Thaçi: Maqedonia zgjodhi rrugën e integrimeve evropiane

Aktuale

Thaçi: Maqedonia zgjodhi rrugën e integrimeve evropiane

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 09:45
Hashim Thaçi

Kuvendi i Maqedonisë me 80 vota pro dhe 39 kundër ka miratuar mbrëmë nismën për ndryshimet kushtetuese, që i hap rrugë Marrëveshjes së Prespës për emrin e ri.

Këtë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e vlerëson si hap drejt rrugës evropiane të Shkupit.

“Maqedonia e zgjodhi rrugën e integrimeve euroatlantike dhe bëri një hap të madh për forcimin e paqes në tërë rajonin tonë. Kuvendi i Maqedonisë mbrëmë dha shembullin e bashkimit të të gjitha partive për të mirën e qytetarëve dhe shtetit të tyre. Shteti forcohet dhe integrohet kur të zgjedhurit e popullit marrin vendimet e duhura dhe tejkalojnë interesat politike për interesat shtetërore”, ka shkruar presidenti.

Ai tutje ka shtuar se edhe Kosova i gëzohet këtij vendimi të shtetit fqinj.

“Paqen dhe stabilitetin në rajon e forcojmë vetëm duke dëshmuar vendosmëri në orientimin euroatlantik dhe duke punuar shumë për integrimin në familjen evropiane”, përfundoi ai.

Pas afër tri dekadash Maqedonia dhe Greqia kanë arritur marrëveshje, sipas së cilës emri i ri është “Maqedonia e Veriut”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat