gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore.

Në fund dëshminë e tij e dha edhe këngëtari Ismet Behxheti, të cilit me të hyrë në sallë të Gjykatës, i akuzuari Murat Jashari i kërkoi të këndonte një këngë.

Behxheti duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit deklaroi se ai Murat Jasharin e njeh pasi që për herë të parë e kishte takuar në një koncert në fund të viteve të ‘80, kurse për faktin se emri i tij është gjendur në një listë të përpiluar nga organizata “Syri i Popullit”, në të cilën ai ishte i propozuar si drejtor i RTK-së, në lidhje me këtë dëshmitari tha se nuk ka fare dijeni për këtë gjë.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt.

Pjesë e aktakuzës janë  vepra penale  duke filluar nga hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Kallxo e kishte siguruar aktakuzën ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të “Syrit të Popullit”.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat