Heroinat e Kosovës, gratë që treguan se u dhunuan nga forcat serbe

Aktuale

Heroinat e Kosovës, gratë që treguan se u dhunuan nga forcat serbe

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 18:24
Vasfije Krasniqi-Goodman nuk është e para që rrëfeu për një ngjarje të tillë.

Deri para tri ditësh, Marte Tunaj ishte gruaja e vetme që kishte marrë guximin të dëshmonte publikisht se ishte dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Gjithë dëshminë, ajo e kishte dhënë në prezencë të burrit dhe publikut në sallë. Por, të martën, historinë e dhunimit vendosi ta tregojë edhe Vasfije Krasniqi-Goodman. Ajo deklaroi publikisht se gjatë luftës ishte përdhunuar nga dy serbë, një prej të cilëve deri në fund të 2017’ës punonte në Policinë e Kosovës. Fat të njëjtë me to kishte edhe Vjollca Salihu, e cila u dhunua dhe mbeti e paralizuar në luftën e vitit 1999.

Kanë kaluar pothuajse 20 vite, por ditën e 11 prillit të 99’ës, Vasfije Krasniqi nga Vushtrria e kujton si sot. Madje, edhe pse janë bërë afro dy dekada, ajo nuk ka harruar as edhe një detaj nga ajo ditë, të cilën e kujton me lot në sy.

Të martën, Vasfija mori guximin që të rrëfente për ngjarjen më të dhimbshme që i kishte ndodhur gjatë jetës, atë të dhunimit.

Ajo rrëfeu se si gjatë kohës së luftës ishte përdhunuar nga dy serbë: njëri prej tyre polic i regjimit të Slobodan Millosheviqit, i cili deri në fund të 2017’ës punonte në Policinë e Kosovës.

Gjithë ngjarja kishte ndodhur në fshatin Babimovc të Vushtrrisë, në prill të vitit 1999.

“Më 14 prill të vitit 1999 kam qenë në oborr dhe kam hyrë brenda dhe i kam thënë nënës me dalë dikush te dera me qelë derën. Dikush jashtë derës na tha ‘çelne derën’… edhe është dashtë me çelë… Ne nuk e dinim nëse kanë hy me na vra apo kanë hy me bastisë, mirëpo ai pyeti se ku e keni babën edhe vëllanë. Nana i tha që janë në Gjermani, e ai më tha: ‘Jo nuk janë në Gjermani, por kanë shkuar në luftë’”, deklaroi Vasfija, e cila aktualisht jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara.

Vasfija rrëfen se si ai e kishte marrë me vete për të dhënë deklaratë në polici, dhe se si kishte përfunduar duke e dhunuar.

Pas, gjithë kësaj thotë se dëshironte vetëm që të vdiste. Por, thotë se e kishin lënë të gjallë vetëm për t’i shkaktuar vuajtje më shumë.

E tmerri i asaj dite për Vasfijën nuk ishte ndalur me kaq. Menjëherë pas kësaj, ajo thotë se është dhunuar seksualisht edhe nga një tjetër person, që ishte veshur me rroba civile.

Të dy këta, më 17 prill të vitit 2013, Gjykata Themelore e Mitrovicës i kishte liruar  nga akuza për pëdhunimin e Vasfije Krasniqit, e cila në atë kohë ishte një vazjë e mitur, 16 vjeç.

Pas këtij rrëfimi, Vasfijes i kanë dalur në përkrahje shumë qytetarë edhe liderë shtetërorë. Madje, Presidenti i Kosovs, Hashim Thaçi e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale ‘Qytetare e Merituar’.

Ndërsa sot, Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri i ka dhënë asaj titullin “Emblema e Vushtrrisë” me motivacionin “për guximin e jashtëzakonshëm, për thyerjen e stigmës dhe për përkrahjen e viktimave të dhunës çnjerëzore nga milicët serb gjatë luftës së fundit në Kosovë”.

Por, Vasfije Krasniqi-Goodman nuk është e para që rrëfeu për një ngjarje të tillë.

Deri para tri ditësh, Marte Tunaj nga Gjakova ishte gruaja e vetme që kishte marrë guximin të dëshmonte publikisht se ishte dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Tunaj kishte deklaruar se më 30 maj të vitit 1999 ishte maltretuar, keqtrajtuar dhe përdhunuar nga paramilitari Millosh Jokiq, ndaj të cilit më 25 shkurt të vitit 2000 ishte ngritur aktakuza për krime lufte kundër popullatës civile në Viti.

Gjithë dëshminë e saj, ajo e kishte dhënë në prezencë të burrit dhe publikut në sallë, dhe si rezultat i rrëfimit të saj rrëqethës Jokiq ishte dënuar me 20 vite burgim.

Ndërkohë, që tashmë janë bërë dy vite që nga vdekja e Marte Tunaj.

Fat të njëjtë më Vasfijen e Marten, kishte pasur edhe Vjollca Salihu.

Ajo u dhunua dhe mbeti e paralizuar në luftën e vitit 1999, por jetoi deri në vitin 2006 kur ndërroi jetë.

Në një fotografi botuar në prill të këtij viti nga NPR, nëna e saj Sanije Salihu tregonte për ngjarjen.

“Ajo u dhunua dhe u rrah gjatë vitit 1998-1999 dhe u la e paralizuar. Po të kishte vdekur në luftë, Kosova do ta vajtonte. Më dhemb zemra që shkoi vajza sikur asgjë” tregonte nëna e Vjollcës, Sanija.

Ndryshe, vetëm deri në prill të 2018’ës, në komisionin Qeveritar për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës nga 5 shkurti kanë pranuar 400 aplikacione.

Në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria kishte marrë vendim që pagesa mujore për kategorinë e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës të jetë rreth 230 euro.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, kishte thënë se aplikuesve iu është pranuar zyrtarisht statusi i viktimave të dhunës. Ai më tej kishte sqaruar se një pjesë e tyre janë proceduar për pagesë, duke shtuar se i gjithë ky proces është planifikuar të zgjasë 5 vjet.

“Që nga 5 shkurti i këtij viti kur zyrtarisht është bërë lansimi i datës së momentit për fillimin e pranimit të aplikacioneve të viktimave gjatë luftës së fundit e deri në këto momente kur po flasim janë rreth 400 aplikacione që komisioni i ka pranuar është duke i shqyrtuar”, kishte thënë Reçica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat